Indrit Sefa, Sekretar i Çështjeve Ligjore dhe Zgjedhore në Partinë Demokratike, duke komentuar në emisionin “Open” në News24, operacionin e fundit të SPAK, tha se aty tregohet lidhja e politikës me krimin.
Sefa, ndërsa ka vlerësuar punën e SPAK, tha se lidhjet e krimit me politikën kanë që në 2013-ën, kohë kur Edi Rama thoshte të bashkohemi për të mundur të djathtën.
“Është një operacion i suksesshëm, duhet ta themi. Nuk është faji i SPAK që këta persona janë liruar nga burgu apo si e kanë fituar lirinë”, tha Sefa.
Në vijim ai shtoi se për të bërë një operacion të këtyre përmasave duhet një përfshirje e forcave të FNSH, RENEA, të cilat SPAK nuk mund t’i kontrollojë.
“Qeveria nuk financon atë strukturë që SPAK ka kërkuar për të vepruar në operacione të tilla, ndaj dhe vijnë ato deklaratat e kreut të SPAK përsa i takon Policisë”, tha ai.
Anëtari i kryesisë së PD tha më tej se nuk mund të kalohet si diçka normale kjo që thuhet në dosjen e SPAK, pasi kemi deputetë që porosisin vrasje.
“Nëse nuk do të ishte ligji i dekriminalizimit, këta do ishin ende deputetë”, tha Sefa.
Referuar pjesës së dosjes ku zbardhet plani i Rrajave për vrasjen e Arben Ndokës, Sefa tha se kemi të bëjmë me dy ish-deputetë që organizojnë plane për vrasje.
“Kjo tregon vullnetin e mazhorancës, këta janë njerëzit që drejtonin banda dhe u futën në Parlament si deputetë, sepse këtë vullnet ka kjo mazhorancë”, përfundoi zyrtari demokrat.