Indrit Sefa zbardh detaje nga amendamenti i PD për SPAK: Të kenë më të lehtë punën e tyre, në mënyrë që t’i përkushtohen

Sekretari Ligjor i Partisë Demokratike, Indrit Sefa ishte këtë të mërkurë i ftuar në një studio televizive, tha se partia që ai përfaqëson ka propozuar që prokurorëve të SPAK t’u sigurohet karriera dhe mendësia për të ecur përpara edhe pasi të mbarojnë mandatin 9-vjeçar.

Në propozimet e bëra, sipas tij thuhet se prokurorët e SPAK duhet t’u garantohen privilegjet që nga paga, te siguria e të gjitha privilegjet e tjera.

Sefa tha se me këto propozime Partia Demokratike e kryesuar nga Lulzim Basha kërkon që t’u mundësojë prokurorëve të SPAK atyre aktual dhe atyre të ardhshëm që kenë më të lehtë punën e tyre në mënyrë që ata të punojnë me korrektësi dhe përkushtim.

“Ne vlerësojmë se statusi i prokurorit në ligjin që është aktualisht nuk e ka të qartë se si prokurorët do e vazhdojnë karrierën e tyre. Ne kemi një propozim për këtë. Ne themi që të gjithë prokurorët që kanë mbaruar mandatin e tyre 9-vjeçar në SPAK, të emërohen brenda 3 muaj nga KLP si prokurorë në Gjykatën e Apelit, ose prokurorë në Prokurorinë e Përgjithshme, në mënyrë që të jenë në nivelet më të larta.

S’duhet të ketë regres, por vetëm avancim në karrierë. Ne kemi edhe një kusht opsional, që në rast se ndonjë nga këta magjistrat që kanë qenë prokurorë të SPAK, kërkon të jetë drejtues apo pjesë e prokurorive të rrethit, të ketë një korsi referenciale nga ana e KLP-së për t’u emëruar si drejtues në prokurori rrethi. Ne me këto propozime nxisim në mënyrë publike por dhe me anë të veprimeve konkrete, të gjithë magjistratët që të aplikojnë pranë SPAK-ut edhe në vitet në vijim.

Nuk e kemi lënë vetëm me kaq, por kemi përcaktuar edhe faktin që ata të kenë të njëjtat privilegje edhe në detyrën e re, si nga paga, mbrojtja e të gjitha privilegjet me radhë. Kjo është një garanci shtesë për prokurorët në detyrë dhe për ata që do të vinë më pas. Kështu shteti jep garanci se “ti bëje detyrën me korrektesë dhe shteti do kujdeset për ty duke të mundësuar një karrierë dhe një histori karriere të përshtatshme. Ky është një hap i domosdoshëm për Partinë Demokratike, që t’i kundërvihemi atij sulmi brutal që po u bëhet prokurorëve të SPAK nga Rama, Meta dhe Berisha”,-tha Indrit Sefa.

Exit mobile version