Muaji i fundit i vitit 2023 u mbyll me rritje të inflacionit, duke arritur në 4 %, ndërsa në nëntor ishte 3.9%. Rritja u ndikua edhe nga festat e fundvitit, e cila solli një rritje të çmimeve të ushqimeve. Sipas INSTAT, ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Dhjetor 2023 është 4,0 %. Një vit më parë ky ndryshim ishte 7,4 %.
Rritja mesatare vjetore e çmimeve në vitin 2023 është 4,8 % ndërkohë që në vitin 2022, vit kur inflacioni arriti shifra rekord, ishte nga 6,7 %.
Gjatë vitit 2023 inflacioni shkoi drejt stabilzimit, dhe në ulje përgjatë gjithë vitit me përjshtim tremujorin e fundit kur inflacioni pësoi rritje të lehtë.
Krahasuar me muajin Dhjetor 2022, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 6,7 %, pasuar nga grupet “Argëtim dhe kulturë” me 5,4 %, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 4,6 % grupet e tjera reflektuan rritje mtë ulët. Sips INSTAT brenda grupit të ushqimeve çmimet e zarzavateve dhe frutave vijojnë të jenë me rritje dyshifrore.
Përkatësisht , “zarzavatet” u rritën me 20,8 %, “fruta” me 10,9 %, pasuar nga nëngrupet “qumësht, djathë dhe vezë” me 6,7 %, si dhe “mish” me 5,5 %. Në Dhjetor 2023, çmimet e shportës së ushqimeve pësuan rritje me 1.1% edhe në krahasim me nëntorin.
Krahasuar me Eurozonën inflacioni në vendin tonë është më i lartë.
Inflacioni në Eurozonë u rrit në 2.9% në dhjetor, nga 2.4% një muaj më parë, megjithëse inflacioni i shportës bazë pësoi rënie.
Inflacioni bazë, i cili nuk përfshin çmimet e energjisë, ushqimit, alkoolit dhe duhanit ra nga 3.6% në nëntor në 3.4% muajin e kaluar.
Pritej një rritje e përgjithshme për shkak të efekteve bazë nga tregu i energjisë, pasi çmimi ra në mënyrë të moderuar. Çmimet e energjisë ranë me 6.7% nga viti në vit në dhjetor, kundrejt një rënieje prej 11.5% në nëntor.
Rritja e inflacionit në rajon nuk do të zgjasë shumë, sipas ekonomistëve të anketuar nga Bloomberg, të cilët shohin një normë mesatare prej 2.7% në tremujorin e parë.
Kjo është pak më optimiste sesa parashikimi i BQE, e cila parashikoi në takimin e saj të dhjetorit se çmimet do të rriteshin 2.9% në atë periudhë, duke arritur vetëm objektivin prej 2% në mesin e 2025.