Që nga koha kur në Shqipëri ka filluar puna për ndërtimin e infrastrukturës rrugore nuk gjen një rast kur puna e nisur për ndërtimin e një rruge të mos ketë përfunduar as pas një dekade. Por kjo ka ndodhur me dy rrugë mjaft të rëndësishme në Qarkun e Elbasanit si ajo Zgosht -Ura e Çerenecit dhe Qukës -Qafë Plloçë të cikat duket se do shënojnë rekorde të paimagjinueshme deri në kohën kur do jenë të përfunduara. Rruga Zgosht i Librazhdit-Ura e Çerenecit të Bulqizës prej 47 km e filluar para 2013 është ende peng i tenderimeve të radhës.
Sistemimi dhe asfaltimi i rrugës “Zgosht-Ura e Çerenecit” me gjatësi 47 kilometra është vazhdim i rrugës Librazhd-Fushë Studë-Ura e Cerenecit me gjatësi totale 56,9 Km në të cilën ka përfunduar vetëm një segment prej 9,6 km duke filluar nga qyteti i Librazhdit deri në fshatin Zgosht. Segmenti tjetër rrugor fillon nga fshati Zgosht i Njësisë Administrative Lunik në Bashkinë e Librazhdit dhe përfundon në fshatin Çerenec i Poshtëm, Njësia Administrative, Gjoricë, në Bashkinë e Bulqizës.
Njësitë administrative përfituese janë: Gjoricë, Ostren, Trebisht të bashkisë Bulqizë dhe Steblevë, Lunik dhe Qendër të bashkisë Librazhd. Rruga Librazhd-Fushë Studë-Ura e Çerenecit është zbatuar nga ARRSH-ja deri në shtresën e stabilizonit në të tërë gjatësinë e saj, që tashmë është shkatërruar ,ndërsa 9,6 Km e para me fillim rruge nga Librazhdi janë përfunduar dhe me shtresat asfaltike dhe sinjalistike të përfunduara nga FSHZH. Nga hapja e trasesë në kohën e Qeverisë Berisha 2 dhe ndërtimi deri në shtresën e stabilizonit ka kaluar mëse një dekadë. Për shkak të terrenit malor me dimër të gjatë, ngrica e dëborë, rruga në fjalë ka pësuar dëmtime në shtresat me stabilizant .Sistemim asfaltimi i rrugës Zgosht – Ura e Çerenecit ,si pjesë e një arterie të rëndësishme rrugore kombëtare lidh Korridorin 8-të me rrugën e Arbrit.
Ndërsa rruga Qukës-Qafë Plloçë e gjatë 43,5 km shkurton ndjeshëm distancën mes Tiranës dhe Juglindjes është rruga tjetër që edhe pas më shumë se një dekade duket se nuk do mbarojë edhe për disa vite. Kryeministri aktual, zv.kryeministrat dhe ministrat e Qeverisë Rama e kanë inspektuar me dhjetëra herë dhe kanë premtuar përfundimin e shpejtë të saj, por realiteti tregon të kundërtën. Pas 15 vitesh që nga projektimi i saj specialistët kanë deklaruar se do duhen e pakta edhe dy vite që kjo rrugë të jetë e përfunduar duke kushtuar qindra miliona euro. Por ndërsa shpenzimet mbeten shpenzime rruga Zgosht -Ura e Çerenecit dhe Qukës-Qafë Plloçe kanë nisur për të mos përfunduar kurrë.