Nga Endri Tafani
Për fat të keq në Shqipëri ka shumë “analistë” dhe “ekspertë” që nuk marrin më mundimin të lexojnë dy gishta tekst për temën për të cilën shprehin “mendime”.
Rasti më i fundit është ai i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për masën e ndalimit të marrë ndaj Sali Berishës.
Të gjithë “analistët” dhe “ekspertët” duke bërtitur me të madhe dje sesi Gjykata Kushtetuese ishte e paaftë profesionalisht dhe e varur politikisht pasi kishte lënë të lirë Berishën të udhëtonte jashtë shtetit ndërkohë që e kishte mbajtur në arrest shtëpie.
Në fakt e vërteta është më e thjeshtë dhe shumë më ndryshe.
Kanë qenë dy ankime në Gjykatën Kushtetuese për masat e ndalimit ndaj Berishës. Ankimi i parë ka qenë për ndalimin e daljes jashtë shtetit dhe detyrimit për paraqitje, ndërkohë që ankimi i dytë ka qenë për masën e ndalimit, arrest në banese.
Gjykata Kushtetuese u shpreh dje vetëm për ankimin e parë, masën e ndalimit jashtë shtetit dhe detyrimit për paraqitje duke vlerësuar që Berisha duhet te jete i lire te udhëtojë jashtë shtetit. Ankimi i dytë për arrestin në shtëpi do gjykohet në një datë të mëvonshme nga Gjykata Kushtetuese pasi është paraqitur dhe me vonë si ankim. Kaq e thjeshtë është dhe për ankimin e parë, vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të lejuar Berishën të udhëtojë duket i arsyeshëm, profesional dhe i paanshëm politikisht.
Këtu të vetmit të paaftë profesionalisht dhe të varur politikisht janë ata “analiste” dhe “opinioniste” që nuk marrin mundimin të lexojnë dy rreshta tekst por bërtasin vazhdimisht në media për gjëra që ata “i ndjejnë” si të vërteta.
Janë këta të fundit që janë një pjesë e problemit. Për problemet e injorancës që mbizotëron në media dhe debate politike dhe për më tepër janë dhe dëmtuesit e opozitës pasi me gabimet foshnjarake të pallavrave që brockollisin në media I japin dorë pozitës që ti etiketojë (me të drejtë për fat të keq) si ca të paaftë që nuk dinë çfarë thonë dhe bëjnë.
Dhe kështu shkohet me ngadalë drejt mandatit të katërt.