Injoranca nuk është argument!

Nga Gazment KODUZI

Cilësia e kujdesit shëndetësor është një nga elementët kryesorë të kujdesit shëndetësor, të cilin institucionet shëndetësore po përpiqen ta sigurojnë përmes mekanizmave të ndryshëm. Cilësia si koncept ka hyrë në mjeksi në fillim të viteve 1980, bazuar në përcaktimin e Deming “Ofrimi i kujdesit që pacienti ka nevojë dhe kur ka nevojë, në mënyrë të përballueshme financiarisht, të sigurtë dhe efektive”.

Sot dhe kohët e fundit, persona që nuk kanë asnjë lidhje profesionale me shëndetësinë, por që kanë frekuentuar spitalet vetëm si pacientë, përpiqen që të shesin ndërtesat e lyera apo bari i mbjellë në oborr, si rritje të cilësisë të kujdesit shëndetësor. Situata e covid-19 ja nxorri bojën e ndërtesave dhe zverdhi barin e oborreve, ku spitali QSUT nga institucion që duhet të prodhojë shëndet, u kthye në burim sëmundje dhe vdekje. Sëmundje dhe vdekje për shkak të mungesës së protokolleve të depistimit, të protokolleve të mjekimit, të pajisjeve të përshtatshme për trajtimin e patologjive shoqëruese, dhe më kryesorja, mungesë e personelit shëndetësor. Sot, u lëshuan mashtrimet e radhës nga Z. Rama në lidhje me cilësinë e barnave.

  1. Rama “harroi” t’u thotë shqiptarëve që prej 2 vjetësh regjistrohen barna dhe nuk kryhet asnjë lloj analize e tyre sepse ato që merren me këtë proçes ishin degdisur në bodrumet e Institutit të Shëndetit Publik. “Harroi” t’u thoshte që nga momenti kur erdhi në pushtet janë regjistruar barna me kopje të dokumentacionit nga kompani të tjera. “Harroi” t’u thoshtë që shumë barna nuk bëjnë efekt sepse janë niseshte dhe nuk kanë asnjë princip aktiv. Mjafton të përmend betejën që kreu Arian Galdini për njeriun e afërm, dhe gjetja e institucioneve turke që bari me të cilin ishte mjekuar pacienti ishte ujë sepse erdhën me furgonat e mallrave.

Megjithatë, më mirë vonë se kurrë, thotë populli. Por, Z. Rama nuk na tha si do e sigurojë cilësinë e barnave laboratori I ri me pajisje minimaliste dhe i pa akredituar nga institucionet përkatëse ndërkombëtare? Agjensia e barnave ka kapacite laboratorike të pamjaftueshme për analizat e barnave që regjistrohen dhe atyre që janë në treg si dhe ka staf të pamjaftueshëm dhe pa kualifikime të përditësuara.

A mjaftojnë vetëm nga 1 aparaturë si aparat zbërthimi për supozitorë apo sistem HPLC (Kromatografi e lëngët në presion të lartë ) me detektor UV-VIS për të siguruar cilësinë e barnave që regjistrohen dhe të atyre që hyjnë në Shqipëri? Ky laborator nuk mund të sigurojë cilësinë e barnave ndërkohë që ligji i barnave i ndryshuar dhe mbështetur nga Beqja dhe Rama në 2014 ka “shqyer dyert e Shqipërisë për barnat nga vende të origjinës së dyshimtë dhe ka përzënë firma prestigjoze ndërkombëtare.

A do ketë Agjensia buxhet mjaftueshëm për të blerë kite dhe reagent për kryerjen e analizave të nevojshme, apo do veprojë njësoj si me analizat për covid-19 ku analizat u kryen vetëm me tamponët dhe kitet e dhuruara? Bërja pjesë e farmakopesë europiane nuk është zgjidhja, por rruga drejt sigurimit të cilësisë së barit.

A mund të na thotë Rama sa të realizueshme janë testet e parashikuara nga farmakopea europiane me kapacitete e tanishme? Kjo gafurrje e Ramës sot, është njësoj si të mburresh që si vend antar I NATO-s ushtria jote automatikisht ka të njëjtat pajisje si ajo Amerikane. Por latini ka thënë “Ignorantia non est argumentum” (injoranca nuk është argument)!

Exit mobile version