Inkuizicioni, 25 gjyqtarë dhe prokurorë po emërohen

Dje ishte dita e parë e hyrjes në fuqi të ligjit të rivlerësimit dhe sot Edi Rama ka bërë hapin e parë konkret e të dukshëm të kapjes së sistemit të drejtësisë. Ky ligj, ndër të tjera ka parashikuar në Nenin 68, pika 2 të Shkollës së Magjistraturës të ngarkohet të organizojë një konkurs jashtë radhe për 25 kandidatë, gjyqtarë dhe prokurorë. Partia Demokratike, përmes e kreut të Departamentit të Rendit dhe Sigurisë, Enkelejd Alibeaj, ka denoncuar dje konkursin për zgjedhjen e 25 magjistratëve të rinj, që sipas kësaj force politike është bërë pa transparencën e duhur. Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Alibeaj tha se ky është hapi i radhës i kryeministrit Edi Rama për të kapur sistemin e drejtësisë, duke përzgjedhur persona me bindje politike.
“Organizimi i konkursit, përveçse është një shkelje flagrante e ligjit për Shkollën e Magjistraturës, të ligjit të sapomiratuar të Vetting-ut, është hapi i parë dhe konkret i kapjes politike të sistemit të drejtësisë. Plani i kapjes së sistemit të drejtësisë filloi me kapjen politike të Shkollës së Magjistraturës në vitin 2014 dhe sot po materializohet me hapin e radhës: 25 individë të përzgjedhur në terr, pa transparencë, por me shumë gjasë sipas prirjeve politike, pritet të jenë gjyqtarët dhe prokurorët e nesërm.
Hapi i sotëm është rrënimi përfundimtar i çdo përpjekje për pavarësi dhe moskapje politike të sistemit të drejtësisë”, tha kreu i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë në PD.
Alibeaj bëri të ditur se, sipas këtij ligji dhe ligjit ekzistues për Shkollën e Magjistraturës, faza e parë e një konkursi të tillë është hapja e procedures së pritjes së kërkesave të gjithë të diplomuarve, brenda ose jashtë vendit, që janë të interesuar dhe kanë dëshirë të marrin pjesë. Kjo periudhë e pritjes së aplikimeve, sipas traditës pothuajse 20-vjeçare ka qenë bërë transparente për publikun, në median e shkruar dhe atë elektronike, e ka zgjatur jo më pak se 1 muaj. Të interesuarit gjatë kësaj kohe njiheshin me vendet vakante, plotësonin dokumentacionin dhe dorëzonin kërkesat dhe lista e aplikuesve publikohej. Më pas, procedohej me konkursin e testimit të njohurive.
“Ndryshe nga kjo praktikë, pikërisht sot, media njofton se Shkolla e Magjistraturës organizon konkursin e pranimit. Pa shpallur paraprakisht dhe publikisht se një konkurs do të zhvillohej. Pa shpallur vendet sipas preferencës në profilin prokuror apo gjyqtar, pa bërë ndarjen e tyre, pa shpallur procesin e thirrjes për aplikime për çdo të interesuar, pa iu dhënë mundësinë të diplomuarve të paraqesin kërkesë. Kjo sepse, ligji vetëm sot ka hyrë në fuqi dhe se nga sot e tutje duhet të zhvilloheshin këto procedura paraprake.
Listat e aplikantëve askush nuk i ka parë, askush nuk është në dijeni për mënyrën se si ata janë përzgjedhur. Çdo gjë është bërë në terr. Kjo është një shkelje flagrante e ligjit, sepse, çdo veprim qoftë edhe okult i mbledhjes së aplikimeve, përpilimit të listave, përzgjedhjes së aplikantëve dhe ftesës për të marrë pjesë në konkurs, nëse është bërë, është bërë para datës 10 tetor 2016. Dhe nëse është bërë para datës 10 tetor 2016, është tërësisht i paligjshëm. Ligji ka hyrë në fuqi vetëm sot. Dhe nga sot lind e drejta dhe detyrimi i këtij organi të procedojë me pritjen e kërkesave për periudhë kohe të arsyeshme, të presë plotësimin e dokumenteve individuale, të përpilojë listat e më pas të organizojë konkursin, duke mos ia mohuar askujt të drejtën për të marrë pjesë”, tha Alibeaj.

Paralajmërimi i PD për Shkollën e Magjistraturës

Në argumentimin e saj kundër ligjit të vettingut, PD paralajmëroi kapjen e institucioneve nga mazhoranca. Ndërhyrja me rol aktiv i institucioneve të treta, të varura apo nën ndikimin e politikës apo pushtetit ekzekutiv, përbën cenim të kompetencës kushtetuese të organeve të rivlerësimit, si dhe rrezik potencial të përfitimit politik nga procesi të mazhorancës aktuale, duke cenuar në këtë mënyrë pavarësinë e pushtetit gjyqësor. Ligji ka asgjësuar thelbin dhe frymën e dispozitave kushtetuese, sepse kontrollin dhe hetimin në procesin e rivlerësimit e ka zhvendosur nga organet e krijuara rishtas dhe të konceptuara si organe të pavarura (Komisionerët Publikë, KPK dhe Kolegji i Apelimit), tek organet ekzistuese, jo kushtetuese, të pa reformuara dhe të kontrolluara nga Qeveria, siç janë ILDKPKI , DSIK , Shkolla e Magjistraturës, Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe Ministria e Brendshme.
Organet e reja të vettingut  vendosen nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e Qeverisë sepse telekomunikimet dhe të ardhurat financiare të anëtarëve të tyre kontrollohen në mënyrë periodike nga agjenci në varësi të Qeverisë, si psh. Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave.
Ligji cenon parimin e barazisë përpara ligjit, standardet e procesit të rregullt ligjor, si dhe parimin e llogaridhënies së organeve kushtetuese, si element thelbësor i shtetit të së drejtës. Nga mënyra sesi është konceptuar procesi i vlerësimit, ligji krijon një pseudoproces të rivlerësimit, i cili dhunon haptazi elementët dhe standardet thelbësore kushtetuese. Veçanërisht, procesi dhe standardet e kontrollit të figurës cenojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, të sanksionuara në Kushtetutë dhe në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ligji dhunon standardin kushtetues për të mos deklaruar fajtor dikë mbi bazën e të dhënave të mbledhura në mënyrë të paligjshme, duke lënë hapësirë për subjektivizëm dhe selektivitet në procesin e vettingut.
Ligji dhunon parimin e sigurisë juridike sepse teksti i normave të tij është i paqartë, konfuz dhe në raste të caktuara edhe kontradiktor. Ligji krijon mundësi që në praktikë të ketë ngërç institucional, zvarritje të procesit, konflikte kompetencash, ndjekje të praktikave jo uniforme dhe pengesa të tjera, që do të minojnë thelbin e procesit të rivlerësimit.
Ligji dhunon parimin e sigurisë juridike sepse teksti i normave të tij është i paqartë, konfuz dhe në raste të caktuara edhe kontradiktor. Ligji krijon mundësi që në praktikë të ketë ngërç institucional, zvarritje të procesit, konflikte kompetencash, ndjekje të praktikave jo uniforme dhe pengesa të tjera, që do të minojnë thelbin e procesit të rivlerësimit.

A.Shahini

Exit mobile version