Inspektorët me profil juristi e historie

Kur blejmë diçka e marrim të mirëqenë, që pesha që shkruhet është e saktë. Këtë garanci në fakt, e kemi nga fakti që sistemet e matjes, të gjitha çertifikohen nga institucionet përgjegjëse në vend.  Por, një auditim i fundit i Kontollit të Lartë të Shtetit ngre edhe një herë pikëpyetje, nëse institucionet vërtet na japin garancinë që paguajmë dhe marrim sa duhet. Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë është parë nga afër për performancën e saj dhe duket se gjetjet e raportit janë shqetësuese në një sërë pikash.  Ky raport konkludon se, nuk ka një qëndrueshmëri të stafit, i cili ndryshon shpesh edhe për hir të ndryshimit të qeverive apo drejtorëve. Kjo nuk është diçka tipike për këtë institucion, pasi ndodh rëndom në administratë.  Por, gjetja më shqetësuese e raportit të KLSH është fakti se personat e punësuar nuk zotërojnë njohuritë e nevojshme dhe as shkollimin e duhur. Në disa raste, inspektorët s’kanë aspak profil inxhinieri, por juristi apo më ekstreme, histori.  “Metrologët e autorizuar në DPM nuk janë sipas kërkesave ligjore, lidhur me profesionin dhe eksperiencën në punë, pasi në fund të vitit 2015, rezultojnë të jenë inxhinierë dhe matematicienë e kimistë, vetëm 16 prej tyre ose 30% që plotësojnë këto kërkesa. Nga inspektorët metrologë vetëm 1 është me profesionin inxhinier elektrik dhe në pjesën më të madhe, prej 60% janë me profesionin e juristit (5) dhe atë të ekonomistit (4), por që nuk mungojnë dhe me shkollë profesionale, shkenca politike, histori/gjeografi, teknologji bujqësore”, thuhet në dokumentin e KLSH.  Lidhur me këto konstatime, KLSH ka kërkuar që Metrologjia, së bashku me Drejtorinë e Administratës Publike, të plotësojnë numrin e metrologëve që plotësojnë kushtet e nevojshme, pasi ata janë mbikëqyrësit kryesorë në terren të instrumentëve matës.

Exit mobile version