Inspektori i çau kokën me pistoletë një femre, pas denoncimit të Berishës policia pranon fshehjen e ngjarjes

Ish-Kryeministri Berisha në një postim në Facebook shkruante sot se një oficer policie në Krujë i ka vendosur pistoletën në kokë një gruaje dhe ngjarja është fshehur.
Policia e Shtetit e pranon që e ka fshehur ngjarjen dhe “premton” se do ta pasqyrojë në komunikatën e nesërme të saj.
“Komunikata nga Oficeri i Policisë Gjyqësore të Prokurorisë është dhënë ditën e sotme dhe do të pasqyrohet në komunikatën zyrtare të Policisë së Shtetit ditën pasardhëse”, justifikohet Policia e Shtetit.
Ndërkohë në praktikën e saj, Policia e Shtetit, në komunikatën e saj ditore (24 gusht), pasqyron ngjarjet e 24 orëve të kaluara (23 gusht), sikurse ka vepruar realisht sot, edhe në lidhje me ngjarjen ku në garazhin e shtetasit Sh. Sh. është vendosur një sasi lëndë shpërthyese, por që ka “harruara” ngjarjen e inspektorit që i çau kokën me psitoletë një femre, të cilën e denoncoi ish-kryeministri Sali Berisha.
Reagimi i plotë i Policisë
Në lidhje me statusin e publikuar sot në rrjetet sociale nga deputeti S. Berisha, ku pretendohet se janë fshehur dy ngjarje nga Komisariati i Policisë Krujë, informojmë se:
Për ngjarjen ku është përfshirë në konflikt një oficer policie pranë Komisariatit të Policisë Krujë, janë kryer të gjitha veprimet e duhura ligjore.
Konflikti ka ndodhur më datë 23. 08. 2018, rreth orës 17:00, në rrugën “Kala” ku për motive të dobëta, të çastit (zënie rruge me mjet, për përparësinë e kalimit) dhe janë konfrontuar fizikisht shtetasit B. T., 66 vjeç, K. T., 31 vjeç (nipi i B. T.) dhe D. T., (mbesa e B. T.,) banues në Krujë me shtetasit E. Q. 36 vjeç, punonjës policie dhe A. Q., 41 vjeçe, motra e E. Q.
Oficeri i Policisë nuk ka qenë në detyrë kur ka ndodhur konflikti.
Në respekt të paanshmërisë së hetimeve, të gjitha veprimet hetimore mbi ngjarjen e mësipërme janë kryer nga oficeri i Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, nën drejtimin e Prokurorisë duke filluar procedim penal në gjendje të lirë në ngarkim të shtetasve B. T. dhe K. T. për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje” në bashkëpunim.
Komunikata nga Oficeri i Policisë Gjyqësore të Prokurorisë është dhënë ditën e sotme dhe do të pasqyrohet në komunikatën zyrtare të Policisë së Shtetit ditën pasardhëse.
Në lidhje me ngjarjen ku në garazhin e shtetasit Sh. Sh. është vendosur një sasi lëndë shpërthyese informojmë se njoftimi është bërë publik në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit në komunikatën e publikuar sot.

Artikulli paraprakTrafikoi drogë me avion nga Shqipëria, arrestohet në Itali 34-vjeçari
Artikulli tjetërNë pallatin e ministres ndërtim pa leje! Veliaj nuk ndërhyn