Inspektoriati heq përgjegjësinë për shpërthimin

Inspektoriati Shtetëror Teknik heq nga vetja të gjitha përgjegjësitë për ngjarjen e rëndë që ndodhi në restorantin “Il Cavaliero” në Velipojë, ku humbi jetën pronari i tij dhe u plagos i biri me dy persona të tjerë.
Drejtori i Inspektoriatit që kontrollon pajisjet me presion sqaroi që ky subjekt është kontrolluar disa muaj më parë. Por, ai zbuloi se inspektorët janë mjaftuar vetëm me deklarimin e pronarëve dhe nuk kanë kontrolluar në ç’gjendje janë bombulat apo çisterna 1 mijë litërshe, që ishte vendosur në bodrumin e restorantit, pa leje dhe jashtë kushteve teknike. Siç rezulton nga ky pohim, kontrollet e Inspektoratit Shteteror Teknik janë fiktive. Vetë drejtori thotë se kontrolli në çdo subjekt është i pamundur.
Në shkurt të 2016-ës, Inspektoriati Shtetëror Teknik paralajmëroi masa të ashpra për të gjithë shkelësit e rregullave të instalimit të pajisjeve me gaz, nisur nga një ngjarje e rëndë që ndodhi në fshatin Beragozhdë të Pogradecit, ku u plagosën 30 persona. Një vit e gjysmë më pas, asgjë nuk ka ndryshuar dhe përdorimi jashtë kushteve teknike i pajisjeve që mbajnë gazin e lëngshëm, vazhdon të shkaktojë viktima.

Shpërthimi, djali i pronarit të resortit niset për Turqi

Katër ditë pas ngjarjes së rëndë ku mbeti i lënduar nga shpërthimi në një lokal në Velipojë, familjarët kanë vendosur ta nisin për në Turqi, Hektor Zejnunin. Shefi i repartit të djegie plastikës në QSUT, Gjergji Belba konfirmoi se 33-vjeçari është lejuar të dërgohet për një mjekim më të specializuar. Edhe pse i djegur në 70% të trupit, sipas Belbës, i riu ishte në gjendje të stabilizuar. I ndërgjegjshëm, por plagët e shkaktuara nga zjarri e mbajnë akoma në një gjendje të rrezikuar për jetën. Zejnuni mësohet të jetë nisur mesditën e djeshme për në Turqi me shpenzimet e familjarëve.
I ati i tij, Besnik Zejnuni, ndërroi jetë mbrëmjen e së shtunës, pasi nuk i rezistoi djegieve. Për shpërthimin i cili lëndoi dhe 20 persona të tjerë Prokuroria nisi hetimet ndërsa sipas raportit të Inspektoratit Teknik shkak u bë rrjedhja e gazit në çisternën 1 000 litërshe.

Artikulli paraprakZjarr i madh në Llogara dhe në kodrat me ullinj në Elbasan
Artikulli tjetërMziu: Qeveria nuk jep leje mjedisore dhe nuk financon landfillin për mbetjet