INSTAT ka publikuar statistikat për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme për vitin 2016. Sipas statistikave punësimi në NVM ka shënuar një rënie me 0.3%. Rreth 81,0% e të punësuarve janë punësuar nga NVM nga 81,3% që ishte në vitin e kaluar. Sektori i tregtisë punëson 23,0% të NVM-ve, i ndjekur nga sektori i shërbimeve të tjera me 16,1% dhe sektori i industrisë përpunuese me 15,1%. Sektorët me numrin më të vogël të të punësuarve në NVM-të janë sektori i industrisë nxjerrëse me 1,3% dhe sektori i energjisë elektrike, ujit dhe menaxhimit të mbetjeve me 2,2%. 77,8% të shitjeve neto realizohen nga NVM nga 77,6% të realizuara vitin e kaluar. Sektori i tregtisë mbizotëron me 43,4% të shitjeve neto. I ndjekur nga sektori i ndërtimit me 8,9% dhe nga sektori i industrisë përpunuese me 8,6%. Sektori me përqindjen më të ulët të shitjeve të realizuara nga NVM-të është sektori i industrisë nxjerrëse me 1,3%. 74,9% të investimeve kryhen nga NVM.
Kjo përqindje është rritur krahasuar me vitin e kaluar ku NVM investuan 66,5%. Sektori me përqindjen më të lartë të investimeve të kryera në NVM-të është sektori i energjisë elektrike, ujit dhe menaxhimit të mbetjeve me 34,5%. Nga ana tjetër, sektori i industrisë nxjerrëse ka përqindjen më të ulët të investimeve prej 2,1%. 66,9% të vlerës së shtuar realizohet nga NVM nga 66,3% të realizuara një vit më parë. Sektori që zë përqindjen më të lartë në vlerën e shtuar është sektori i tregtisë me 19,7%, i ndjekur nga shërbimet e tjera me 12,5%, sektori i industrisë përpunuese me 10,4% dhe ndërtimi me 10,2%. Sektorët me përqindjen më të ulët janë sektori i industrisë nxjerrëse me 2,0% dhe sektori i energjisë elektrike, ujit dhe menaxhimit të mbetjeve me 3,4%. Nëntë nga dhjetë ndërmarrje punësojnë më pak se 5 punonjës. Ndërmarrjet me 250+ të punësuar edhe pse përbëjnë vetëm 0,1%, punësojnë 19,0% të punonjësve, kryejnë 25,1% të investimeve, realizojnë 22,2% të shitjeve neto dhe 33,1% të vlerës së shtuar.