Indeksi i rritjes së çmimeve i matur sipas metodës së Eurostat gjeti vlera më të larta se të inflacionit në muajin dhjetor 2019. Sipas kësaj metodologjie, inflacioni i dhjetorit ishte 1.4 %, ndërsa sipas INSTAT rritja ishte vetëm 1.1%.
Sipas metodës europiane, rritja më e madhe e çmimeve prej 3,3% vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike”, pasuar nga grupet “Argëtim dhe kulturë” me 2,0 %, “Pije alkolike dhe duhan”, me 0,7%,“Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji”,“Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje”, “Transporti”, “Hotele, kafene dhe restorante”dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,3 % secili, “Shëndeti” dhe “Shërbimi arsimor” me 0,2 % secili.
Nga ana tjetër çmimet e grupeve “Veshje dhe këpucë” dhe “Komunikimi”u ulën me 0,1%secili. Në muajin dhjetor2019, ndryshimi mujor i matur nga indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është 1,0%.
Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike”me 2,6%, pasuar nga grupet “Transporti” me 0,6 %,“Argëtim dhe kulturë” me 0,3 %, “Veshje dhe këpucë”, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,2 % secili.
Nga ana tjetër çmimet e grupeve “Pije alkolike dhe duhan” dhe “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” u ulën respektivisht me 0,3 % dhe 0,2 %.Rritja mesatare vjetore e indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit në vitin 2019është 1,7%.
Për të ndihmuar hartimin e politikave dhe për të realizuar një krahasueshmëri sa më të mirë me vendet e tjera, në bashkërendim me Eurostat, INSTAT ndërmori hapa në drejtim të krijimit të një baze të përbashkët metodologjike të shteteve anëtare për ndërtimin dhe përdorimin e IHÇK-së, sipas Rregullores së Këshillit Europian (KE), nr. 2494/95, të datës 23 tetor 1995.
Inflacioni i Eurozonës matet mbi bazën e treguesit të IHÇK-së. Termi “i harmonizuar” nënvizon faktin që të gjitha vendet e BE-së zbatojnë të njëjtën metodologji në matjen e treguesit përkatës.
Ndryshimet e kontributit nga një tregues në tjetrin lidhen me faktin se kompozimi i peshave të mallrave brenda grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” është i ndryshëm nga një tregues në tjetrin.
Kështu, brenda këtij grupi, nëngrupi “Fruta – Perime”, ka një peshë më të madhe te shporta e IHÇK-së (12.84% e shportës totale) sesa tek ajo e IÇK-së (8.44% e totalit).
Për shkak të këtij ndryshimi, kontributi i këtij grupi mallrash te totali është i barabartë me 2.5 pikë përqindje në rastin e treguesit IHÇK dhe me 1.2 pikë përqindje në rastin e IÇK-së. Ndryshime të vogla në kontribute vihen re edhe në disa grupe të tjera, por jo në madhësinë e ndryshimit të rastit të mësipërm.
Në përfundim, nëngrupi “Fruta-Perime”, ka krijuar 1.3 pikë përqindje ose më shumë se 80% të diferencës së inflacionit të matur sipas dy treguesve (3.84% kundrejt 2.38%). Zërat e shportave përkatëse në rastin e Shqipërisë. iÇK-ja përmban 332 zëra; iHÇK-ja përmban 331 zëra (qiraja e imputuar nuk është element i shportës).
IÇK-ja mbulon vetëm shpenzimet familjare private shqiptare të kryera, brenda territorit të vendit. Burimi kryesor i të dhënave për shpenzimet (“peshat”) është Anketa e Buxhetit të Familjeve (ABF); iHÇK-ja mbulon të gjitha shpenzimet e kryera brenda territorit të vendit nga familjet shqiptare, si dhe shpenzimet e vizitorëve rezidentë dhe jorezidentë. Burimi kryesor i të dhënave për shpenzimet (“peshat”) janë Llogaritë Kombëtare “Shpenzimet Monetare të Konsumit Final të Familjeve (HFMCE)”.