INSTAT: Tirana njohu rritje ekonomike në drejtimin e Bashës

Ka qenë Tirana ajo që ka udhëhequr rritjen ekonomike në vitin 2014, sipas INSTAT, që ka publikuar Prodhimin e Brendshëm Bruto sipas Rajoneve Statistikore në Shqipëri. Në vitin 2014, sipas rajoneve statistikore niveli 1 (Republika e Shqipërisë), PBB me çmime korente ishte 1.394,4 miliardë lekë duke shënuar një rritje prej rreth 1,83% krahasuar me vitin 2013. Në vitin 2014, në rritjen prej 1,83% të PBB-së në terma reale ndaj vitit 2013, kontributi sipas rajoneve statistikore niveli 3 (Qarqet) paraqitet si më poshtë: Kontributin më të madh në rritjen ekonomike për vitin 2014 e pati Qarku Tiranë me +1,36 pikë përqindje. Më tej, kontribut të lartë ka dhënë Qarku Fier me + 0,59 pikë përqindje dhe Qarku Lezhë me +0,17 pikë përqindje. Kontributin më të ulët në rritjen ekonomike e ka dhënë Qarku Shkodër me -0,24 pikë përqindje, i pasuar me Qarkun Kukës me një kontribut prej -0,16 pikë përqindje dhe Qarkun Korçë me një kontribut prej -0,07 pikë përqindje. Në vitin 2014 sipas rajoneve statistikore niveli 2, në rajonin qendër, PBB me çmime korente ishte 632,2 miliardë lekë ose 45,3% ndaj totalit të PBB-së. Krahasuar me vitin 2013, për rajonin qendër PBB në terma reale shënoi një rritje prej 3,1%. PBB me çmime korente në rajonin jug ishte 438,5 miliardë lekë ose 31,5% ndaj totalit të vendit. Krahasuar me vitin 2013, në rajonin jug PBB në terma reale u rrit me 2,1%. PBB me çmime korente në rajonin veri ishte 323,7 miliard lekë ose 23,2% ndaj totalit të PBB-së. Krahasuar me vitin 2013, PBB në terma reale në rajonin veri shënoi një rënie prej 0,8%. Në krahasim me vitin 2013 struktura e PBB-së, niveli 2 nuk ka patur ndryshime të rëndësishme. Sipas rajoneve statistikore niveli 3 (Qarqet) rritjen më të lartë e shënoi Qarku Lezhë me një rritje në terma realë prej 5,4%. Më tej me rritje më të lartë vijon Qarku Fier me një rritje në terma realë prej 4,5% dhe Qarku Tiranë me një rritje në terma realë prej 3,6%. Ndër qarqet me një rënie në totalin e ekonomisë paraqitet Qarku Kukës me një rënie në terma realë prej 6,9%. Më tej vjen Qarku Shkodër me një rënie në terma realë prej 4,4% dhe Qarku Korçë me një rënie në terma realë prej 1,1%.
Tirana dhe Fieri me të ardhurat më të larta për frymë
Në vitin 2014 niveli i PBB-së për frymë në rajonin statistikor nivel 1 (Republika e Shqipërisë) ishte rreth 482 mijë lekë. Krahasuar me vitin 2013 PBB për frymë u rrit me 3,39 %. Në rajonet statistikore niveli 2 në rajonin qendër, PBB për frymë ishte 577 mijë lekë ose 19,7% mbi mesataren e vendit, në rajonin veri 378 mijë lekë ose 21,5% nën mesataren e vendit dhe në rajonin jug ishte 466 mijë lekë ose dhe 3,3% nën mesataren e vendit. Niveli më i lartë i PBB-së për frymë sipas rajoneve statistikore niveli 3 (Qarqet) në vitin 2014 ishte Qarku Tirana me 665 mijë lekë ose 38,1% mbi mesataren e vendit dhe pati një rritje me 4,0% krahasuar me vitin 2013. Më pas renditen Fieri me 592 mijë lekë ose 22,9% mbi mesataren e vendit me një rritje prej 4,9% ndaj vitit 2013 dhe Gjirokastra me 498 mijë lekë ose 3,3% mbi mesataren e vendit me një rritje prej 4,0% ndaj vitit 2013. PBB për frymë për qarqet e tjera ishte nën mesataren e vendit, ku më e ulëta ishte ajo e Qarkut të Dibër me rreth 320 mijë lekë ose 33,6% nën mesataren e vendit. Më tej, me PBB-në për frymë më të ulët vijon Qarku i Lezhë me rreth 326 mijë lekë ose 32,3% nën mesataren e vendit, pasuar me Qarkun e Shkodër ku PBB-ja për frymë është rreth 336 mijë lekë, ose 30,4% nën mesataren e vendit.

Monitor

Artikulli paraprakBoateng te Las Palmas
Artikulli tjetërVapa “than” HEC-et, prurjet e lumenjve, më të ulëtat e disa viteve!