INSTAT: Turistë kemi plot, por nuk e dimë ku flenë

Numri i turistëve arriti rekordin historik vitin e kaluar, ku sipas INSTAT Shqipëria u vizitua nga 11 milionë e 700 mijë shtetas të huaj. Por ndonëse numri i raportuar i turistëve rritet vrullshëm, Shqipëria është mbërthyer në një paradoks. Në hotele flenë më pak se 20 për qind e tyre.

Sipas INSTAT, nga 11.7 milionë shtetas të huaj që vizituan Shqipërinë gjatë vitit 2024, vetëm 2.2 milionë prej tyre qëndruan në hotele dhe akomodime të ngjashme. Kjo shifër tregon se 80% e vizitorëve jo rezidentë zgjodhën apartamente me qira afatshkurtër, struktura informale, ishin vizitorë ditorë ose emigrantë që qëndrojnë në familjet e tyre.

Ndonëse është rritur, sërish numri i vizitorëve në hotele mbetet vetëm një fraksion i vogël i numrit të turistëve që raporton qeveria. Vitin e kaluar hotelet, bujtinat dhe të gjithë strukturat e tjera akomoduese raportuan gjithsej 4 milionë e 800 mijë netqëndrime në shkallë kombëtare nga turistë të huaj.

Nëse përfshin edhe netqëndrimet e raportuara nga apartamentet me qira afatshkurtra, kampingjet apo dhe rulotat numri total i netqëndrimeve nga të huajt për vitin e kaluar ishte 5 milionë e 230 mijë. Pra 0.45 netqëndrime për cdo vizitor të huaj.

paradoksi

Kjo do të thotë se vendi ka një shkallë të lartë informaliteti në strukturat akomoduese, por edhe industrinë e qirave afatshkurtra. Për bazë krahasimi, Greqia u vizitua vitin e kaluar nga 36 milionë turistë të huaj dhe raportoi 153 milionë netqëndrime. Ndërsa Kroacia u vizitua nga 21.3 milionë turistë të huaj dhe raportoi 108 milionë netëqëndrime.

Exit mobile version