Institucionet e Drejtësisë angazhohen për transparencë dhe luftë kundër korrupsionit

Nga Sabina Nika/ shteg.org

Institucionet e drejtësisë në Shqipëri, përfshirë Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) dhe Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion (SPAK), vijojnë përplasjen me Qeverinë, duke përdorur një mesazh të qartë për të sqaruar pozitat e tyre lidhur me akuzat dhe kritikat që kanë ardhur nga ana e kryeministrit Edi Rama.

Në një tryezë të organizuar për Demokracinë dhe Qeverisjen, drejtuesit e institucioneve kryesore të drejtësisë riafirmuan angazhimin e tyre në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke nxjerrë në pah progresin në transparencën e vendimeve dhe monitorimin e integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ata po ashtu theksuan se sistemi i kontrollit të pasurisë dhe monitorimit të gjyqtarëve dhe familjarëve të tyre është krijuar për të garantuar besueshmërinë dhe integritetin e institucioneve të drejtësisë.

Gjyqtari i Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO), Erjon Bani, theksoi se GJKKO, SPAK dhe BKH janë disa nga institucionet më të monitoruara në Shqipëri për shkak të ligjit të veçantë që zbatohet për to. Gjyqtarët dhe familjarët e tyre i nënshtrohen një kontrolli periodik të pasurisë dhe monitorimit nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave. Sipas tij, ky sistem është krijuar për të siguruar besueshmërinë e këtyre institucioneve dhe për të ruajtur integritetin e sistemit të drejtësisë.

Erion Bani, theksoi se integriteti i gjyqtarëve të këtij institucioni është i prezumuar, dhe çdo dyshim duhet të adresohet në organet përkatëse.

Ai sqaroi se përzgjedhja e gjyqtarëve të GJKKO kalon nëpër një proces kontrolli dhe filtri shumë më të thelluar krahasuar me gjyqtarët e tjerë të sistemit të drejtësisë.

Nga ana tjetër, kreu i SPAK, Altin Dumani, iu përgjigj kritikave të kryeministrit Rama për masat e sigurisë të vendosura për personat nën hetim. Rama kishte deklaruar mëngjesin e sotëm se nuk do të pranojë më arrestime pa gjyq nga SPAK.

Dumani e cilësoi këtë përpjekje për ta portretizuar SPAK si një institucion represiv si një “përpjekje të dështuar”. Ai sqaroi se masat e sigurisë që SPAK kërkon janë në përputhje të plotë me kriteret e Kodit të Procedurës Penale dhe se janë të bazuara në prova konkrete.

“E para në çdo masë sigurimi që ne kërkojmë, ne njohim mirë kriteret e kodit të procedurës penale dhe përpiqemi të jemi strikt për caktimin e masës së sigurimit. Çdo hetim ka dinamikën e vet, por përpjekja për të vendosur SPAK si një institucion represiv është një përpjekje e dështuar. SPAK ka publikuar numrin e përgjithshëm të paraburgosurve për llogari të SPAK në raport me numrin e të paraburgosurve në Shqipëri. Më pak se 9% dhe këta janë për vepra penale që lidhin me krimin e organizuar. Sa i takon veprave penale të korrupsionit dhe veprave të kryerja në detyrë, është gjithë gjeografia. 49% janë hetuar në gjendje të lirë, janë hetuar me masa arresti në shtëpi, ndalimi i jashtë shtetit”- deklaroi Domani duke iu përgjigjur në këtë mënyrë edhe sulmeve të artikuluara nga kryeministri Edi Rama.

Sipas kreut të SPAK “epoka e paprekshmërisë po lëkundet”, tha se hetimet kanë goditur edhe “grupe kriminale të përfshira në trafiqe ndërkombëtare të drogës, pastrimin e parave, organizatave kriminale”.

Ambasadori i BE, Silvio Gonzato, që ishte gjithashtu i pranishëm, riafirmoi mbështetjen e Bashkimit Evropian për institucionet e drejtësisë dhe theksoi rëndësinë e besimit të qytetarëve në reformën në drejtësi. Gonzato theksoi se, pavarësisht vështirësive, Shqipëria ka arritur rezultate të dukshme në luftën kundër krimit të organizuar, si dhe në përpjekjet për të adresuar krimin financiar dhe kibernetik.

“Do vazhdojmë punën me SPAK dhe me drejtësinë. Duhet të kemi besim tek arkitektura e reformës në drejtësi. Llogaridhënia dhe pavarësia qëndrojnë në thelb të çdo shoqërie demokratike.

Pavarësia duhet që të drejtpeshohet, si prsh rishikimi i pavarësisë. Të gjithë aktorët kanë rolin e tyre për të luajtur. Kemi parë rezultate në luftimin e krimit e organizuar, atë kibernetik dhe financiar. Do vazhdojmë t’i japim mbështetje reformës në drejtësi” – deklaroi ambasadori i BE, Silvio Gonzato.

Exit mobile version