Ish-ministri i Drejtësisë, Fatmir Xhafaj, në një intervistë për A2 është shprehur se socialistët nuk kanë kërkuar mbështetje nga drejtësia për Komisionin e Posaçëm Antikorrupsion.
“Nuk kemi pse t’i kërkojmë mbështetje publike Prokurorisë së Posaçme, Prokurorisë së Përgjithshme. Ky është një keqinterpretim. Ne nuk u kemi kërkuar të përfshihen te grupet e ekspertëve. Natyrisht nuk do të kishte asgjë të keqe që ne t’i thërrisnim dhe të na tregonin edhe ata problematikat, siç bëjnë në raportet që përpilojnë çdo vit. Vetë institucionet e drejtësisë kanë propozuar 200 nene që ata mendojnë se duhet të ndryshojnë. Prandaj duhet një diskutim me vetë njerëzit e drejtësisë, me të gjithë profesionistët dhe më pas në Kuvend” – u shpreh Xhafaj.
Ndryshe nga çfarë thotë Xhafaj, në projekt-vendimin për ngritjen e këtij komisioni të propozuar nga kryeministri Edi Rama, në pikën 8 të tij thuhet se pranë këtij komisioni do të ngrihen edhe grupe pune me ekspertë përfaqësues nga institucionet e drejtësisë.
“VIII. Pranë Komisionit të Posaçëm, për të realizuar një proces sa më gjithëpërfshirës e transparent, do të ngrihet dhe funksionojë grupi i punës i ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë me përfaqësues të propozuar nga institucionet e drejtësisë, institucionet e pavarura dhe agjensitë ekzekutive ligjzbatuese, administrata publike, bota akademike, universitetet publike dhe jopublike, institute e organizata të shoqërisë civile dhe medias, si edhe organizata të sipërmarrjes, etj.” – thuhet në projektvendim.
Por deklarata e deputetit të PS njëherësh, vjen në një kohë kur asnjë institucion i drejtësisë nuk ka çuar ekspert në këtë komision. Madje SPAK është shprehur se nuk ka arsye për të dërguar ekspertë, pasi të gjitha problemet ligjore në lidhje me rritjen e efikasitetit të SPAK janë bërë publike në raportin vjetor. Gjithashtu edhe Këshilli i Lartë i Gjyqësorit, Gjykata e Lartë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe Prokuroria e Përgjithshme deri më sot nuk kanë dërguar ekspertë./VNA.AL