“Institucionet mos flenë gjumë”- Erozioni ‘përpinë’ plazhin e Shëngjinit dhe Kepin e Rodonit! Ekspertët: Duhet të ndërtohen barriera mbrojtëse

EMISIONI VETTING

PLAZHI I SHËNGJINIT

Peshkatari Prek Nika e mban mënd bunkerin brenda pyllit, ai thotë se ky bunker i ndërtuar nga ushtria gjermane gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndodhej në mes të pyllit, por sot e shikon të zhytur në det. Vetëm pak metra më larg bregut ndodhet banesa, restoranti dhe shtëpitë e “pushimit” për turistët, nëse nuk ndalohet erozioni detar ka rrezik që pronat e Prek Nikës të përmbyten nga deti pas pak vitesh.

Sipas Nikës:“Këtu dëmet janë ta pabesueshme nga askush që kur unë i mbyll sytë dhe i hap them: ‘Si ka mundësi që të ketë arritur në këtë gjendje?’. Unë e mbaj mend atë bunkerin, ai ka qenë rreth 200 metra në brendësi të pyllit ka qenë vendkomanda e gjermanëve. Që prej viteve 1990 e deri më tani ka qenë një erozion i paparë. Këtu hynë dy lloje rrymash sipas specialistëve, një rrymë veriore, hynë dhe përplasen këtu. Dora tjetër është edhe njeriu shikojeni si është bërë. Shikojeni si i kanë hequr dunat e rërës, shikoje aty si ka hyrë drejtë dallga dhe ka marrë”.

Fran Marku, tregon se erozioni i vazhdueshëm i vijës bregdetare ka shkaktuar dëme serioze ekonomike, në toka bujqësore, pyje dhe bregun me rërë të “gllabëruara” nga deti. Për këtë problem Fran Marku bën përgjegjës njerëzit dhe institucionet.

Sipas Markut “Erozioni ka bërë dëme shumë të mëdha pas viteve 1991, duke mos funksionuar shumë gjëra. Prerja e pyjeve, bllokimi i kanalizimeve, mos ardhja e dragës e cila çdo vit thellonte detin ka një përparësi shumë të madhe. Për tu ndaluar ky fenomen është e domosdoshme me gjithë vlerat që kryetari i bashkisë ka bërë shumë punë, po ia adresojë kryetarit të bashkisë të marrë masë urgjente për vendosjen e disa skalierave sepse po të vijë draga të thellojë është gjë më e mirë, vënë më pak skaliera. Me këto kushte që kemi edhe 4-5 vite këtu nuk do të ketë plazh, ka marrë deri mbi 100 metra, siç e shikon pjesa këtu me rërë ka shkuar në një nivel me detin. Pra me një baticë, sepse batica të paktën dy herë në vit mund të përmbytet komplet kjo zona dhe këtu nuk do të funksionojë më asgjë. Marrja e masave sa më shpejtë është më mirë.”

debb2426-32a4-41e9-88b2-220acd6cb6b2

Disa vite më parë deti ndodhej 150 metra larg, ndërsa sot niveli i ujit ka ardhur fare pranë banesave dhe bizneseve. Duke e zvogëluar ndjeshëm hapësirën me rërë ku mund të qëndrojnë pushuesit. Ndërsa pishat që ndodhen në bregun e Shëngjinit janë dëmtuar nga erozioni detar, uji me kripë i ka dëmtuar rrënjët e tyre duke i dobësuar, më pas rrëzohen nga era e dimrit.

Sipas Endri Haxhiraj, Ekspert i Mjedisit:“përparimi i detit me këtë shpejtësi është veçanërisht i favorizuar nga trajta e relievit të bregdetit shqiptar që është kryesisht lagunore, që do të thotë një zonë që mbanë shumë lagështirë dhe për këtë arsye investimet e kryera në këto zona, pra në laguna që nga veriu në jug, veçanërisht zonat ku ndodhen vilat pranë bregdetit. Ka bërë që të jenë të rrezikuara për shkak të ujit dhe për këtë duhet të merren masa vërtetë serioze.”

Peshkatari Prek Nika tregon se zona që ndodhet nën uji, dikur ka qenë pyll i madh me pemë autoktone, ndërsa në ditët e sotme janë zhdukur duke ia lënë vendin ujit të detit. Ai drejton gishtin nga institucionet duke kërkuar që të ndërhyjnë për të parandaluar erozionin detar i cili ditë pas dite e vit pas viti ka zhdukur sipërfaqe të mëdha toke.

“Shikoje këtu ka qenë pyll i madh që nuk e shikoje dot qiellin, këtu ka patur vetëm pemë autoktone, lisa, frashër, vidh, të gjitha llojet e druve që mund të ketë patur zona fushore. Ka qenë një vend i paparë.

Dua ti bëj thirrje ministrisë së Turizmit dhe drejtorisë së Zonave të Mbrojtura që të mos flenë gjumë, mos të flenë gjumë sepse nuk iu mungon asgjë, as specialistët, as intelektualët, ka profesorë, ka inxhinierë të përsosur, kanë bërë alamet digash dhe hidrocentralesh dhe jo më këtu. Italia merr gurë në Kroaci dhe i vendos në det. Ne i kemi malet plotë me gurë dhe nuk bëjmë asgjë. Mendoj se një dallgëthyese do të bënte punë. Siç po shikon sot atë bunkerin atje, pas disa vitesh do të shikoni edhe atë rrugën atje,” thotë Prek Nika një tjetër banorë i Shëngjinit.

Ndërsa fajëson Ministrinë e Turizmit se nuk po merr asnjë masë për të parandaluar dëmet e erozionit detar. Nika ngre alarmin se “pas disa vitesh uji i detit do të arrijë deri tek rruga automobilistike dhe banesat e zonës aty pranë”, nëse nuk ndërhyhet në kohë, madje sipas tij edhe aktualisht ndërhyrja është shumë e vonuar.

“Zërin nuk ke ku ta ngresh tjetër përveçse tek mediat. Unë për këtë fajësoj vetëm Ministrinë e Turizmit, e cila zëre se nuk “ekziston” për sa i përket këtij problemi. Ministrja del në televizor dhe flet “jo shezlloni ashtu, jo kështu”, gjëra të mira janë edhe ato sepse nuk mund t’i thuash tjetrit aty mos u shtri në rërë se do të vendos shezllonat, por erozioni detar është problem më i madh. Vitin tjetër nuk do të kenë ku ti vendosin shezllonat, kanë për të dalë tek rruga në asfalt. Më vjen keq për atë rrugë aty sepse nuk do të kalojnë shumë vite do të shikosh sipër saj detin ose rërën,” u shpreh Prek Nika.

Në Shëngjin disa prej restoranteve dhe kafeneve që janë të rrezikuar nga erozioni detar kanë vendosur thasë të mbushur me rënë për të penguar ujin e detit që të mos përmbytë bizneset e tyre. Por jashtë kamerës së VETTING ata shprehen se bizneset e tyre janë dëmtuar për shkak të erozionit, por nuk flasin dot sepse ndihen të frikësuar se mund t’iu shembin kafenenë ose restorantet që i kanë pothuajse pak metra larg ujit.

b490bc4b-907b-4df2-942e-d67819cb0dd2

Sipas ekspertit të mjedisit Jak Gjini:“Këtu shikojmë që subjektet kanë menduar sot për sot, ku të gjejnë të fitojnë, por jo në perspektivë. Ndërsa si zgjidhje për t’u mbrojtur nga erozioni i detit, që po gërryen tokat, kanë gjetur vendosjen e thasëve me rërë. Ndërkohë që kur ka stuhi, dallgët e detit arrin në lartësinë e rrugës dhe në shumicën e rasteve shkakton dëme qoftë në infrastrukturë, por edhe në sipërfaqet e tokave përreth bregut të detit.”

KEPI I RODONIT

Kepi i Rodonit e ka marrë emrin prej perëndisë pagano-ilire Redon. Mendohet të ketë qenë stacion i flotës detare ilire. Shumë shekuj më pas prijësi i shqiptarëve Skënderbeu zgjodhi këtë vend si një shteg të lirë për të dalë në det pa u kushtëzuar nga venedikasit që kishin nën sundim gjithë vijën bregdetare.

Sipas historianëve, kalaja e Skënderbeut nisi të ndërtohej pas rrethimit të parë të Krujës. Muret e saj u përfunduan në 1452 nga mjeshtra venecianë që e ndërtuan me një gjatësi prej 400 metrash dhe me kulla të rrumbullakëta në majat e saj.

E konsideruar si perla sekrete bregdetit verior, e mbushu me histori, mite dhe legjenda antike, Kepi i Rodonit  ndodhet seriozisht në rrezik. Pjesa më e madhe mureve rrethues gjendet tashmë në det si shkak i erozionit të detit Adriatik. Nga rrënojat sot ka mbetur në këmbë një pjesë shumë e vogël e një kalaje gjigande. Diku reziston ende një pjesës e murit të jashtëm të kalasë.

c4bc0146-bb2d-4942-9120-b02f49902634

Vizitorët e Kepit nuk mund të rezistojnë pa shkuar pranë kalasë dhe rrënojave të saj nën ujë. Një monument kulture që përveçse i rrezikuar nga erozioni, dora e njeriut në Kalanë e Skënderbeut i ka humbur asaj dinjitetin që i takon më shumë se 500-vjecarë. Sipas dekanit të fakultetit të pyjeve, në Universiteti Bujqësor Kamëz, Ervin Toromani, “Në Kepin e Rodonit është më tepër një fenomen natyror sesa një fenomen i shkaktuar nga dora e njeriut. Aty është një fenomen ku bashkohet veprimi i ujit dhe erës. Erozini aty shkaktohet nga era që përplas dallgët e detit me bregun dhe me sipërfaqe toke bujqësore, por edhe me pemë. Është një problematikë, natyrisht duhet të adresohet, duhet të ndërtohen barriera mbrojtëse për të penguar avancimin e detit në sipërfaqe të tokave bujqësore dhe bregut që po gërryen vazhdimisht.”

Lehtësisht vihen re gjurmët e gërryerjes detare në fund të Kepit të Rodonit. Duke ecur pak metra me këmbë në këtë vijë bregdetare sheh dëmtimet që janë bërë nga “sulmi” i detit, ku bregu më rërë ngushtohet gjithnjë e më shumë ndërsa kodra gërryhet.

kepi i rodoni

LEXO EDHE: 

Artikulli paraprakSOT, ORA 12:00/ Shorti i Botërorit, ja çfarë rrezikon Shqipëria. Njihuni me skenarin më të lehtë dhe më të vështirë
Artikulli tjetërGënjeu për marrëdhëniet e biznesit të Hunter Bidenit, ish-informatori i FBI-së pranon fajësinë! Ja sa vite burg mund të dënohet