Instituti Kombëtar i Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore (IKRTK) rreth 30 vite nga krijimi nuk ja doli që të përfundojë regjistrimin e pasurive kulturore të Shqipërisë dhe për shumicën e kompetencave është jashtë funksionit me pretekstin se pret miratimin e akteve nënligjore.
Autor: Media Amfora
Një Vendim i Këshillit të Ministrave në vitin 1995 mundësoi krijimin e Qendrës Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore, që e nisi rrugëtimin si një projekt i Bankës Botërore, me qëllim dokumentimin e të gjitha pasurive kulturore të Shqipërisë.
Pas miratimit të ligjit të ri në vitin 2018, “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë”, ky institucion i kulturës u transformua në Institutin Kombëtar të Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore (IKRTK).
Misioni i tij lidhet me regjistrimin e trashëgimisë kulturore në pronësi private dhe shtetërore, si edhe mundësimin e lëvizjes së tyre në mënyrë zyrtare. Megjithëse është qëllimi bazë i Institutit, ai nuk ka mundur ende të krijojë një panoramë të plotë të pasurive kulturore në gati 30 vite.
“Nuk ka statistika zyrtare se sa mund të jetë totali i pasurive kulturore që ekzistojnë”, u përgjigj zyrtarisht Instituti Kombëtar i Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore (IKRTK). “Regjistrimi i pasurive kulturore është një punë që vijon që nga viti 1995”, shtoi përgjigja.
“Në rast se kjo vonesë është e pajustifikuar dhe nuk reflekton arsye objektive, mbështetur në parashikimet e Ligjit Nr. 27/2018, ‘Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë’, mund të themi se ka një mospërmbushje të detyrave të përcaktuara në këtë ligj…”, analizoi Eriselda Ndreca, juriste pranë Komitetit Shqiptar të Heksinkit.
Pasuritë kulturore në udhëkryqin e ligjit!
Instituti Kombëtar i Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore (IKRTK) që është në varësinë e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, ndër disa detyra më të rëndësishmet lidhen me regjistrimin e pasurive kulturore, përditësimin e regjistrit dhe përgatitjen e dokumentacionit për lëvizjen e objekteve kulturore të luajtshme.
“…IKRTK-ja ka për kompetencë të regjistrojë dhe të dokumentojë të gjitha pasuritë kulturore, materiale dhe jomateriale, si edhe pasuritë e peizazhit në pronësi publike e private në territorin e Republikës së Shqipërisë”, citoi përcaktimet ligjore juristja Ndreca.
Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) gjeti në shtator të vitit 2022 se nuk janë regjistruar të gjitha objektet që kanë klasifikimin “monument kulture”, krejt e kundërta nga sa përcakton ligji.
Sipas raportit të vitit 2022, “procesi i inventarizimit dhe vlerësimit të trashëgimisë kulturore materiale të paluajtshme nuk ka filluar ende, pavarësisht ekzistencës së Regjistrit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, kartelave të monumenteve të kulturës dhe detyrimeve që rrjedhin nga dispozitat e ligjit për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”.
Mungesa e regjistrimit jo vetëm për një pjesë të objekteve kulturore të luajtshme, ka krijuar shqetësime edhe për ato të paluajtshme.
“Pronësia shtetërore ka pësuar dëme gjatë metamorfozës së ndryshimeve me shumë godina shtetërore, si ish-Komiteti Qendror apo Shkolla e Partisë, etj.”, shpjegoi piktori Artan Shabani.
“Kujtoj se repartet ushtarake, shkollat, ish-ndërmarjet e mëdha, kanë qenë me vepra arti dhe me monumente, sot ato nuk kanë asnjë gjurmë nga regjistri historik”, shtoi Shabani.
Vonesa në përfundimin e fazës kryesore të këtij procesi nga IKRTK-ja cenon ruajtjen e identitetit kombëtar dhe në raste fatkeqësish natyrore si tërmeti i 26 nëntorit 2019, nuk krijon një bazë të dhënash teknike për rimëkëmbjen dhe restaurimin e tyre në rast dëmtimi.
“Procesi i regjistrimit të pasurive kulturore është i një rëndësie të veçantë për disa arsye, duke përfshirë ruajtjen e infrastrukturës dhe formës së tyre, mbrojtjen ligjore dhe promovimin e trashëgimisë kulturore dhe dëshmive historike…”, analizoi Eriselda Ndreca, juriste pranë Komitetit Shqiptar të Heksinkit.
Kategorizimi i pasurive kulturore është i gjerë, duke nisur nga veprat e artit, deri në dorëshkrimet e trashëguar, qofshin pasuri në pronësi shtetërore apo private.
“Duhet bërë një klasifikim i qartë se çfarë është pasuri kulturore dhe çfarë nuk konsiderohet e tillë. Në pasuri kulturore hyjnë edhe librat, volumet me vlera kombëtare, letra të shkrimtarëve, shtëpitë muzeale të Sali Shijakut apo Ismail Kadarsë…”, shpjegoi Artan Shabani, ish-drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve.
Një tjetër diemsion i pasurive publike janë peizazhet që janë trashëguar historikisht dhe kanë nevojë të regjistrohen dhe të mbrohen, por IKRTK-ja nuk ja ka dalë që të regjistrojë në 10 vitet e fundit asnjë “pasuri të peizazhit”.
“Nuk kemi asnjë proçedurë regjistrimi për pasuri të peizazhit në 10 vitet e fundit”, shpjegoi zyrtarisht për Median Amfora, Instituti Kombëtar i Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore.
Sipas ekspertëve në ligj përcaktohen qartë kriteret mbi të cilat pasuritë kategorizohen si pasuri peizazhi, por jo çdo qytetar mund të identifikojë një pasuri të tillë dhe në mungesë të regjistrimit si pasuri kombëtare mund të sjelli dëmtime të tyre.
“Peizazhi në të shumtën e rasteve është shkatërruar jo aksidentalisht, por për qëllime totalisht spekulative që lidhen me ndërtimet dhe me histerinë e një lloj zhvillimi pa kufi”, shpjegoi Artan Shabani.
Pasuri pa nam e nishan!
Në Shqipëri herë pas here autoritetet kanë ndaluar trafikantë të veprave të artit, një pjesë e të cilave dyshohet se janë vjedhur në parqet arkeologjike apo në objektet e kultit, duke dëshmuar rriskun e lartë për mungesën e çdo të dhëne nëse rast se këto objekte grabiten.
IKRTK nuk ka mundur që të përfundojë procesin e regjistrimit të pasurive kulturore që ruhen në muzetë e vendit dhe galeritë, tek personat privatë apo në institucionet e specializuara. Megjithëse ky autoritet ka për mision krijimin, ruajtjen dhe përditësimin e “Regjistrit Kombëtar të Pasurive Kulturore”, në formë elektronike dhe të shkruar, i cili përfshin të gjitha pasuritë kulturore, materiale dhe jo materiale.
“Nuk mundet të llogarisim se sa është në total numri i pasurive kulturore që ruhen në rrjetin e muzeve, në galeritë e artit, nga personat privatë, nga institucionet e specializuara vendore e kombëtare dhe nga bashkësisë fetare”, shpjegoi zyrtarisht Instituti.
Ndërsa një raport i siguruar nga Amfora tregon se ky institucion deri në prill të vitit 2021 për pasuritë në varësi të institucioneve shtetërore kishte regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Pasurive Kulturore 23.596 objekte, nga totali prej 100.000 objektesh.
“Nuk jam në dijeni për regjistrimin në shkallë kombëtare, por në rastin e (GKA) janë regjistruar të gjitha veprat e fondit dhe po ashtu ato që mungojnë gjatë periudhës para dhe gjatë viteve’ 90, ekziston lista përkatëse për secilën vepër, të cilat nuk janë kthyer nga institucionet publike”, shpjegoi Artan Shabani për rastin e Galerisë Kombëtare të Arteve, (GKA).
Pavarësisht regjistrimeve në nivel vendor apo sipas isntitucioneve të caktuara, Instituti duhet të jetë përmbledhësi i të gjitha pasurive kulturore në vend.
“Mungesa e regjistrimit të pasurive në vetvete, e konsideruar si mospërmbushje e ligjit, dikton të njëjtën qasje edhe për mungesën e një numri të saktë të pasurive kulturore”, analizoi juristja Ndreca.
Situata e krijuar, me të dhëna që shpërndahen sipas institucioneve lokale, në bazë të vullnetit të tyre, ka krijuar risk për ruajtjen e kujtesës kombëtare dhe cenon të dhënat e plota për objektet e artit apo të trashëgimisë kulturore, në rast se ato dëmtohen apo grabiten.
“Mos hedhja e të gjitha të dhënave që kanë të bëjnë me trashëgiminë kulturore materiale të paluajtshme në Regjistrin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore përbën risk konkret për trashëgiminë e kujtesës kombëtare të këtyre pasurive të paluajtshme…”, gjeti Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) në vitin 2022.
“Mos nisja nga ana e IKRTK e procesit të inventarizimit dhe vlerësimit të trashëgimisë kulturore materiale të paluajtshme, përveçse është në kundërshtim me ligjin, nuk siguron transparencë për institucionet e tjera të përfshira në të gjitha hallkat e sistemit kombëtar të kujdesit ndaj trashëgimisë kulturore”, shtoi raporti i KLSH-së.
Instituti ka publikuar një studim për objektet e vjedhura në Shqipëri në periudhën 1990-2016, titulluar, “Katalogu i objekteve kulturore të zhdukura 1990-2016”, publikuar në vitin 2018, por ndjekja e këtyre rasteve sipas IKRTK-së kërkon miratimin e akteve nënligjore.
Sipas institucionit mungesa e krijimit të paketës ligjore mbështetëse është bërë shkak për bllokimin në luftën kundër trafikimit të objekteve të trashëgimisë kulturore të vendit tonë.
Gjithashtu “Katalogu Kombëtar i Pasurive Kulturore” duhej të ishte një sistem informatik i përdorshëm nga publiku dhe specialistët e fushës, por sipas Institutit ai është ende në pritje të miratimit të akteve nënligjore që të vihet në funksion.
“Ligji dhe aktet nënligjore janë në pritje prej disa vitesh, nëse nuk sgaboj që nga viti 2017, Katalogu Kombëtar i Pasurive Kulturore duhet të jetë i aksesueshëm nga çdo bashki, ent kulturor dhe privat, ajo është pasuria jonë kombëtare dhe si e tillë duhet mbrojtur nga të gjithë”, analizoi Artan Shabani.
Kontrolli i Lartë i Shtetit i kërkoi Institutit që deri në qershorin e vitit 2023 të niste procesin e përditësimit të Regjistrimit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore.
“IKRTK, në bashkëpunim me institucionet e tjera të specializuara dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore, të nisin procesin e përditësimit të Regjistrit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, në veçanti, sa i takon monumenteve të kulturës”, rekomandoi pa sukses KLSH-ja.
Nga ana tjetër Instituti duhet të pajisi me licensë të gjithë personat dhe subjektet që eksportojnë objekte të trashëgimisë kulturore, por ai është ende në pritje të akteve nënligjore për të lëshuar licensat e eksportit të pasurive kombëtare kulturore dhe nuk ka ende një Regjistër Kombëtar të Licensave të Eksportit.
Gjithashtu Instituti nuk ka ende zyra rajonale dhe zyra të eksportit të pasurive kulturore të luajtshme, duke mbetur peng i mungesës së akteve nënligjore.
Në 10 vitet e fundit Instituti ka regjistruar 39.4462 pasuri kulturore të disa tipologjive, si në arte pamore, etnografi, arkeologji, arkiterkurë dhe trashëgimi kulturore jomatariale, në pronëri shtetërore, të individëve privatë dhe të institucioneve fetare.
Po, ende rreth 30 vite nga krijimi i këtij institucioni me mision krijimin, ruajtjen dhe përditësimin e Regjistrit Kombëtar të Pasurive Kulturore, në formë elektronike dhe të shkruar, nuk ka statistika zyrtare se sa mund të jetë totali i pasurive kulturore që ekzistojnë në vendin tonë.