Integrimi i Ballkanit Perëndimor mund të jetë iluzion

Argumentimi i Komisionit Evropian tingëllon bindës: “Ose ne eksportojmë stabilitet ose importojmë instabilitet”, e përmbledh rregullisht Komisari i Zgjerimit të BE, Johannes Hahn motivin e BE, për t’u dhënë gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor një perspektivë të qartë anëtarësimi. Ajo synon të jetë nxitje për reforma demokratike dhe ekonomike si dhe për zgjidhjen e konflikteve brendashtetërore. Ajo që nuk e thotë Komisioni, peshon të paktën po kaq shumë: BE dëshiron të kundërshtojë ndikimin në rritje të Rusisë dhe Kinës në rajon. Të dy synojnë të bëhen tërheqës me para dhe investime dhe në dallim nga BE ata nuk bëjnë pyetje të pakëndshme për gjendjen e shtetit juridik.

Lodhja nga zgjerimi është shumë e dukshme
Por kundër një anëtarësimi të plotë në një kohë të afërt flet jo vetëm rrethana që gjashtë shtetet në fjalë nuk i kanë bërë “detyrat e shtëpisë” që u kërkohen, por edhe arsye parimore – krejt të pavarura nga ritmi i reformave në Ballkan.
BE është për momentin tepër i zënë me veten, për të pasur fuqi për një raund të ri zgjerimi. Vetëm të folurit për një datë – Komisioni përmendi në rastin e Serbisë dhe Malit të Zi vitin 2025 – shkakton në shumë kryeqytete panik të vërtetë. Dhe kjo ndodh për arsye të forta.
Në raundet e fundit të zgjerimit, qenë në fund të fundit vendimet politike ato që i spostuan rezervat për mosplotësimin e parametrave për anëtarësim. Nga Rumania dhe Bullgaria për shembull sot do të qe kërkuar më shumë se atëherë kur u pranuan. Por ai që është njëherë anëtar i klubit, kundër tij thuajse nuk ke më mjete në duar. Ai përfiton nga të gjitha përparësitë e BE dhe është në gjendje të bashkëvendosë – edhe atëherë kur sjellja e tij të lë për të dëshiruar. Në rastin e qeverive në Poloni dhe Hungari mund të shohësh që sa e vështirë është për Brukselin që t’i detyrojë për sjellje të mirë shtetet anëtare.
Nacionalizmi në Ballkan është ndoshta problemi më i madh i tij. Komisioni shpreson që me një anëtarësim të shteteve në BE ai mund të mbahet nën kontroll. Por më shumë gjasa ka që atëherë ai vetëm se do të ishte BRENDA dhe jo më jashtë BE. Me rezultatin që Bashkimi Evropian do ta bllokonte veten edhe më shumë se tani pa të.

Bëhet edhe ndryshe
Nuk duhet harruar dallimi gjigand ekonomik: të gjashtë shtetet ndodhen ekonomikisht shumë më poshtë se mesatarja e BE dhe në këtë mënyrë do të ishin në mënyrë të vazhdueshme përfituese parash neto. Për paguesit e parave neto, anëtarësia në BE bëhet gjithnjë e më pak atraktive, sa më shumë përfitues janë. Parimi i solidaritetit në thelb është në rregull. Por mungesa e barazpeshës nuk duhet të jetë shumë e madhe. Veç kësaj, me një anëtarësim të plotë liria e lëvizjes do të çonte ndoshta në lëvizje të tjera migratore nga Ballkani në shtetet më të pasura të BE me sistemet e tyre të pajisura mirë të mbrojtjes sociale. Kjo është e kuptueshme nga këndvështrimi i njerëzve, por do ta nxiste edhe më tej armiqësinë kundër të huajve në Veri.
Çfarë rezulton nga e gjitha kjo? BE as nuk duhet ta lërë Ballkanin vetëm, as t’ia lërë ndikimit të Rusisë dhe Kinës. Synimi duhet të mbetet një lidhje e fortë. Megjithatë ajo nuk duhet të jetë anëtarësimi i plotë, por një partneritet nën këtë nivel, ngjashëm me shtetet e EFTA-s. Kjo do të thotë një bashkëpunim i ngushtë ekonomik edhe mbështetje e shumëanshme, por jo e drejtë bashkëvendosjeje në interesat e BE.
Ndoshta janë të shumtë ata kryetarë shtetesh që mendojnë kështu, por nuk e thonë deri tani. Në vend të kësaj, edhe në takimin e BE dhe të shteteve të Ballkanit u dëgjua avazi i vjetër, se shtetet me siguri që pas disa vitesh do të jenë pjesë e BE, por tani është shumë herët. Më e ndershme do të kishte qenë që të dyja palëve t’u jepej një perspektivë më realiste me horizonte konkrete kohore.

Artikulli paraprakTension dhe përplasje në Komisionin e Ligjeve për Xhafajn
Artikulli tjetërI arratiset policisë një i arrestuar për rrëmbim personi në Vlorë