Integrimin e zhbllokon largimi i Ramës

Nga Red VARAKU

Sa vjen e po bëhet gjithnjë e më e qartë se gjërat po degradojnë keq brenda një sistemi të sëmurë rëndë, i cili ka si dallim thelbësor nga komunizmi dhe të gjitha monizmat, rotacionin e pushtetit dhe të elitave.

Ndaj, ajo që do të shtjellojmë në këtë shkrim, është nevoja e largimit të Ramës, jo në emër të keq-qeverisjes apo korrupsionit kapilar që ka infektuar shoqërinë, por në emër të një diçkaje thelbësore, në emër të ruajtjes së demokracisë dhe vlerave perëndimore.

Në emër pra, të asaj, që e bën demokracinë liberale, një sistem ku zhvillohen zgjedhje të lira dhe jo zgjedhje fasadë. Një vend ku Opozita respektohet si ‘mrekullia’ e demokracisë dhe nuk luftohet barbarisht me çdo mjet për ta shfarosur. Një vend ku liritë dhe të drejtat e njerëzve mbrohen nga arroganca e qeverive dhe e politikës me anë të një pushteti gjyqësor të pavarur.

Pra, Rama duhet larguar, sepse me të në qeveri, nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe drejtësi të pavarur nga qeveria, që do të thotë, se nuk mund të ketë as demokraci dhe as shtet të së drejtës.

Që në ditët e para të qeverisjes, Rama u shqua si një diktatoruc që fillimisht donte të kapte pushtetin e drejtësisë nëpërmjet Reformës në Drejtësi dhe më pas, nëpërmjet saj të eliminonte Opozitën. Me këtë ai i bëri një të keqe të madhe Shqipërisë, që vështirë se do të rikuperohet dot.

Bëri që ajo të humbiste shansin e shkëputjes nga tradita e shëmtuar komuniste e partisë-shtet, që kontrollon dhe vendos për gjithçka. Në sajë të këtij devijimi, Shqipëria u rikthye edhe njëherë në vitin 1990, tek lufta për liri dhe demokraci.

Asgjësimi i Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, bëri që demokracia dhe shteti i së drejtës në Shqipëri të cënoheshin rëndë. Mungesa e drejtësisë ishte zhvillimi fatal, që ka larguar nga Shqipëria rreth 500 000 shqiptarë, që e ka bërë sot Shqipërinë një shtet aq të korruptuar, sa po bëhet gjithnjë e më e vështirë të ndash kufijtë mes mafies dhe politikës.

E keqja është se me kalimin e viteve, me ndërthurjen e lidhjeve mes politikës dhe krimit, Rama po përngjason gjithmonë e më shumë me udhëheqës të tjerë të korruptuar, të cilët duket që nuk do të largohen kurrë, por do të plaken në pushtet.

Tashmë nuk janë vetëm impulset autokratike, por edhe interesi për të penguar me çdo kusht, që një drejtësi e pavarur prej tij të godasë me forcën e ligjit, korrupsionin dhe skandalet e qeverisë së tij dhe klanit të tij politik, sepse goditja e tyre sjell njëkohësisht edhe rrëzimin e tij.

Një nga rrjedhojat më të pritshme të një pushteti që ka kapur gjithçka, do të qe sabotimi i hetimit dhe gjykimit të skandaleve, që prekin drejtpërdrejt kupolën e këtij pushteti, sidomos dosjet 184 dhe 339.

Shanset që këto gjykime, në sajë të presionit në rritje të një pushteti arrogant që “ka marrë votën e popullit”, të përfundonin në farsa, do të ishin maksimale. Zhvendosja në Dibër, e gjykimit të dosjes më të rëndë të krimit ekektoral 184, pjesë e të cilës është edhe vetë kryeministri, është ilustrimi më i shëmtuar i këtij argumenti.

Por, kostoja reale e pariparueshme është vrasja e frymës së vlerave perëndimore, thellimi i mosbesimit në mundësinë e barazisë së të gjithë njerëzve para ligjit.

Kapja e drejtësisë nga pushteti mund të bëjë që, për garniturë, të ndëshkohet edhe ndonjë ish-ministër kundërshtar ose jo i pushtetit, por ndërkaq të gjithë do ta dinë se ka në këtë shtet një klan ‘të paprekshëm’.

Kjo do të thotë vazhdimin e dhunimit të zgjedhjeve, vazhdimin e grabitjes së pronës publike nga njerëz me pushtet, më shumë krim, më shumë korrupsion.

Prandaj, të kërkosh largimin e Ramës sot nuk do të thotë të sjellësh në pushtet një ‘mrekulli blu’, por do të thotë, që të shmangësh nga pushteti një të keqe shumë të madhe, të shmangësh rrezikun e asgjësimit të demokracisë, të aspiratës për shtet ligjor me liri e të drejta të garantuara për qytetarët në Shqipëri.

Të mbështetësh largimin e Ramës do të thotë të mbash ende të hapur dyert e negociatave dhe perspektivën e integrimit në Bashkimin Europian.

Artikulli paraprakFuoristradat e zeza reprezalje nëpër rugë duke u vendosur gjoba pronarëve të linjave të autobusëve ndërqytetas
Artikulli tjetërBritani, Parlamenti voton kundër zgjedhjeve të reja