Inteligjencës Artificiale në prokurimet publike/ Ekspertët për BIRN: Përpjekje për të shmangur përgjegjësinë për korrupsionin e qeverisë në tendera!

Për ekspertët propozimi i kryeministrit Edi Rama për përfshirjen e Inteligjencës Artificiale në prokurimet publike është një përpjekje për të shmangur përgjegjësinë për korrupsionin e qeverisë së tij.

Kryeministri Edi Rama iu rikthye së fundmi një premtimi të vitit të kaluar për të përfshirë Inteligjencën Artificiale në procesin e prokurimeve publike. Në një prej daljeve publike, të cilën Rama e ka pagëzuar si ‘podcast’, ai këmbënguli se përfshirja e Inteligjencës Artificiale (AI), do të çonte afër zeros korrupsionin në tendera.

“Dhe nga ana tjetër neutralizojmë, s’po them zero, neutralizojmë në një masë shumë të madhe atë burim qelbi”, tha Rama ndërsa prezantonte idenë e tij dy të ftuarve.

Kryeministri ia vuri fajin për korrupsionin masës së madhe të njerëzve me mungesë kompetencash që përfshiheshin në tenderat publikë ndërsa tha se prokurimet ishin “pjesa më e neveritshme e qelbit të korrupsionit”.

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, AKSHI prokuroi në korrik të vitit që shkoi rreth 17 milionë lekë për “Digjitalizimi i proceseve të punës për Komisionin e Prokurimit Publik”.

Por ekspertë dhe njohës të politikës janë skeptikë dhe e shohin këtë ide më shumë si një alibi se sa një përpjekje e qeverisë për të korrigjuar problemet.

“Domethënë po synohet që pakënaqësinë e bizneseve dhe të qytetarëve në marrjen e këtij shërbimi publik ta kanalizojë si “punë makinerie (AI)”, por jo “vepër” e administratës së vet, domethënë të “sistemit” të krijuar prej tij”, tha Zef Preçi, drejtor ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike.

Të njëjtin mendim ndan edhe Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit për Studime Politike.

Ai thekson se me përdorimin e Inteligjencës Artificiale në procesin e prokurimit publik po tentohet të krijohet një “alibi e re për zyrtarët e korruptuar”.

Peshku qelbet që në propozim

Sipas organizatës Transparency International (TI) niveli i perceptimit të korrupsionit në Shqipëri mbetet i lartë. Sipas indeksit të perceptimit të korrupsionit të publikuar nga TI, Shqipëria renditet e 98 nga 180 vende në vitin 2023.

Në analizën vjetore të prezantuar së fundmi, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) bëri me dije se hetimet kishin zbuluar skema korrupsioni që në gjenezën e një tenderi publik.

“Veprimet korruptive mund të nisin që në fazën fillestare, pra të çeljes së fondit nga autoritetet kontraktore për projektin në fjalë, dhe për të vijuar më pas me akte dhe vendime, të cilat ndiqen nga titullari i autoritetit kontraktor”, shkruan SPAK.

Në raport SPAK bën me dije se hetimet e kryera kanë gjetur përfshirje të drejtpërdrejte të funksionarëve të lartë publikë në këto afera, të cilat fillojnë pa pasur ende procedura të shpallura duke i bërë fituesit të paracaktuar.

“Vihen re, ndërhyrje të drejtpërdrejta të funksionarëve të lartë publik, të cilët negociojnë paraprakisht, qoftë pa u shpallur procedura e tenderit/konçesionit me subjektin juridik, i cili më pas do të shpallet fitues”, shkruhet në raport.

Për ekspertët që i njohin zhvillimet në vend, ky mekanizëm nuk është i ri dhe ai nuk mund të korrigjohet me digjitalizim apo me përdorimin e Inteligjencës Artificiale.

“Një nga dështimet kryesore ka qenë hartimi i ligjeve dhe vendimeve specifike për oligarkë dhe klientë të politikës, shumica e atyre që quhen projekte të mëdha zhvillimi janë dhënë paraprakisht për firma dhe kompani – siç ka rezultuar në skandalet e kohëve të fundit, të krijuara posaçërisht për të fituar tendera të tillë dhe prokurime të tilla”, tha Afrim Krasniqi.

Rigels Xhemollari, drejtor ekzekutiv i organizatës Qëndresa Qytetare, po ashtu beson se mekanizmat nuk janë domethënës sa kohë që njerëzit pas tyre mund t’i përdorin ato.

“Mendoj që qeveria e ka kapur mbrapsht këtë çështje,” tha ai. “Këtu problemi nuk është procesi, por parandalimi i vjedhjes së fondeve nga tenderat publikë,” shtoi Xhemollari.

Për Zef Preçin, përdorimi i Inteligjencës Artificiale edhe në prokurime është një mundësi e të ardhmes, por ai gjithashtu beson se problemi qëndron te njerëzit pas sistemit.

“Por në çdo rast, mbas makinës edhe më të sofistikuar, duke përfshirë sistemet që mundësojnë dërgimin e anijeve kozmike në kozmos, qëndron dija dhe truri njerëzor, d.m.th termi “artificiale” është gjithnjë në rol ndihmës”, tha ai, duke lënë të kuptohet se përgjegjësia për të parandaluar korrupsionin i mbetet përfaqësuesve të qeverisë.

Inteligjenca Artificiale si alibi

Edhe për përfaqësues të opozitës propozimi është më shumë një përpjekje propagandistike e qeverisë, pasi korrupsioni në vend nuk është i atillë që mund të rregullohet me mekanizma kompjuterik.

“Ajo që po lexojmë sot, në të gjitha rastet e hetimeve të SPAK nga ministrat, zv.kryeministrat, sekretarët e përgjithshëm dhe deputetë është niveli i korrupsionit të kapjes së shtetit”, tha Jorida Tabaku, deputet e Partisë Demokratike.

Tabaku theksoi se qeveria i ka tashmë mjetet dhe informacionin inteligjent që tregon problemet në tenderat publikë. Duke iu referuar platformës online ‘Open Data Albania’, ajo tha se 40 për qind e tenderave aty shënohen me ‘flamuj të kuq’, që sinjalizojnë probleme të konkurrencës apo të ngjashme, megjithatë për këtë nuk merren masa.

Duke iu referuar arrestimeve të zyrtarëve të lartë me akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit, deputetja demokrate ironizon se qeveria as e merr mundimin të auditojë veten, siç do të bënte një kompani e thjeshtë, por shpik propagandë për të shmangur përgjegjësitë.

“Deri më sot SPAK ka arrestuar një seri zyrtarësh shumë të lartë dhe deputetë, zv.kryeministri është në kërkim ndërkombëtar dhe drejtorë të fuqishëm në bashkinë e Tiranës janë arrestuar, por edhe tek ARRSH,” tha ajo.

“Pyetja që ngrihet është se nëse kjo qeveri ka nisur një hetim të thellë brenda vetes së saj për të kuptuar se përse ka plasur kaq keq uji i pisët i korrupsionit,” shtoi Tabaku.

Si alibi e shikon propozimin edhe Zef Preçi. Ai thotë se pas lëvizjes dhe propozimit është një përpjekje për të fshehur aktorët e vërtetë të korrupsionit.

“Në vlerësimin tim, mbas kësaj lëvizjeje fshihet një përpjekje për të të thënë se edhe qeveria, që në fakt është shkaku i vërtetë i korrupsionit dhe keq-përdorimit të fondeve publike, është e shqetësuar dhe se po tenton të gjejë një zgjidhje”, tha Preçi.

Ai thotë se ajo që do të rezultojë është zhvendosja e fajit nga abuzuesit – “pjesëtarë të elitës qeverisëse edhe zotit Rama me mollët e dardhat që marrin prapa shpinës së tij” tek e ashtuquajtura Inteligjencë Artificiale.

Afrim Krasniqi i tha BIRN se përveç se si alibi ndryshimi i sistemi pa analizuar dështimin e atij të mëparshëm nuk jep asnjë garanci se do të funksionojë.

“Oferta e re është gjithashtu e pamjaftueshme dhe pa asnjë garanci se do të ketë më shumë sukses se sa mënyra tradicionale e kryerjes së prokurimeve publike”, tha Krasniqi.

Duke iu referuar sistemit aktual të prokurimeve, ai theksoi se para se të flitet për sistem të ri, dikush duhet të mbajë përgjegjësi institucionale, publike dhe politike për sistemin aktual që po cilësohet si një lloj eksperimenti i dështuar./BIRN

Artikulli paraprakErvis Iljazaj për akuzat e Ilir Metës ndaj SPAK: Strategji politike, kërkon të shpëtojë çfarë është e mundur
Artikulli tjetërKu po flenë turistët në Shqipëri? Vetëm 22% zgjodhën hotelet