Tjetër fitore e Interit në International Champions Cup. Zikaltërit, pasi arritën të fitonin përballë Bayernin të Mynihut, të njëjtën gjë bënë edhe ndaj Chelsit të Antonio Conte, duke i mposhtur ata me rezultatin 2-1. Një pjesë e parë e ndarë me dy fytyra, me skuadrën e Luciano Spalletit, të cilët në 20 minutat e para e dominuan kundërshtarin më pas ishin “Blutë e Londrës” ata që balancuan disi lojën. Goli i epërsisë vjen në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë. Faulli i shkaktuar në zonë nga ana e Azpilicueta, bën që zikaltërit të fitojnë një 11-metërsh.
Nga pika e bardhë niset Stefan Jovetiç, me Cortua që arrin të presë në fillim topin, më pas malazezi në tentativën e tij të dytë arrin të dërgojë skuadrën e tij në avantazh. Fraksioni i dytë i lojës sheh sërish Interin dominant ndaj kampionëve të Anglisë dhe në të 54, zikaltërit arrijnë të dyfishojnë rezultatin me anë të kroatit, Ivan Perisiç. Chelsi nuk arrin dot të gjejë fundin e rrjetës, por për të realizuar një gjë tillë kujdeset mesfushori Kongogbia, i cili në të 74, me një pasim të kthyer prapa realizon autogolin më të bukur të vitit. Blutë e Londrës mund të kishin barazuar rezultatin, por goli i Batshuayi është i pavlefshëm, pasi sulmuesi ndodhej në pozicion jashtë loje. Kështu Interi regjistron një tjetër fitore përballë një kundërshtari të vështirë.