Inter “blindon” Perisiç, rinovon deri më 2022

Pas një fillim kampionati për t’u duartrokitur, Ivan Perisiç është gati për të zgjatur bashkëjetesën me zikaltërit e Interit deri në vitin 2022, me një pagë që tashmë kap shifrën e 4.5 milionë eurove, por që nuk ka të përfshirë asnjë klauzolë. Një pagë e njëjtë me atë të Icardit, që i shkon për shtat lojtarëve të mëdhenj e që e trajton si një super futbollist kroatin Perisiç. Këta dy lojtarë janë emra të rëndësishëm që Interi ka dashur t’i barazojë edhe në çështje financiare.
Një gol e një asist ndaj Fiorentinës, dy asist në ndeshjen me Romën, Perisiç është një vlerë e shtuar në Interin e Spalletit, që tashmë ka si objektiv ta sintonizojë 28-vjeçarin me frekuencat zikaltër për të krijuar me të një pikë të fortë të projektit të tij e që lë kështu në hije edhe thirrjen që Mourinho e Manchester United prej kohësh i bëjnë sulmuesit të krahut. Në vend të largimit kroati zgjodhi të qëndrojë, duke firmosur kontratën e zgjatur që i njeh atij meritat si një element shumë i rëndësishëm. Inter e vlerësonte Perisiç me të paktën 55 milionë, por progresi i tij konstant ia rrit automatikisht vlerën e kartonit. Italianët i dërgojnë kështu edhe një mesazh Mourinhos që edhe pse u dogj në verë në tentativën për të marrë shërbimet e kroatit, sërish insiston për të arritur tek ai. Perisiç është interist deri në vitin 2022.

Exit mobile version