Inter mban Icardin, sakrifikon Brozoviç

Interi e ka ngushtuar në 6 pikë diferencën nga Roma e vendit të tretë, në garën për biletën e fundit në Champions League. Në rast të mos arritjes së objektivit, te zikaltërit nuk ka dyshime: një emër i madh i skuadrës do të sakrifikohet, për të mbajtur në ekuilibrat e kërkuar bilancin financiar të klubit.
Sipas përllogaritjeve, bilanci i klubit për vitin 2017 pritet të mbyllet me 50 milionë euro minus, por shifra që duhet marrë si bazë për fair play-n financiar është që humbje në nivelin e 30 milionë eurove. Kjo e bën të detyrueshëm shitjen e një emri të rëndësishëm. Por, me Mauro Icardin që cilësohet ikona e klubit, shitja e sulmuesit argjentinas do të përkthehej në një autogol në sytë e tifozëve. Kjo është arsyeja, përse te Interi nuk duan të heqin dorë nga kapiteni i skuadrës.
E vështirë duket edhe shitja e portierit Samir Handanoviç. Ashtu siç ndodhi edhe gjatë merkatos së kaluar, për aq kohë sa Thohir pretendon të fitojë nga 12 deri në 15 milionë euro për gardianin, largimi i sllovenit duket thuajse i pamundur.
Në këtë rast, lojtari më i lehtë për t’u sakrifikuar që financat e klubit të jenë brenda rregullave të vendosura nga UEFA është Brozoviç. Edhe pse trajneri Mançini dhe drejtori sportiv, Ausilio shpresonin që nuk do të ishin të detyruar të hiqnin dorë nga asnjë prej titullarëve, shitja e kroatit duket e paevitueshme.
Për më tepër që për shërbimet e Brozoviç interesohet Arsenali dhe nga kjo lëvizje, zikaltërit do të përfitonin një shifër që varion në 20 deri në 25 milionë euro. Edhe pse Mançini e cilëson 23-vjeçarin si mesfushorin më të mirë të skuadrës, kroati është ai që mund të sakrifikohej më lehtësisht në merkato.

Exit mobile version