Një epokë e re fillon për Interin. Numri 1 i klubit zikaltër Erick Thoir është shumë pranë mbylljes së marrëveshjes për kalimin e aksioneve tek kinezët e Suning Group. Kështu pronarët e rinj të klubit zikaltër ndonëse kanë mundësi të mëdha financiare, duhet të tregohen të kujdesshëm në merkato, sepse duhet të respektojnë rregullat e fair play financiar dhe për të shpenzuar duhet të largojnë nga radhët e ekipit disa futbollistë.
I pari që mund të bëjë gati valixhet është portieri Handanoviç edhe pse Slloveni ka firmosur një kontratë që e mban atë të lidhur deri në vitin 2019 me Interin, 31-vjeçari kërkon që sezonin e ardhshëm të aktivizohet në Champions League. Kështu nëse në dyert e klubit italian paraqitet një ofertë e mirë, lamtumira duket e pashmangshme. Murillo dhe Brozoviç gjithashtu janë në listën e futbollistëve që mund të largohen. Për të parin interesohet Leicester, ndërsa për mesfushorin kroat, Arsenali është i gatshëm të ofrojë 25 milionë euro.
Financat duket se nuk do të jenë një problem për trajnerin Roberto Mançini dhe nisur nga ky fakt ai ka bërë gati një listë me futbollistët që kërkon të ketë në dispozicion për sezonin e ardhshëm. Yaya Toure dhe Antonio Candreva. Për italianin e Lazios, presidenti Claudio Lotito kërkon 25 milionë euro, ndërsa për Toure ende nuk ka asgjë konkrete. Por, marrëveshja me Sunign Group mund të afrojë tek zikaltërit dhe futbollistë të tjerë. Ish-mesfushori i Chelsea, Ramires si dhe Alex Teixeira. Shumë emra në dalje, por edhe në hyrje, tek Inter dhe nëse një pjesë e madhe e planeve realizohen, tifozët zikaltër mund të shpresojnë se sezoni i ardhshëm mund të jetë më i mirë se ky që lamë pas.