Inter nuk heq dorë nga Icardi

Icardi do të vazhdojë të jetë pjesë e Interit për një kohë më të gjatë. Sulmuesi argjentinas shumë shpejt do të firmosë kontratën e re me klubin zikaltër deri në vitin 2021, zyrtarizimi i së cilës do të bëhet brenda periudhës 11-18 shtator. Sipas asaj që publikohet te e përditshmja “Gazzetta Dello Sport”, kontrata e re e Icardit do të shoqërohet edhe me një rritje të pagës së tij në 5 milionë euro, për t’u bërë një prej futbollistëve më të paguar të Serisë A.
Në të njëjtën kohë, në këtë marrëveshje të re mes futbollistit është përfshirë edhe një klauzolë zgjidhjeje kontrate që kap shifrën e 110 milionë eurove. Ajo që i mbetet Icardit për të bërë tashmë është që të fitojë zemrën e tifozëve të Interit, por edhe besimin e trajnerit të ri të përfaqësueses argjentinase Edgardo Bauza.
Mediat italiane kanë zbuluar një prapaskenë interesante në lidhje me merkaton e Interit. Mësohet se gjatë merkatos verore, klubi zikaltër i ka prezantuar Romës një ofertë për mesfushorin Radja Naingolan, duke u ofruar kryeqytetasve 45 milionë euro për të siguruar shërbimet e lojtarit.
Mirëpo, përgjigjja e verdhekuqve ka qenë negative. Flitet se menaxheri i futbollistit i dha dritën jeshile Interit për të nisur tratativën, por drejtori sportiv i Romës, Valter Sabatini, frenoi gjithçka që në start, duke i bërë të ditur klubit milanez se Naingolan është i pashitshëm.

Kapitulli Brozoviç

Një emër shumë i lakuar në shtëpinë e Interit gjatë merkatos verore ka qenë ai i kroatit Marselo Broziviç, marrëdhënia e të cilit ka qenë shumë e komplikuar me klubin zikaltër. Pas një periudhe të gjatë heshtjeje erdhën mosmarrëveshjet e para dhe dukej se 23-vjeçari po mendonte largimin.
Si fillim, ai ndërroi menaxhim, duke u bërë pjesë e “Doyen Sports Group” (pa lajmëruar klubin), çka acaroi drejtuesit zikaltër. Interi kërkonte 25 milionë euro për lojtarin, por asnjë ekip nuk ishte i gatshëm ta paguante atë shumë dhe tashmë duket se gjërat janë kthyer 180 gradë, teksa ai pritet të rinovojë kontratën me klubin.
Kur interesi i Çelsit u zhduk gjatë mesit të gushtit, Brozoviç kuptoi se e ardhmja e tij do të ishte më e sigurt në klubin aktual dhe Interi vendosi të ulej me lojtarin për të folur për rinovimin e kontratës. Tani, kroati pritet që të nënshkruajë një kontratë deri në 2021, me një rrogë 2.7 milionë euro plus bonuset në varësi të paraqitjes së tij.
Gjithashtu, do të ketë një klauzolë 50 milionë euro për çdo ekip që kërkon ta blejë dhe kjo vlen vetëm për ekipet jashtë Italisë, teksa zikaltrit nuk duan ta shesin te rivalët vendës. Frika më e madhe është ndërhyrja e Juventusit, teksa ka qenë menaxheri i lojtarit Miroslav Bakaniç, i cili, gjatë një interviste për mediat italiane, konfirmoi interesimin e klubit bardhezi për Brozoviçin.
“Është e vërtetë që jemi në bisedime me Interin për të rinovuar kontratën. Marselo e njeh mirë qytetin dhe i pëlqen shumë të luajë për Interin. Kontrata e re do t’i japë më shumë qetësi, pasi tani do të jetë i përqendruar vetëm në fushën e lojës.
Brozoviç po stërvitet mirë dhe është vënë në dispozicion të trajnerit De Bër. Shpresoj që ai të marrë maksimumin nga futbollisti, i cili mund të bëjë diferencën në çdo skuadër”.

Artikulli paraprakKëmbana alarmi!
Artikulli tjetërMaqedonia vlen 3 pikë të arta