Fitorja kundër Verona-s ishte e radhës për zikaltrit. Skuadra e Interit ka arritur një rekord historik të hënën mbrëma. Pas 11 javëve kampionat, Interi ka mbledhur plot 29 pikë, gjë që përbën moment historik për klubin, duke e tejkaluar Interin e Jose Mourinhos të vitit 2010, kur kishte arritur 28 pikë pas 11 ndeshjeve të para. Trajneri Luciano Spalletti tha gjatë konferencës për shtyp pas ndeshjes se, gjithçka po bëhet edhe më e vështirë, pasi të gjithë kryesojnë.
“Nuk më jep asnjë ndjesi rekordi i vendosur sot, sepse, ndonëse kemi bërë kaq mirë, jemi ende të dytët dhe skuadrat pas nesh kanë vetëm 1 pikë më pak. Të gjithë kryesuesit po fitojnë nga java në javë dhe gjithçka bëhet edhe më e vështirë, kur mendon që edhe skuadra si Milani do ta thonë fjalën e vet në këtë sezon. Na pret një sezon i gjatë dhe i vështirë, një tunel që përfundon në qershor dhe deri atëherë nuk mund të flasim për titullin. Zhvilluam një ndeshje të mirë dhe u përpoqëm të bëjmë gjënë e duhur. Ndonjëherë jemi disi të ngadaltë, por nuk e humbim toruan dhe kjo është shumë pozitive. Icardi nuk ka shënuar, por ka bërë një punë fantastike në ndihmë të ekipit dhe për këtë jam shumë i kënaqur”, u shpreh Spaleti.
Inter ka vazhduar ecurinë mjaft pozitive në Serinë A, duke arritur një tjetër fitore, këtë herë jashtë fushe ndaj Verona-s. Të besuarit e Luciano Spalletti-t kanë mundur Cerci me shokë me rezultatin 2-1 pas golave të Valero dhe Perisiç, ndërsa për miqtë ishte Pazzini që barazoi për një moment. Me këtë fitore, Inter tashmë ka 29 pikë në 11 ndeshje, një rekord në historinë e klubit Zikaltër që nuk ka pasur ndënjëherë më tepër pikë se kaq pas 11 javëve të para të sezonit.
Ndeshja ishte e kontrolluar nga Zikaltrit që gjithsesi nuk arritën të depërtonin në zonën kundërshtare dhe si pasojë arritën të ishin të rrezikshëm vetëm nga goditjet nga distanca ose nga goditjet e dënimit. Mbrojtësit e Verona-s arritën të bllokonin plotësisht qendërsulmuesin e Inter Mauro Icardi, i cili pothuajse nuk preku asnjë top gjatë gjithë mbrëmjes.
Por markimi me më shumë se një lojtar të sulmuesit kundërshtar, krijon hapësira për shokët e tij, dhe kështu ndodhi në minutën e 36’ kur Borja Valero arrin të shënojë golin e parë për Inter në Serinë A pas një krosi fantastik të Candreva-s.
Pas golit Inter mundohet të vulosë fitoren, duke tentuar në disa raste dyfishimin e rezultatit, por pa sukses, dhe Verona arrin të barazojë rezultatin në minutën e 59’ me penallti pasi arbitri me ndihmën e VAR pa një faull të Handanoviç ndaj një prej lojtarëve të Veronas.
Por Inter reagon menjëherë dhe ishte Perisiç ai që riktheu avantazhin për të tijtë me një goditje fluturimthi në hyrje të zonës që depërtoi nëpërmjet gjithë mbrojtjes kundërshtare. Në minutat e fundit Inter mbrojti rezultatin pa shumë probleme, duke u rikthyer në vendin e dytë të renditjes së Serisë A.
Arlind RAMA