Interesat e bonove të thesarit frenuan këtë javë ciklin afërsisht tremujor të rënies së vazhdueshme. Sipas Bankës së Shqipërisë, bonot me maturim 12-mujor u shitën me një interes mesatar të ponderuar prej 1.8%, në nivel pothuajse të njëjtë me ankandin e mëparshëm, të zhvilluar në fillim të muajit prill. Ndalimi i rënies së mëtejshme të interesave erdhi si rezultat i rënies së kërkesës së tregut për blerjen e bonove qeveritare. Për herë të parë këtë vit, në ankand nuk u sigurua dot e plotë shuma e shpallur për financim, prej 8.7 miliardë lekësh. Oferta totale u kufizua në rreth 6.3 miliardë lekë, çka tregon se gjendja e lartë e likuiditetit e kanalizuar në tregun e titujve qeveritarë mund të jetë drejt fundit e, bashkë me të, edhe cikli i rënies së interesave. Sipas ekspertëve, rënia e interesave të bonove në muajt e parë të vitit erdhi si pasojë e shtimit të parasë në treg, ku me gjasa një rol kanë pasur operacionet e injektimit të likuiditetit nga Banka e Shqipërisë. Duket se likuiditeti i tepërt mund të jetë ezauruar, ndërkohë që edhe ulja e interesave gradualisht ka zbehur stimujt e investitorëve për të blerë bono. Ashtu siç pritej, cikli i ri i uljes së interesave po frenohet në nivele më të larta nga sa ndodhi vitin e kaluar, ku për instrumente të veçanta, interesat ranë edhe më poshtë se norma bazë.
Kryesore
Continue to the categoryShqiptarët financuan nga xhepi 160 mln euro produkte farmaceutike më 2024
Vit pas viti, kostot e shpenzimeve nga xhepi për blerjen e barnave po shtohen për arsye se nevojat për mjekim të një popullsie në...