Interi, 150 milionë euro për merkaton

Interi bën gati milionat. Merkatoja e verës pritet të jetë shumë aktive për klubin zikaltër. Periudha e gjatë jo fort pozitive që ka kaluar skuadra, me shumë gjasa pritet të përfundojë. Do të ketë largime dhe afrime, në mënyrë që Interi t’i rikthehet denjësisht luftës për titull kampion në Itali, por edhe garës në kupat e Europës. Drejtuesit e klubit i kanë idetë e qarta, në lidhje me Interin e së ardhmes dhe për ta vënë në zbatim planin e tyre, kanë përgatitur dhe një fond që kap shifrat e 80 milionë eurove, por po të shtosh edhe futbollistët që priten të largohen, kjo shumë shkon në 150 milionë euro.
Në listën e atyre që pritet të bëjnë gati valixhet janë, mbrojtësi Jeison Murrilo dhe dy mesfushorët Ever Banega së bashku me kroatin Marco Brozoviç. Largimi i tyre do t’i sjellë të ardhurat e mjaftueshme zikaltërve për të realizuar një merkato cilësore. Në krye të listës së dëshirave qëndron, mesfushori kolumbian i Realit të Madridit, James Rodriguez, i cili kohët e fundit ka shfaqur pakënaqësi për minutat e pakta që i janë vënë në dispozicion tek “Los Blancos”. Gjithashtu transferime të rëndësishme do të ketë edhe në repartet e tjera.

Artikulli paraprakSiti dhe Liverpuli fitore për Champions-in
Artikulli tjetërMos e shit Ronin!