Interi e ka mbyllur sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme, edhe pse dramatike, duke u kualifikuar në Ligën e Kampionëve. Këtë kompeticion e provoi edhe sezonin që lamë pas, ku mori pjesë vetëm në gjashtë ndeshjet e fazës së grupeve.
Për t’i trajnuar zikaltrit në vazhdim, megjithatë, nuk do të vijojë të jetë Luciano Spalletti, trajneri i tyre në dy vitet e fundit. Drejtimin pritet ta marrë Antonio Conte, që do të bëhet pjesë e epokës së re tek Interi, me presidencën e “Suning”.
Kjo e fundit nuk po kursehet financiarisht, për ta ngritur ekipin e njohur të Milanos në majat e larta. Demonstrimi i kësaj qëndron në marrëveshjen e gjetur me trajnerin nga Salento.
Siç thuhet nga “Sky Sport”, Conte do të firmosë një kontratë 3-vjeçare, me pagë prej 12 milionë eurosh në sezon. Kjo shifër do ta bënte Conte, trajnerin më të paguar të Serie A.
Njoftimi zyrtar i klubit zikaltër mund të mbërrijë të mërkurën, bashkë me firmën në kontratë, pasi të zhvillohet takimi përshëndetës me Spalletti.
Të shtunën mbrëma, Conte do të jetë në Madrid, në shoqërinë e shumicës së drejtuesve të Interit, për të marrë pjesë në finalen e Ligës së Kampionëve. Pastaj, udhëtimi në Kinë për t’u njohur me Zhang Jindong dhe “Suning” nuk është aspak i përjashtuar.