Interi është skuadra antiJuve

Edhe pse shiti edhe ato pak aksione që i kishin mbetur, prej 29.5%, te skuadra zikaltër, Massimo Morati nuk qëndron dot larg Interit, edhe pse zyrtarisht mund të quhet larg atij ekipi. Ish-presidenti, i cili tashmë është nominuar si konsulent nga pronarët kinezë, siguron se do ta shijojë këtë post të ri, madje si një tifoz i thekur. Por ndryshe nga tifozët e thjeshtë, ky vijon të ketë lidhje dhe kontakte qoftë me “Suning”, ashtu edhe me Erick Thohir. Ndaj dhe si një “tifoz” i privilegjuar, ai duket si më i përshtatshmi për të komentuar ngjarjet e fundit te klubi zikaltër.
Në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, Morati shprehet se sot për sot, nëse do të konfirmohen ardhjet e Candrevas dhe Gabigolit, atëherë Interi do të ishte forca e dytë në kampionatin italian, edhe pse Juventusi, siç e pranon ai, e ka fituar tashmë sezonin e ri ende pa filluar. Kjo për shkak se Milanin, Napolin dhe Romën, ai i sheh si skuadra në vështirësi që nuk mbajnë dot lojtarët e mëdhenj.
Megjithatë, gjithçka do të varet nga klima që do të rrethojë klubin dhe dhomat e zhveshjes. Pra, duhet një atmosferë pozitive mes lojtarëve, përndryshe për Moratin nuk ia vlen aspak të blesh lojtarë të mirë për t’ua shtuar atyre që Interi i kishte në dispozicion.
E teksa flitet së tepërmi për Mançinin, Morati shprehet se nuk sheh asnjë motiv për të bërë lojëra me pankinën. “As unë, që nuk bëja shakara me ndryshimet e trajnerëve, nuk e kam menduar ndonjëherë që të bëj revolucion teknik kur mbeten vetëm 20 ditë nga fillimi i kampionatit”, thotë ish-presidenti. Tashmë ai kërkon qartësime, të merren vendime përfundimtare dhe pavarësisht se nuk është në dijeni të kërkesave të trajnerit, nëse do të vendoset që të shkohet përpara me Mançinin, atij duhet t’i jepet përkrahja e duhur dhe e nevojshme. “Duhet të shkojmë të gjithë në të njëjtin drejtim, tha ai, e më pas të mos ketë më asnjë alibi për askënd”.

Exit mobile version