Interi fillon të bindë me Piolin

2016-ta skizofrenike e Interit u mbyll me një fitore të bukur ndaj Lazios në “San Siro”. Një sukses 3-0 që deri në një farë pike ishte bindës dhe mbi të gjitha shumë i rëndësishëm. Një vit më parë në këtë periudhë Interi kryesonte Serinë A, por pikërisht një humbje ndaj Lazios në ndeshjen e fundit të 2015-ës, ishte fillimi i një krize rezultatesh, dhe mungese identiteti në lojë. Më pas ndikuan edhe lëvizjet që u bënë në instancat drejtuese të klubit e deri te largimi i trajnerit Roberto Mançini vetëm pak ditë përpara fillimit të sezonit. Por pas 1001 problemeve, vjen kjo fitore 3-0 ndaj Lazios e treta radhazi, madje pa pësuar gol diçka që nuk ndodhte prej kohësh. Kura Pioli ka nisur të funksionojë dhe me trajnerin italian, Interi po bën shumë më mirë se me holandezin De Boer. Statistikat nuk gënjejnë dhe flasin në favor të Stefano Piolit.
51-vjeçari nga Parma i ka rikthyer besimin e munguar skuadrës zikaltër dhe tashmë futbollistët përpiqen të japin gjithmonë maksimumin në fushë. Pioli ka grumbulluar 13 pikë në 6 takime me një mesatare prej 2,17 pikësh për ndeshje, ndërkohë që holandezi De Boer në 11 takime mori vetëm 14 pikë, me një mesatare prej 1,27 pikësh për sfidë. Me ish-teknikun e Lazios kanë rilindur shumë futbollistë, Icardi është gjithnjë e më vrasës përpara portës, Brozoviç ka marrë në dorë frenat e mesfushës, duke u shndërruar në një regjizor të mirëfilltë, Miranda dhe Murillo bëjnë më pak gabime, Handanoviç është më i sigurtë se kurrë, Candreva më tepër deciziv, ndërsa D’Ambrosio një mbrojtës krahu që ndihmon jo vetëm prapavijën, por shtyn edhe shumë përpara për të ndihmuar sulmin. Ky Inter ka ende shumë probleme që duhen zgjidhur, por të paktën me Piolin në stol skuadra po paraqit shumë më mirë dhe shanset për t’u kualifikuar në Champions League sezonin e ardhshëm  janë rritur ndjeshëm. Te Interi shpresojnë për një vit 2017 sa më të suksesshëm.

Artikulli paraprakBajerni e mbyll me fitore 2016
Artikulli tjetërGaliani: Futbolli italian ka nevojë të reklamohet