Gabigol drejt Milanos. Në derbin e Italisë atë mes Interit dhe Juventusit, zikaltërit do të kenë dhe mbështetjen e brazilianit, vetëm se jo në fushën e blertë, por nga tribunat e “San Siro”. Kështu që ish-yllit të Santosit do t’i duhet të presë edhe pak për të bërë debutimin me skuadrën e tij të re.
Të enjten, Gabigol do të zbarkojë në Milano, për të nisur procedurat e lejes së qëndrimit e më pas do të ketë kënaqësinë të ulet në shkallët e stadiumit për të parë Interin në ndeshjet e Europa League, e për t’u pasur më pas në ndeshjen e madhe në “Giussepe Meazza” kundër bardhezinjve.
Numërimi mbrapsht ka nisur për trajnerin e Interit, Frank de Boer dhe për tifozët zikaltër. Sulmuesi 20-vjeçar është lënë jashtë listave për takimet e Europa League për shkak të fair play-t financiar. Tekniku holandez duket se përpara se të stërvisë brazilianin kërkon ta njohë me ambientet e Apiano Gentile.
Pas Juventusit, Interi do të ndeshet me Bolognan, sfidë ku me gjasa sërish Gabigol nuk do të aktivizohet. Debutimi i tij pritet të ndodhë në takimin kundër Empolit. Të gjithë janë në pritje të shohin nëse paratë e shpenzuara për 20-vjeçarin ia kanë vlejtur apo jo dhe është detyra e brazilianit të bëjë një paraqitje dinjitoze, në mënyrë që të përmbushë pritshmëritë e tifozëve zikaltër.