Goditja e madhe e Interit në merkaton e kësaj vere mban emrin e Joao Marios. Mesfushori portugez, i cili ishte një nga zbulimet e Euro 2016-të dhe që në fund fitoi Kampionatin Europian me përfaqësuesen luzitane mund të konsiderohet praktikisht një futbollist i Interit. Drejtuesit e klubit zikaltër kanë arritur marrëveshjen me presidentin e Sportingut të Lisbonës, Bruno de Carvalho për të bërë të mundur transferimin e 23-vjeçarit në “San Siro”. Është Joao Mario dhurata e parë e pronarëve kinezë të Interit për trajnerin e ri holandezin Frank de Boer.
Lajmi për kalimin e Joao Marios te Interi fillimisht u bë i ditur nga prestigjiozja italiane “Gazzetta dello Sport”, ndërsa disa orë më parë gjithçka u konfirmua edhe nga mediat portugeze. Kartoni i Joao Marios u ka kushtuar arkave të Interit plot 40 milionë euro plus 5 milionë të tjera në formë bonusesh për një total prej 45 milionë eurosh. Pas Antonio Candrevas dhe Ever Banegas, zikaltërit bëjnë një tjetër blerje të rëndësishme në këtë merkato.
Joao Mario me Interin do të firmosë një kontratë 5-vjeçare nga e cila do të përfitojë 3 milionë euro në sezon. Interesimi i Interit për 23-vjeçarin kishte nisur një muaj më parë, por në atë periudhë Sunnig Group nuk arriti marrëveshjen me Sportingun për ta blerë lojtarin për llogari të Jiangsu Sunnig dhe për ta huazuar atë më pas te Interi, pasi oferta e manjatëve kinezë u konsiderua e ulët nga presidenti i klubit portugez, Bruno de Carvalho.
Gjithsesi misioni i dytë i agjentit iranian, Kia Joorabchian drejt Lisbonës rezultoi i suksesshëm, sepse konsulenti i merkatos së Interit që është njëkohësisht edhe menaxheri i Joao Marios arriti marrëveshjen me presidentin e Sportingut. 23-vjeçari ishte një nga më të mirët e Portugalisë në Euro 2016-të dhe pas emrave të tillë si Cristiano Ronaldo, Nani e Rui Patricio, Joao Mario ishte një nga lojtarët që u aktivizua më shumë nga trajneri Fernado Santos. Me afrimin e tij te Interi nuk ka më vend për Marcelo Brozoviç, i cili me shumë mundësi do të largohet gjatë kësaj vere.
Misioni i nisur nga agjenti Kia Joorabchian ka hyrë në rrugën e duhur dhe mesfushori do të jetë përforcimi i parë për trajnerin De Boer. Interi ka arritur një marrëveshje 5-vjeçare me Joao Marion, ndërkohë që Sportingu i Lisbonës do të përfitojë 45 milionë euro, plus 5 bonus në rast kualifikimi në Champions. Ardhja e Joao Marios mund të shkaktojë një reaksion zinxhir te Interi, ku disa futbollistë mund të dalin në merkato, mes tyre Melo, Medel, si edhe Brozoviç.