Nuk është mëkat të bësh llogari. Përkundrazi, duhen bërë. Simone Inzagi thotë që jo. E di shumë mirë që skuadra e tij duhet të jetë e përqendruar sepse Fejenordi është i freskët dhe ka lojtarë që rrezikshëm.
Edhe skuadrës ia ka thënë këtë gjë në mbledhjen ku analizoi kundërshtarin. Gjithçka duket në rregull. Por kjo nuk do të thotë që formacioni i sotëm nuk do të jetë i menduar edhe në bazë të lojtarëve që u përdorën të shtunën me Monzën dhe mbi të gjitha për ndeshjen e së dielës në Bergamo kundër Atalantës. Nuk ka dyshim që mes dy impenjimeve, si për vlerën e kundërshtarit dhe për rezultatin e ndeshjes së parë në Holandë, ndeshja më e vështirë të jetë ajo kundër Gasperinit. Ja pse pritet që gjysma e lojtarëve të jenë të ndryshëm në këtë sfidë për të freskuar më shumë ekipin në prag të duelit vendimtar për titullin kampion të dielën.
PUSHON LAUTARO- Diskutimi vlen mbi të gjitha për Lautaron dhe Çalhanoglunë. Argjentinasi është mirë, edhe pse ndaj Monzës alarmoi jo pak tifozët dhe stafin. Është në dispozicion për ditën e sotme, por në logjikë është që do ta nisë nga stoli. Ndoshta mund t’i lërë vendin e titullarit Markus Turamit. Në këtë mënyrë, trajneri e shpërndan lodhjen me radhë te dyshja e sulmit. Lautaro është ai që ka nevojë më shumë për pushim. Në 17 ndeshjet zyrtare të luajtura nga Interi në vitin 2025 ai ka marrë pjesë në 16 prej tyre duke humbur vetëm duelin e Kupës së Italisë me Lacion (ishte në stol). Për Turamin diskutimi është i ndryshëm. Ndaj Monzës u duk në kushte më të mira fizike sesa në krahasim me sfidat e fundit, edhe pse humbi raste. Bashkë me të, nga minuta e parë do të jetë Mehdi Taremi, i cili nuk u impenjua fare për duelin e kampionatit me Monzën.
ASLLANI TITULLAR– Me Çalhanoglunë Inzagi është duke përdorur pak a shumë të njëjtin metër. Rezultatet po shihen. Pushoi në Roterdam, titullar me Monzën dhe sot me shumë mundësi do të jetë në stol. Vendin e tij do ta marrë si gjithmonë Kristjan Asllani që nuk bëri keq në Holandë. Inzagi e do Çalhan në formë optimale për sfidën e Bergamos. Por e do edhe për dy muajt e fundit të këtij sezoni mes kampionatit dhe kupave, diçka që rrallë ka ndodhur me të në këtë sezon për shkak të dëmtimit. Çalha është lojtar që sposton ekuilibrat në ndeshje. Është e kot ta mohosh. Ka personalitet dhe sjell gola. As Asllani dhe as Zielinski nuk e zëvendësojnë dot, pavarësisht se janë munduar.
Është i pazëvendësueshëm për ambiciet e tripletës që grupi i Interit po ëndërron. Inzagi luajti në konferencë me 3 gishta dhe pastaj me 4, duke shtuar edhe Botërorin e klubeve. Askush nuk fshihet tek Interi, as publikisht dhe as privatisht. Sigurisht që Atalanta që pamë të dielën në Torino është një rival i vështirë për t’u kaluar. Titulli kampion është një garë për tre dhe Bergamo është një kthesë e fortë për Interin. Për këtë arsye mund të pushojë edhe Barela, i cili gjithashtu rrezikon të humbasë ndeshjen e radhës në Champions, sepse është me kartonë. Inzagi po i merr vendimet me kalendarin në dorë. Rrotacioni ka qenë gjithmonë një pikë e fortë e skuadrës së tij në këtë sezon, ashtu si minutat gjatë ndeshjeve. Në portë pritet që të rikthehet Zomer, ndërsa në mbrojtje Pavar me Açerbin dhe Bisek. Në krahun e majtë rikthehet Augusto, ndërsa Dumfris djathtas.ÇDO 3,6 DITË– Interi është duke vrapuar pa pushim. Ditën e sotme do të luajë ndeshjen e 42-të në këtë sezon dhe të 18-tën në vitin 2025. Nga 2 janari dhe deri tani, Simone Inzagi dhe të tijtë zbresin në fushën e lojës çdo 3,6 ditë. Ndalimi për kombëtaret është një oksigjen, por deri diku. Sepse shumë interistë do të udhëtojnë me kombëtaret e tyre. Por në fund të fundit nuk ka një rrugë tjetër në rast se do të luftojë për objektiva madhorë dhe për ëndrra të bukura. Napoli dhe Atalanta iu përgjigjën Interit duke fituar dhe tregojnë se kanë ambicie. Por Inzagi është nga ata që e ka bindur të gjithë grupin të shkojë deri në fund.