Zërat për paraqitjen e dorëheqjes nga Stefano Pioli pas humbjes 5-4 përballë Fiorentinës, kanë shkaktuar kaos në ambientin zikaltër gjatë ditës së djeshme ku janë kthyer fuqimisht zërat për ndërrimin e teknikut para mbylljes së kampionatit, në pritje të një emri si Simeone, Konte apo Spaleti. Ndaj klubi ka dalë me një komunikatë zyrtare për shtyp ku konfirmonte vazhdimësinë me trajnerin aktual, ndërsa ua kalonte fajin futbollistëve, të cilët do t’i mbajë në grumbullim gjatë gjithë javës.
“Si rrjedhojë e asaj që ndodhi të shtunën në fushën e Fiorentinës, klubi ka mbledhur të gjithë ekipin e parë në një grumbullim të gjatë në qendrën sportive Suning nga e marta deri në ndeshjen me Napolin, të dielën, mënyra se si rrodhi humbja në fushën e Fiorentinës ishte e papranueshme për tifozët tanë, si në Itali, ashtu edhe jashtë saj dhe kemi objektivin që të bëjmë të mundur që gjëra të tilla të mos përsëriten më.
Të gjithë brenda klubit, nga lojtarët te stafi, janë tani të vendosur për të punuar sa më shumë të jetë e mundur për të arritur rezultate më të mira dhe për të mbyllur sezonin në ngritje. Si rrjedhojë, klubi konfirmon besimin e plotë të tij dhe të pronarëve te Stefano Pioli dhe i gjithë stafi teknik.
Pioli i është bashkuar Interit në një moment të komplikuar dhe puna e ndërmarrë nga ai bashkë me stafin në 6 muajt e fundit, që nga mbërritja këtu në nëntorin e kaluar, është e jashtëzakonshme dhe meriton respektin tonë maksimal.
Klubi nuk do të shpërqendrohet nga zëra të qarkulluara në ambiente të jashtme të tij. Objektivi ynë mbetet ai që të mbyllim kampionatin e Serisë A në mënyrën më të mirë të mundshme dhe të kualifikohemi në një kompeticion europian, duke dhënë maksimumin në çdo ndeshje. Përveç kësaj, lojtarët ftohen të përfaqësojnë ngjyrat zikaltër me krenari dhe nder, ashtu siç i përshtatet historisë dhe traditës të këtij klubi të madh”, thuhet në komunikatën e Interit.