Interi mendon të tjerë emra për repartin e mesfushës. Menaxheri i futbollistëve, Mino Raiola, përpara se t’i ngrinte buzëqeshjen skuadrës së Milanit për çështjen Donnarumma, ka drekuar me drejtorin sportiv të Interit, Piero Ausilio. Në menunë e dyshes Raiola-Ausilio kanë qenë disa nga futbollistët që zotëron menaxheri i famshëm. Mes tyre është Blaise Matuidi, mesfushori 30-vjeçar i skuadrës së Paris Saint Germain, i cili sezonin e kaluar ishte pranë kalimit tek Juventusi.
Drejtuesit e klubit parisien për ta lënë të lirë francezin kërkojnë 30 milionë euro, shifër kjo e ekzagjeruar nga ana zikaltërit duke patur parasysh dhe moshën e Matuidi. Në pamundësi për ta arritur njërin mes Radja Nainggolan dhe Kevin Strootman, është rikthyer në modë emri i mesfushorit të Fiorentinës, Borja Valero. Me Raiolën u fol gjithashtu dhe për Kenny Tete, 21-vjeçari i Ajax-it, i cili mund të aktivizohet si qendërmbrojtës, por edhe në krah të repartit të prapavijës. Çështja Antonio Rudiger vazhdon të mbetet e hapur. Mbrojtësi është shprehur se është në dijeni për interesimin e Interit, por me këto çështje merret vëllai i tij, i cili është njëkohësisht menaxheri i 24-vjeçarit.