Interi nuk ndalet!

Angel di Maria gjithnjë e më pranë Interit. Do të jetë argjentinasi i Paris Saint Germain, goditja e madhe e zikaltërve në merkato. Është e bindur për këtë e përditshmja italiane “Corriere dello Sport”, që në titullin kryesor të kësaj të premteje ka vendosur pikërisht mesfushorin e La Selecion, i cili është vetëm një hap larg kalimit te Interi. Për Di Marian interesohet edhe Juventusi, por Interi është në avantazh krahasuar me bardhezinjtë pasi ka bërë hapa konkretë dhe shumë shpejt ndoshta do të zyrtarizohet edhe transferimi i 29-vjeçarit në Milano.
Sipas “Tuttosport”, Di Maria do të ndërrojë skuadër gjatë verës dhe Interi tashmë ka filluar negociatat me klubin francez. Për Di Marian është raportuar se kërkohet edhe nga Barcelona, por argjentinasi mund të mos transferohet në “Camp Nou” për shkak të viteve të kaluara te Real Madridi.
Di Maria ka bërë 40 ndeshje për PSG-në në gjitha garat këtë edicion, duke shënuar 13 gola, sezoni i dytë më i mirë në karrierë sa i përket finalizimeve, pasi në vitin e parë në “Parc des Princes” shënoi 15 gola. Në Madrid më së shumti ka shënuar 11.
Pasi e provoi veten fillimisht në kampionatin portugez me Benficën ku u konfirmua si një talent i jashtëzakonshëm, Di Maria bëri më pas hapin e madh në karrierë me transferimin te Reali i Madridit. Me Los Blancos, Di Maria fitoi gjithçka, duke zgjedhur më pas Manchester United, skuadër tek e cila nuk u përshtat dot dhe qëndroi për vetëm një vit. Ndërkohë pas 2 sezoneve te Paris Saint Germain në Francë, Di Maria është gati të provojë një aventurë të re në një kampionat tjetër duke zgjedhur Serinë A dhe pikërisht Interin për të vazhduar karrierën. Kartoni i argjentinasit për të cilin skuadra zikaltër ka mundur jo vetëm konkurrencën e Juventusit, por edhe atë të Barcelonës do t’i kushtojë klubit zikaltër 50 milionë euro. Futbollisti i përfaqësues argjentinase pritet të firmosë një kontratë 4-vjeçare me Interin, ku mbetet për të përcaktuar vetëm paga që do të përfitojë Di Maria.
Në Itali janë shumë të sigurt se Inter do të nënshkruajë me qendërmbrojtësin e Real Madridit, Pepe. Por, kjo nuk do të jetë e gjitha, pasi pronarët e rinj të Interit e duan edhe një superlojtar tjetër të kampionëve të Evropës. Sipas “Sport Italia”, James është shumë pranë që të nënshkruajë me skuadrën e Interit dhe gjatë verës në “Giuseppe Meazza” do të shkojnë bashkë me Pepe.
Kolumbiani po kërkohet me ngulm edhe nga skuadrat e tjera të mëdha evropiane, por e ka bindur projekti i ri i skuadrës italiane. Për të thuhej se Manchester United kishte shprehur shumë interesim, por që në fund Jose Murinjo ka hequr dorë. James ndeshjen e fundit me Real Madridin do ta luajë ndaj Juventusit, në finale të Ligës së Kampionëve, që do të zhvillohet më 3 qershor në Cardiff.

Artikulli paraprakPas titullit, Xhaka dhe Baseli marrin edhe Kupën
Artikulli tjetërRevolucion tek Manchester City