Interi përcakton prioritetet në merkato

Drejtuesit e Interit kanë ndarë mendjen duke bërë përfundimisht planet e merkatos. Ndërsa skuadra aktuale ka nisur përgatitjet, Sabatini, Ausillio bashkë me trajnerin Spalletti kanë përcaktuar prioritetet. Përveç Skriniar, që është siguruar dhe Borja Valero që është shumë pranë transferimit, te Interi kanë arritur në përfundimin se duhet edhe një anësor i majtë, në pole position është Dalbert i Nice, një mesfushor me tipare mbrojtëse, pozicion për të cilin janë rritur kuotat e Diop, si dhe një mesfushor me personalitet dhe aftësi të mira, rol për të cilin synohen emra si Naingolan, Vidal apo dhe Keita i Leipzig.
Përveç këtyre Interit i duhet edhe një sulmues krahu i shpejtë që të garantojë një numër të caktuar golash. Ëndrra e drejtuesve të Interit është Alexis Sanchez, ide që është bërë më e fortë në momentin që Bajerni i Mynihut u tërhoq nga gara për 28-vjeçarin nga Kili. Sanchez me Icardin në sulm do ta projektonin Interin në dimensionet e duhura për titullin kampion, Alexis Sanchez i skadon në vitin 2018 kontrata me Arsenalin, e njeh mirë kampionatin italian ku ka milituar më parë me Udinesen dhe përbën profilin e sulmuesit ideal si një përforcim i duhur për një skuadër që do të kthehet shpejt në majat e futbollit. Me pak fjalë edhe kartëvizita ideale për Suning që mund ta kthejë në njeriun e imazhit. Alternativa ndaj Sanchez në klubin zikaltër konsiderohet spanjolli Asensio, i cili ka të njëjtën rreze veprimi me kilianin.
Luis Muriel mendon transferimin në Spanjë. Për 26-vjeçarin ka shfaqur interes Sevilla, e cila është gati t’i ofrojë 18 mln euro Sampdorias për ta sjellë në “Ramon Sanchez Pizjuan”. Megjithatë Muriel deklaroi se është i qetë përsa i përket të ardhmes.
Juraj Kucka i jep fund bashkëpunimit me Milanin. Mesfushori, i cili kishte kontratë me kuqezinjtë deri më 2019, ka ndërprerë para kohë marrëdhëniet me klubin milanez. Kjo pasi lojtari ka fluturuar drejt Turqisë për të firmosur me Trabzonsporin, për 6 milionë euro.
Sipas “TuttoMercatoWeb”, Alessio Cerci, i cili mbylli kontratën me Atletico Madrid, pritet të rikthehet në Itali. Ish-sulmuesi i Milanit, mund të përfundojë te Torino, që ka zhvilluar sezonin e tij më të mirë më 2013-2014. Një tjetër alternativë është edhe Lazio, ku do të gjente Immobile, si partner sulmi.
Cagliari i mbyll dyert Antonio Cassanos. Drejtori Sportiv, Giovanni Rossi në një intervistë të dhënë për mediat italiane tha se ka pasur bisedime me 34-vjeçarin, por situata e klubit nuk e lejon blerjen e tij për momentin. Ekipi i fundit me të cilin ka luajtur Cassano është Sampdoria.

Exit mobile version