Shumëkush tek Interi pyet veten nëse një futbollist 29-vjeçar që ka kushtuar 25 milionë euro është një investim që garanton të ardhmen, por Antonio Candreva ka preferuar t’i japë përgjigjet në fushë. Mesfushori, i cili është nga të paktët italianë që zikaltërit kanë blerë në sezonet e fundit, u prezantua me fanellën e re duke shfaqur entuziazmin për një zgjedhje që sipas tij e kishte vendosur në majën e listës së dëshirave. “Jam shumë i lumtur dhe prezantimi me Interin është një emocion i fortë. Doja vetëm këtë skuadër që nga fillimi i negociatave. Falënderoj Lazion për të gjitha sezonet që kaluam bashkë dhe për faktin që më dha mundësinë të kurorëzoj ëndrrën time. Tashmë mezi po pres që të luaj në ‘San Siro’ dhe të ndjej afeksionin e tifozëve interistë”, tha Antonio Candreva.
Mesfushori i kombëtares italiane do të mbajë fanellën numër 87, ndërsa Interi do të derdhë në arkat e Lazios 22 milionë euro fillimisht e më pas 3 milionë në formë bonusi. Për Candrevën u depozitua në federatë një kontratë 4-vjeçare me gati 3 milionë euro në sezon.
Belgjika gjen trajnerin e saj të ri. Roberto Martinez do të jetë drejtuesi i djajve të kuq në eliminatoret e Botërorit Rusi 2018, me trajnerin spanjoll që zë vendin e Marc Wilmots, i cili u largua nga detyra pas përfundimit të Europianit. Një zgjedhje e befasishme kjo nga ana e Federatës belge që i beson një spanjolli një brez të artë lojtarësh duke dashur të përshtasë ndoshta dhe një filozofi disi ndryshe në përfaqësuese, pas një Europiani ku Belgjika u nis si pretendente, por u eliminua në çerekfinale pas një humbje 3-1 me Uellsin.
Martinez ka drejtuar skuadrën e Evertonit në 3 sezonet e fundit ku ka bërë një punë mjaft të mirë, ndërkohë që ka një përvojë të madhe në kampionatin anglez teksa më parë ka drejtuar dhe ekipet e Swansea dhe Wiganit. Martinez pritet të marrë menjëherë drejtimin e kombëtares belge dhe do të prezantohet në ditët në vazhdim në detyrën e tij të re, ndërkohë që objektivi i tij kryesor do të jetë fillimisht kualifikimi për në Botërorin e Rusisë, ku është shortuar në një grup të favorshëm me Bosnjen, Greqinë, Qipron, Estoninë dhe Gjibraltarin.