E ardhmja e Stefano Piolit tek Interi mbetet ende një mister, pavarësisht se drejtuesit zikaltër nuk ia kanë pranuar dorëheqjen trajnerit 51-vjeçar, i cili praktikisht doli jashtë objektivave me humbjen 5-4 në fushën e Fiorentinës. Që nga tripleta e famshme e vitit 2010 me Mourinhon trajner, Interi nuk po gjen paqe. Ndryshime të mëdha pasohen vit pas viti, por rezultatet mbeten shumë poshtë pritshmërive. Pas portugezit, në stolin zikaltër janë alternuar 10 trajnerë, e në horizont është i 11-ti. Në Apiano Gentile kanë ndërmend të bëjnë të pamundurën për të bindur Diego Simeonen, kontrata e të cilit me Atleticon e Madridit skadon në verë të 2018-ës.
E ardhmja e Simeones do të varet sidomos nga ecuria e Los Colchoneros në Champions. Në rast të një tjetër dështimi përballë Realit të Madridit në Champions, që do të ishte i treti radhazi, cikli do të konsiderohej i mbyllur. Por edhe nëse Atletico e fiton trofeun në finalen e Kardifit, Simeone vështirë se do të kërkonte më shumë në krye të një skuadre që e drejton që nga viti 2011. Në çdo rast cikli i tij te Los Colchoneros, do të quhej i mbyllur.
Interi ka një ofertë 4-vjeçare për El Cholon, me një pagë që arrin mbi 10 milionë euro në sezon duke përfshirë edhe bonuset, madje duke i dhënë fuqi të plotë në vendimmarrje. Për pronarët kinezë të Interit paratë nuk janë problem, madje Simeones do t’i jepet të firmosë mbi një çek të bardhë. Një shtysë e madhe drejt kësaj marrëveshjeje mund të jetë edhe miqësia që trajneri aktual i Atleticos ka me Havier Zanettin, zëvendëspresidentin e Interit.
Të shtunën Interit nuk i mjaftoi “tripleta” e Mauro Icardi-t dhe goli i Ivan Perisiç për të mundur Fiorentinën në “Artemio Franki”. Vjollcët u treguan më kërkues duke shënuar pesë herë në portën e zikaltërve që u solli humbjen e 3-të në 5-së ndeshjet e fundit. Si duket kjo ka qenë e papranueshme për drejtuesit, të cilët janë përballur me një situatë të pazakontë në fundin e ndeshjes. E pazakontë për arsyen se Stefano Pioli ka paraqitur dorëheqjen pas paraqitjes së dobët duke u shprehur “se ky nuk është Interi i tij”.
Kërkesa e trajnerit italian është hedhur poshtë dhe njëkohësisht është konfirmuar si numri 1 i pankinës zikaltër deri në fundin e sezonit. Duke parë atmosferën e krijuar, zyrtarët e klubit i kanë konfirmuar lojtarëve se ato janë përgjegjësit kryesorë dhe për këtë arsye në fund të sezonit jo të gjithë do të jenë pjesë e klubit zikaltër pasi do ketë spastrime.
Por siç duket nga postimi i klubit në faqen zyrtare në internet, “Inter.it”, nuk do të pritet fundi i kampionatit për t’ju dhënë një mësim të mirë futbollistëve. Duke filluar nga data 24 e deri të dielën më 30 prill, lojtarët do të qëndrojnë të “ngujuar” në qendrën stërvitore “Suning te Appiano Gentile” në mënyrë që të përgatitet sa më mirë ndeshja me Napolin.