Sali Berisha, zhvilloi sot një takim me Diasporën shqiptare në Romë, ku diskutoi për zgjedhjet e 11 majit dhe përfshirjen e emigrantëve në procesin e votimit.
Gjatë këtij takimi, vëmendje të veçantë tërhoqi prezenca e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, i cili u ul në mes të sallës dhe ndoqi fjalimet. Llalla ka qenë një figurë e njohur, që ka shkaktuar shumë reagime në media dhe analistët politikë, pasi është përfolur gjithmonë si mik i afërt i Shkëlzen Berishës, djalit të ish-kryeministrit.
Llalla u akuzua për abuzime ligjore, fshehje dhe mosdeklarim pasurie për disa prona pas lënies së detyrës si Prokuror i Përgjithshëm. Ai u dënua me dy vite burgim për këto akuza. Interpol Tirana ka kërkuar ekstradimin e tij për të vuajtur dënimin, ndërkohë që Llalla ka pretenduar se ka aplikuar për azil në Itali.