Intervista e pa botuar e Nolit: Po internojmë kosovarët. I quante kosoviotë

Gazeta serbe “Vreme” në numrin e 13 shtatorit të 1924, kishte botuar në faqen 3 një intervistë me kryeministrin e Shqipërisë Fan Nolin. Intervista ishte realizuar në hotelin “Rusia” në Gjenevë nga R. Josimoviqi dhe u botua me titullin “Një orë me Musolinin shqiptar”
Gazeta, në fillim, jep biografi të shkurtër të Nolit, që kryeministri shqiptar ja kishte dëftuar gazetarit serb.
Noli ose “thrakasi i arsimuar në Amerikë”, përshkruhet si njeri me kulturë dhe kundërshtar i Ahmet Zogut.
Intervista fokusohet në disa çështje: te raportet me Mbretërinë Serbe – Kroate dhe Sllovene (SKS), “bandat e kaçakëve” që e shqetësonin Mbretërisë SKS, krijimin e një konfederate ballkanike etj.
Noli përgjigjet me shumë diplomaci dhe shpesh herë flet për krijimin e raporteve të mira që duhen ndërtuar ndërmjet Shqipërisë dhe Mbretërisë SKS.
“Nga ana jonë ne duam raporte të mira fqinjësie me Mbretërinë Serbe Kroate Sllovene, sepse na duhet paqja për organizimin e shtetit dhe zhvillimin e tij ekonomik. Për sa më përket mua nuk shoh ndonjë shkak që dy vendet tona të mos kenë raporte miqësore. Si shtete fqinje ne kemi interesa të përbashkët, kurse si popuj ballkanikë, dhe kjo duhet theksuar dhe përsëritur, ne kemi edhe afërsi gjaku. Ka shumë gjak ilir dhe shqiptar në ju, ashtu sikurse ka gjak sllav në venat tona. Përndryshe, nuk ka racë të pastër”, i thotë Noli gazetës “Vreme”.
Noli flet edhe për shqetësimin serb për ndërhyrjet e çetave bullgare dhe çetave të Komitetit Kosovar nga Shqipëria në territorin nën juridiksionin e SKS-së.

Ai thotë se prej se qeveria e re ka ardhur në pushtet ka dëbuar bullgarët e dyshimtë dhe ka internuar të gjithë shqiptarët që dyshoheshin se kishin bashkëpunuar me bullgarët. Sipas Nolit u ishte dhënë urdhër të gjithë prefektëve që të merrnin masa të rrepta kundër të gjithë atyre që dëshironin ta shfrytëzonin territorin shqiptar si një bazë për të shkaktuar trazira në vendet fqinje, qofshin këta të huaj ose shqiptarë.
Pikërisht para pak ditësh, thotë Noli në intervistë, qeveria pengoi gjashtë bullgarë me pasaporta të rregullta që të hynin në Shqipëri, sepse qeveria shqiptare nuk kishte qenë e bindur për qëllimet e udhëtimit të tyre.
“Asnjë bullgar nuk mund të marrë vizë pa miratimin e Ministrisë sonë të Jashtme”. Noli flet edhe për veprimtarinë e shqiptarëve të Kosovës, që e shqetësonin Mbretërinë SKS.
“Për sa u përket Kosoviotëve (kështu i quan Noli anëtarët e Komitetit Kosovar), qeveria i ka marrë të gjitha masat që të jenë të qetë dhe u bind juve se do të jenë të qetë. Nëse nuk do të jenë të tillë, atëherë qeveria është aq e fortë që të ndërmarrë masa kundër tyre. Një vend i vogël dhe i varfër si yni, nuk mund t’i lejojë vetes luksin e iredentizmit. Nëse ju dëshironi që Kosoviotët të mos jenë shkak i trazirave dhe urrejtjes, ju duhet të silleni mirë ndaj pakicës shqiptare brenda mbretërisë. Unë konstatoj me kënaqësi se kohëve të fundit edhe vetë qeveria e z. Pashiq e ka ndryshuar politikën kundrejt shqiptarëve në Kosovë dhe kam dëgjuar nga Kosoviotët, që janë tek ne, se autoritetet lokale sillen mirë me shqiptarët në territorin tuaj. Shpresoj se qeveria e re do të vazhdoj me të njëjtët hapa politikë, që është në interes të të dy vendeve”.

Noli kishte folur edhe për veprimtarinë e Bajram Currit, për të cilin kishte treguar interesim gazetari serb.
“Vetë Bajram Curri, për të cilin më pyetët tani, është plak dhe vetëm dëshiron të pushojë, e përndryshe të gjitha qeveritë shqiptare kanë ndikuar me masë te kosoviotët”.
Noli flet edhe për çështjen e kufinjve, veçanërisht për Shën Naumin dhe Vermoshin, si dy territore kontestuese.
“Ne nuk jemi të kënaqur me kufirin absurd qe na e caktuan fuqitë e mëdha. Humbëm shumë territore dhe shumica e territoreve janë me shumicë shqiptare. Le të flasim vetëm për rajonin e Gjakovës. Ju e dini se e morët vetëm falë manastirit tuaj historik në Deçan, përkundër faktit se e gjithë popullata është shqiptare, përveç 30 familjeve (serbe – S.S.) në këtë rajon. Pjesët tjera të Kosovës që i morët kanë 85 deri 90 përqind popullatë shqiptare. Por ne jemi pajtuar me këtë, edhe pse e dimë se kemi lënë jashtë më shumë shqiptarë se sa ka brenda kufinjve tanë. Prandaj ju që jeni 16 herë më në numër dhe 50 herë më të pasur duhet që të pajtoheni nëse Shën Naumi dhe Vermoshi na takojnë neve me vendim të fuqive të mëdha. Ju jeni mjaftueshëm të mëdhenj që të jeni zemërgjerë. Për mua është absurde dhe qesharake që një mbretëri e madhe sikurse SKS të merret me Shqipërinë për një mal të pavlerë sikurse Vermoshi apo për një manastir të mjerë sikurse Shën Naumi”.
Fan Noli flet në vazhdim për dëshirën e qeverisë shqiptare për këmbime tregtare me SKS, që është “më shumë në interes të Shqipërisë”.
“Sikurse e dini, malësorët tanë nga lindja dhe veri – lindja janë ndarë me kufinj nga tregjet e natyrshme në Strugë, Dibër, Prizren, Gjakovë dhe Pejë. Një malësor nga prefekturat tona kosovare, tani kur kufiri është mbyllur, duhet të udhëtojë katër ditë deri në Shkodër që të blejë krip e misër”.

Noli në këtë intervistë shprehet pro konfederatës ballkanike. Ai thotë se Shqipëria e dëshiron një konfederatë të këtillë.
“Konfederata Ballkanike është një ideal për të cilin duhet që të punojmë të gjithë. Ajo do t’u mundësonte shteteve ballkanike t’i pakësonin harxhimet për ushtrinë dhe të kursenin paratë për zhvillim ekonomik. E di se ka shumë vështirësi, por ja vlen që të provohet. Mund ta fillojmë me një takim kryeministrash të vendeve ballkanike që do të bisedonin për çdo mosmarrëveshje dhe të arrinin deri te një marrëveshje miqësore entente cardinale”.
Në këtë intervistë ai flet edhe për situatën e brendshme në Shqipëri. Ai jep një pasqyrë të gjendjes në Shqipëri para revolucionit ku kishim, sikurse thotë Noli, një jetë sipas rendit feudal dhe një qeveri jo efikase, e cila ishte e kontrolluar nga feudët. Këtë sipas Nolit e rëzoi revolucioni. Bejlerët u përzunë nga vendi kurse toka iu nda fshatarëve.
“Ky është fillimi i emancipimit politik, ekonomik dhe social i Shqipërisë”.
Noli rrëfen se Kuvendi ishte shpërbërë dy ditë pas revolucionit të udhëhequr prej tij dhe nuk do të formohej.
“Tani qeverisim pa Parlament, që ka shumë anë pozitive. Për shembull: përgjatë tri viteve Parlamenti synoi ekuilibrimin e buxhetit duke e zvogëluar numrin e madh të nëpunësve, si dhe rrogat e tyre ekstravagante në franga ari, të mëdha për një shtet të vogël si i yni (…) Për katër javë pa Parlament ne këtë e bëmë dhe shpresoj se me kursime radikale do ta ekuilibrojmë buxhetin deri në fund të vitit”.
Sipas Nolit edhe reforma agrare do të bëhej para se të themelohej Parlamenti, ashtu sikurse edhe reformat tjera të domosdoshme.
“Pasi t’i bëjmë të gjitha reformat, që do ta bëjnë Shqipërinë shtet modern, atëherë do të shpallim zgjedhje dhe do ta formojmë Parlamentin e ri, por assesi më parë”.
Gazeta e përfundon intervistën me pohimin e Nolit: “Kjo mund të zgjasë shumë, shtoi z. Noli në pyetjen time dhe buzëqeshi sinqerisht”.

“KDP”

Exit mobile version