Intervista tek RAI 3/ Rama merr në mbrojtje trafikantin Artur Shehu dhe vëllanë e Fatmir Xhafajt

Kryeministri Edi Rama gjatë intervistës për Rai3, ka marrë në mbrojtje miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë trafikantë ndërkombëtar të drogës.

I vënë përballë fakteve dhe akuzave për ministrat e Brendshëm, Edi Rama mori në mbrojtje Fatmir Xhafajn, vëllain e trafikantit të drogës Geron Xhafaj.

Sipas tij, Fatmir Xhafaj nuk kishte asnjë lidhje, por dha dorëheqjen si një qytetar model, duke harruar faktin se Geron Xhafaj ishte i shpallur në kërkim nga drejtësia italiane si trafikant droge dhe ishte vëllai i tij në Tiranë, Fatmir Xhafaj ministër i Brendshëm që nuk e arrestonte. Rama si duket harroi edhe faktin se ndoshta është kryeministëri i vetëm në Europë që vendos ministër të Brendshëm vëllain e një trafikanti droge të shpallur në kërkim.

Më tej, Rama u vu përballë edhe faktit se gjenerali i karabinierëve, Fabrizio Lisi, i cili ka mbajtur edhe postin e shefit të Interpolit Italian në Shqipëri në vitet 2014-2015, u gjend në mes të një skandali të madh, kur u zbulua se një fondacion i drejtuar prej tij në vendin tonë kishte marrë një dhuratë të vyer, rreth 30 mijë metra katrorë tokë në bregun e Vlorës, nga një i dyshuar si narko-trafikant, Artur Shehu.

Në dëshminë e dhënë për emisionin “Report” gjeneral Lisi u pyet për mënyrën se si fondacioni “Luca dhe Marco Eftimiadhi” përfitoi tokën nga Shehu dhe ai tha se këtë të fundit ia kishte prezantuar Engjëll Agaçi, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave. Rama mori nën mbrojtje Engjëll Agaçin dhe Artur Shehun, teksa për këtë të fundit tha se nuk rezulton i dënuar, ndërsa mohoi edhe se ka njohje personale me të.

Pjesë nga intervista:

Rama: Jo, jo. Më lini të mbaroj. Tani sapo thatë një gënjeshtër tjetër. Thatë “shumë eksponentë të qeverisë suaj”. Kush janë këta?

Rai3: Ka qenë një ministër i Brendshëm.

Rama: Ah, një.

Rai3: Ishte ministri pasardhës, Xhafa, që nuk kishte gabuar, po dha dorëheqjen menjëherë më pas. Është ministri aktual i Brendshëm. Ka një bisedë midis dy krerëve të mafies, të cilët thonë: “E dimë kush do jetë ministri i ardhshëm i Brendshëm dhe përmendin emrin e Taulant Ballës. Më falni.

Rama: Më fal, po që ti thuash këto gjëra duhet të jesh i pafytyrë. Unë nuk arrij dot ta imagjinoj sesi mundet shërbimi italian të tregojë këtë fytyrë… Pra, ato gjëra që po thoni janë të pakonceptueshme. “Shumë eksponentë” dhe pastaj flet për një ministër të Brendshëm, vite më parë dhe pastaj shton Fatmir Xhafën, njeriu i cili dha dorëheqjen në mënyrën më qytetare, jo sepse kishte lidhje me ndonjë gjë.

Rai3: I vëllai ishte i dënuar në Itali.

Rama: Do më lini të mbaroj?

Rai3: Absolutisht, po.

Rama: Jo sepse kishte lidhje me ndonjë gjë, po thjesht për një çështje morale. Në rregull? Pas një sulmi me baltë, për të cilin ka një proces gjyqësor që vazhdon dhe përbaltësi që ishte në vijë të parë është dënuar nga gjykata e shkallës së parë. Bën pjesë në grupin politik që e furnizon me këto gjëra.

Rai3: Pse është gjysmë e vërtetë. Ka një dokument për dhurimin e tokës dhe kemi intervistuar protagonistin e drejtpërdrejtë, është Lisi, ish-kreu i Interpolit.

Rama: Më falni, unë i kam lexuar të gjitha dokumentet, falë jush, sepse ju nuk ia lexuat publikut italian, se aty i kishit të tre. Atëherë, këtu bëhet fjalë për një histori krejt ndryshe dhe ju flisni edhe njëherë për një narkotrafikant, flisni për një person…

Rai3: …për drejtësinë italiane, Artur Shehu është i dërguar në gjykatë.

Rama: Flet për një njeri që unë nuk e njoh.

Rai3: Artur Shehu.

Rama: Mund edhe ta njihja, nuk është… por nuk më rezulton të jetë një person i dënuar, nuk më rezulton. I dërguar për gjykim është një gjë, i dënuar është gjë tjetër.

Rai3: Kreu i Interpolit nuk mund të marrë tokë nga dikush që është nën hetim.

Rama: E para kjo. E dyta, flisni për diçka që është e pavërtetë, sepse nuk ka pasur asnjë ndërveprim, asnjë ndërveprim, në rolin e avokatit, nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave me këtë subjekt kur ishte avokat. Dhe këtë nuk e thatë në program.

Rai3: Është ajo që na tha Lisi.

Rama: Jo, jo

Rai3: Na konfirmoi ndërveprimin, nuk tha që ishte takuar me narkotrafikant sepse personi i ndërmjetëm ishte arrestuar… nuk e di si e kishte emrin.

Rama: Koka juaj është e mbushur plot me emra dhe nuk po dini më as ku t’i vini. Unë nuk dua t’ia di për emra.

Rai3: Po emri i ndërmjetëm është me interes, se është me interes për Artur Shehun, e njeh shumë mirë Engjëll Agaçin.

Rama: Nuk më interesojnë emrat, nuk i njoh. Unë flas për fakte.

Rai3: Mirë, pra.

Rama: Unë flas për faktet.

Rai3: Edhe unë.

Rama: Jo, ju nuk flisni për faktet, ju flisni vetëm për gjysmë të vërteta që janë gënjeshtrat më të mëdha.

Rai3: Akoma nuk më keni thënë se cila është gënjeshtra, gjysmë e vërteta.

Rama: Ç’hyn tani një avokat, që është marrë nga një grup personash të besuar të një të vdekuri që kishte pasur prona në Shqipëri, me origjinë shqiptare, i cili kishte prona në Shqipëri.

Rai3: E thamë.

Rama: Ai kishte një prokurë nga gjykata për të ushtruar detyrën e vet si avokat, që nuk e ushtroi më kur u bë Sekretar i Përgjithshëm. Ç’hyn ai me këtë historinë e gjeneralit këtu, gjeneralit atje. Ç’lidhje ka? Pse keni vënë në mes një avokat, i cili nuk ka lidhje kurrkund me gjithë pjesën tjetër të historisë, që as nuk e njoh dhe as nuk më intereson. Sepse donit të provonit – dhe prapë doni ta bëni, e shoh, e parafytyroj tani edhe serinë e re – doni të vazhdoni të provoni që Xhorxha Meloni ka bërë një marrëveshje të gabuar me një qeveri plot hije. Dhe kjo është e turpshme! Mirë? Sepse nuk përkon me të vërtetën dhe përbëhet nga gjysmë të vërteta. Më flisni për ministrin e tretë të Brendshëm që është sot dhe më thoni, “në një telefonatë midis dy…”. Ku di gjë unë për telefonata… Jo, më falni. Ku di gjë unë për telefonatat midis personave që mund të thonë, “O, e takova unë atë. Kam takuar Edi Ramën, më tha, i thashë…”. Po ku e di unë këtë? Po si mund t’i nxirrni kështu këto gjëra? Ajo telefonatë, për të cilën folët, duhet jetë e lidhur me fakte. Pastaj, nëse faktet e mbështesin, në rregull. Po si mund të merren në dosje telefonata, kjo, ajo, dhe të dalësh e t’i thuash publikut, “ka pasur një telefonatë”. Ka pasur një telefonatë? Po çfarë pastaj? Unë hap telefonin – dhe ka raste që nuk njoh as numrat – hap telefonin dhe flas. Fakti duhet ndjekur. Domethënë, çfarë ka ndodhur më pas? Unë, tani, po mësoj çfarë do të thotë demokraci.

Rai3: Po iu mëson të tjerëve…

Rama: Jo, jo. Po e mësoj unë.

Rai3: Ah, ju.

Rama: Duke ju parë juve, unë po mësoj çfarë do të thotë ta mbrosh demokracinë nga gjysmë të vërtetat. Sepse, në emër të demokracisë dhe të lirisë, gjysmë të vërtetat dhe gënjeshtrat ditët e sotme kanë marrë përmasa të jashtëzakonshme. I kuptoj rrjetet sociale, i kuptoj, po ky është shërbimi publik italian. Po si bëhet kjo, si bëhen gjëra të tilla?!

Rai3: Kryeministër, ne radhisim fakte, dëshmi të besueshme, po jo vetëm ne në Itali. Gazetaria e lirë dhe e pavarur këtë bën. Unë ju kam paraqitur vetëm fakte, ju thashë, një burim i besueshëm. Ju çfarë thoni?

Rama: Ju nuk më keni rreshtuar deri tani, të paktën deri tani, asnjë fakt.

Rai3: Kështu e vlerësoni ju. Më vjen keq që e shihni kështu.

Rama: Ju më keni rreshtuar… Jo, jo, më thoni ju ku janë faktet. Ju më keni rreshtuar…

Artikulli paraprak“Armëpushimi është kurth”- Zelensky: Trump rrezikon të jetë ‘president humbës’ nëse imponon një marrëveshje të keqe për Ukrainën
Artikulli tjetërAhmetaj për “Report”: Paratë e krimit pastrohen përmes kullave, Rama i përdor “kapot” për zgjedhje