Tim Walker, Feliks Garcia
Në intervistën e parë televizive pasi tronditi botën me fitoren e tij, Presidenti i zgjedhur, Donald Trump filloi të skicojë formën e mandatit të tij të parë në Shtëpinë e Bardhë, e cila duket se mund të ndjekë pikërisht atë retorikë të egër që u ndoq gjatë fushatës. Në një intervistë 60-minutëshe të zhvilluar në Neë York në Kullën Trump ditën e premte, por të transmetuar të dielën, teksa fliste me reporteren e “CBS”, Lesley Stahl, Presidenti Trump sugjeroi se disa prej premtimeve të bëra gjatë gjithë këtij viti mund të zbuten pak, ndërsa zotime të tjera do të vendosen shumë shpejt në praktikë.
Për Gjykatën e Lartë do të emërohet një gjykatës “pro jetës”
Republikanët janë përpjekur shumë për të injoruar emërimin e Obamës për Gjykatën e Lartë, Merrick Garland, me shpresën se do të zëvendësohej nga një administratë konservatore. Tani që Trumpi është Presidenti i zgjedhur, ai ka në plan ta mbushë vendin e ish-gjykatësit Antonin Scalia me dikë që mund të ndryshojë legjislacionin e abortit.
Kur e pyetën për këtë, Trump konfirmoi se emërimet do të jenë “pro jetës”, gjë që mund të çojë edhe drejt ndalimit në abortit në disa shtete. Ai shtoi se gratë që kërkojnë që të abortojnë, do të duhet të shkojnë në një shtet tjetër. Intervistuesja Stahl e pyeti nëse mendonte se kjo ishte diçka e drejtë dhe ai u përgjigj: “Do të shikojmë se çfarë do të ndodhë. Do të na duhet shumë kohë. Që ta kuptoni siç duhet, kjo kërkon shumë kohë për t’u realizuar”.
Deri në 3 milionë njerëz do të deportohen
Gjatë fushatës së tij, Trump këmbënguli se do të deportonte çdo emigrant pa dokumente që jetonte në Shtetet e Bashkuara, një grup njerëzish që mendohet se arrin deri në 11 milionë. Gjatë intervistës së tij, Presidenti i ri tha se do të largonte nga vendi vetëm kriminelët. Trump tha se administrata e tij do të kapte vetëm njerëzit që kishin të dhëna kriminale, anëtarët e bandave, trafikantët e drogës etj. Ata do t’i dëbojmë nga Shtetet e Bashkuara ose do t’i fusim në burg. Trump tha se numri i personave që futeshin në këtë kategori arrinte deri në 3 milionë. Gjatë tetë viteve të tij në pushtet, Barack Obama ka dëbuar rreth 2,5 milionë njerëz, më shumë se çdo President tjetër amerikan.
“Muri” përgjatë kufirit meksikan do të jetë pjesërisht gardh
Presidenti Trump e hapi fushatën e tij vitin e kaluar me premtimin se do të ndërtonte një mur përgjatë kufirit amerikano-meksikan. Ndërkohë që shumë njerëz ishin skeptikë të domethënies së vërtetë që do të kishte ky mur – përfshirë edhe vetë mbështetësit e tij – manjati i biznesit shpjegoi për të gjithë se e kishte fjalën për një mur të vërtetë prej çeliku dhe betoni.
Por tani duket se njerëzit kishin të drejtë që nuk e kishin marrë shumë seriozisht premtimin e tij. Kur Stahl e pyeti nëse “muri” i famshëm do të ishte në fakt një gardh, Trump u përgjigj: “Disa pjesë mund të bëhen me gardh”. Në fakt, 700 miljet e kufirit prej 2 mijë miljesh është i ndarë me gardh prej kohësh, por Presidenti i ri tha se, në disa zona të veçanta të këtij kufiri, do të duhet një mur i vërtetë.
Ai thotë se frika e njerëzve me ngjyrë dhe myslimanëve është e kotë
Raportimet e krimeve të urrejtjes u rritën ndjeshëm gjatë ditëve të para të zgjedhjes së Trumpit. Femrat myslimane kanë raportuar sulme, ndërsa vandalë të ndryshëm thuhet se kanë shkarravitur sloganët e Trumpit dhe kryqe naziste në shtëpitë dhe bizneset e këtyre individëve në të gjithë vendin. Shumë kanë fajësuar retorikën antiemigrante dhe fanatike të Trumpit gjatë fushatës, e cila është pritur me entuziazëm nga supermacistët e bardhë. Por Presidenti Trump thotë se këto janë vetëm disa raste të pakta, të cilat janë amplifikuar nga mediat paragjykuese.
“Mendoj se është e tmerrshme ajo që po ndodh”, tha ai. “Mendoj se situata është agravuar nga shtypi sepse, sinqerisht, ata ekzagjerojnë çdo incident të vetëm që mund të ndodhë në këtë vend, gjë që mund të kishte ndodhur edhe më parë”. Nga ana e tij, Presidenti Trump i bëri thirrje të gjithë individëve dhe vandalëve që ta ndalojnë këtë sjellje të papranueshme, në rast se po i kryejnë vërtet sulmet që thuhet. “U bëj thirrje të mos t’i bëjnë sepse kjo është e tmerrshme. Unë do ta bashkoj këtë vend”, tha ai. “Unë do t’i thoja ta ndalojnë këtë sjellje, nëse diçka e tillë ndihmon sadopak situatën. Këtë e them direkt përballë kameras: Mjaft me këtë sjellje!”.
Obamacare mund të mos rrëzohet plotësisht
Republikanët kanë thënë prej vitesh se duan ta rrëzojnë dhe zëvendësojnë politikën e kujdesit shëndetësor që është quajtur Obamacare dhe Donald ka përsëritur këtë plan gjatë gjithë fushatës së tij. Që pasi u takua me Obamën në Shtëpinë e Bardhë ditën e enjte, ai duket se e ka zbutur pak tonin për të ardhmen e Aktit të Përkujdesit të Përballueshëm.
Në intervistën e tij 60-minutëshe, Trump sugjeroi se do të donte t’i mbante sanksionet e ligjt duke i lejuar fëmijët nën 26 vjeç që të përfshihen në sigurimin shëndetësor të prindërve dhe të ndalonte mohimin e sigurimit për njerëzit me çrregullime të mëparshme shëndetësore, që sipas tij ishte aseti më i fortë i Obamacare.
Për frikën se rrëzimi i Obamacare mund të çojë drejt një periudhe të gjatë pa mbulim shëndetësor për ata që preken nga ndryshimet, Trump tha se ligji do të zëvendësohej, por në mënyrë simultane. “Nuk do të kemi një periudhë 2-vjeçare pa kujdes shëndetësor. Do të jetë një ligj shumë i mirë dhe do të kushtojë më pak para”.
Ai mund t’i drejtohet Hillary Clintonit për këshilla
Vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve, Donald Trump kërcënonte se do ta fuste në burg Hillary Clintonin. Por një ditë më pas, nisi ta lavdëronte për shërbimin publik dhe fisnikërinë e treguar në humbje. “Kur pranoi humbjen e saj gjatë një bisede telefonike, nuk mund të tregohej më sjellshme se aq”, tha ai, duke e quajtur kundërshtaren e tij një grua shumë të fortë dhe të zgjuar dhe duke theksuar se ajo telefonatë ishte më e vështirë për Clintonin se sa do të kishte qenë për të.
Presidenti i ri pranoi se edhe ish-Presidenti Bill Clinton e ka marrë për ta uruar dhe se ishte treguar shumë i sjellshëm. “Ai tha se ishte një garë e jashtëzakonshme, më e bukura që kishte parë ndonjëherë”, tha Trump. “U tregua shumë i sjellshëm”. Fakti më befasues ishte që Trump tha se mund t’i drejtohej familjes Clinton për këshilla gjatë presidencës së tij. “Ata janë një familje shumë e talentuar”, tha ai. “Do ta merrja pa dyshim në konsideratë”.
Nuk do të heqë dorë nga Twitter-i dhe do të përpiqet të jetë më “i përmbajtur”
Gjatë ditës së premte kur u filmua intervista, Trump premtoi se do të tregohej më “i përmbajtur” me përdorimin e Tëitter-it si President. Ditën e dielë, kur u transmetua intervista, ai kishte sulmuar demonstruesit që protestonin fitoren e tij së bashku me gazetën “New York Times”, duke sugjeruar se të dy palëve u mungon respekti për Amendamentin e Parë të Kushtetutës amerikane.
Duke e përshkruar Twitter-in si një formë e jashtëzakonshme komunikimi, Trump falënderoi median sociale për fitoren e tij në një garë presidenciale kundër fushatës më të organizuar të Clintonit. “Media sociale përçon fjalët e mia. Kur më nxjerrin lajme të këqija ose lajme të pasakta, kam në dorë një mënyrë për t’u kundërpërgjigjur. Mendoj se pushteti që buron nga shifrat e mia të larta në Facebook, Twitter, Instagram etj., më ka ndihmuar shumë të fitoj një garë kur të tjerët kanë shpenzuar më shumë para se unë. Unë mendoj se mediat sociale kanë më shumë pushtet se paratë që ata shpenzojnë”.