Intervistë me Vladimir Nabokov

“Nëpërmjet shtigjesh të ngushta malore të njohura jo vetëm për gjuetarët e fluturave dhe poetët vagabondë”

Rasti do të kishte joshur çdo shkrimtar. Jo atë. Në Francë sapo kishte dalë Ada ose ethe, një prej romaneve më kompleksë të Vladimir Nabokov, i botuar 50 vjet më parë, në vitin 1969. Mitiku Bernard Pivot e ftoi autorin në emisionin e tij kulturor, “Apostrophes”, që do të bëhej më pas “kult”. Provoi që të zbusë një bishë alkimike, një shkrimtar të kristalizuar në jopenetrueshmërinë e tij të devotshme.

Në vitin 1987 Bernard Pivot e kujton kështu Nabokov. “Ishte antitelevizion. Kam shkuar ta takoj në Montreux, në hotelin ku banonte. Ndodheshim në një sallë të madhe, me pianofort. Pastaj kaluam në një tjetër, po prap me pianofort: ishte një skenë tejet nabokoviane. Kalova kohën kohën duke i bërë qejfin atij dhe gruas së tij. Për të mundur ndrojtjen në transmetim të drejtpërdrejtë, më pyeti nëse mund të pija uiski. Por nuk desha që t’i krijoja një përshtypje të keqe publikut francez, kështu që hodhëm një shishe uiski në një çajnik. Çdo çerek ore e pyesja: “Doni pak çaj, monsieur Nabokov?”. Ishte një gjeni ironik, dinak dhe i pacipë, me një inteligjencë të jashtëzakonshme. Në kujtesën time, Nabokov është ikonë. Ndaj kësaj puntate të programit kam një ndjenjë gati si fetare”.

Episodi televiziv u transmetua më 30 maji të 1975. Nabokov do të duhej t’u përgjigjej disa pyetjeve të nikoqirit dhe të disa kritikëve, siç ishte rregulli. Refuzoi. Sipas zakoneve të tij, Nabokov na i dërgoi disi përpara kohe pyetjet, në mënyrë që t’i përgatiste përgjigjet me shkrim. I lexonte, të fshehura bukur nën një grumbull librash. Kjo do të prishte spontanitetin e programit, por Nabokov fakti i të rezultuarit “spontan” para syve të të tjerëve nuk kishte asnjë rëndësi: për të autenticiteti i vërtetë është përgjia tek fiksioni. Tani kjo intervistë është e përmbledhur në vëllimin e sapobotuar për “Penguin”, i titulluar “Think. Write. Speak. Uncollected Essays, Reviews, Interviews” e Nabokov, nën kujdesin e biografit të tij Brian Boyd. Më poshtë disa pjesë të kësaj interviste të famshme.

Është ora 21 e 47 minuta e 47 sekonda. Çfarë bën zakonisht në këtë orë Vladimir Nabokov?

Në këtë orë jam nën batanije, me tri jastëkë pas kokë, skufën e natës, në dhomën time modeste të gjumit që më shërben edhe si studio. Kam një abazhur në komodinë, fari që ndriçon pagjumësitë e mia, ndriçon akoma, pak pak do ta fik. Në gojë kam një karamele, midis duarve një të përjavshme të New York apo të Londrës. E lë menjanë. Fik dritën. Rindez abazhurin për të vendosur një shami në xhepin e pizhamave të mia dhe pikërisht tani nis debati i ashpër i brendshëm: të marr apo jo ilaç gjumi? Zgjidhja pozitive është një mrekulli.

Imagjinoj sesi fëmijë do të keni pasur një jetë plot pasione, ethesh që kanë ndryshuar netët tuaja…

Hëm, sigurisht, në moshën 25 apo 30 vjeçare ishte i gjithi energji, kapriço, frymëzim: mund të shkruaja deri në orën 4 të mëngjesit. Rrallë zgjohesha përpara drekës, shkruaja gjatë gjithë ditës, i shtrirë mbi divan. Stilografi dhe pozicioni horizontal ia kanë lënë vendin lapsit dhe një vertikaliteti të rreptë. Ajo kohë ka mbaruar, megjithatë, ashtu siç qaj zgjimin e zogjve, këngën e fortë të harabelave, që dukej se duatrokiste shprehjet e fundit të një kapitulli që sapo kisha mbaruar së shkruari.

Arrini të imagjinoni një jetë ndryshe nga ajo e shkrimtarit?

Patjetër: një jetë ku nuk jam romancier, por qiraxhiu i velur i një kulle të fildishtë Babeli. Do të isha po aq i lumtur në një mënyrë tjetër – që, veç të tjerash, e kam praktikuar – domethënë në rolin e një entimologu të panjohur që e kalon verën me gjueti fluturash, në rajone të mrekullueshme, dhe dimrin duke klasifikuar zbulimet e tij në laboratorin e një muzeumi.

Ndjeheni më shumë rus, amerikan apo, nga momenti që jetoni në Zvicër, zviceran?

Po ju rrëfej disa detaje të jetës time kozmopolite. Kam lindur në Shën Petërsburg, në një familje të vjetër ruse. Gjyshja nga babai ishte me origjinë gjermane, por nuk ma ka mësuar kurrë aq mirë atë gjuhë sa të mund ta zotëroja pa fjalor. I kam kaluar 18 vitet e para të jetës time në fshat, në çifligun tonë, jo larg nga Petërsburgu. Vjeshtës zbrisnim në jug, në Nicë, Pau, Biarric. Në dimër, gjithmonë në Petërsburg, që tani quhet Leningrad: shtëpia jonë e bukur më granit të kuq reziston akoma, të paktën nga jashtë: edhe arkitektura e së kaluarës është një lloj tiranie.

Çifligu ynë, nëpër pyje, në veri, është në vende që të kujtojnë Amerikën Veriperëndimore: pyje plepash të ndritshëm dhe pishash të errëta, shumë mështekna, moçale të shkëlqyera me një larmi të madhe lulesh e fluturash, nganjëherë edhe arktike. Kjo fazë totalisht e lumtur e jetës time zgjati deri në grushtin e shtetit bolshevik. Çifligu u shtetëzua. Në prillin e 1919 tri familje Nabokov, ajo e tim eti dhe e dy vëllezërve të mi, u detyruan që ta linin Rusinë nëpërmjet Sevastopolit, një kështjellë e lashtë fatkeqe. Ushtria e Kuqe e ardhur nga veriu po pushtonte Krimenë, ku im atë kishte qenë Ministër Drejtësie në fazën e shkurtër e qeverisë liberale, përpara terrorit bolshevik. Po atë vit, në tetorin e 1919, kam nisur studimet e mia në Cambridge.

Cila është gjuha juaj e parapëlqyer: rusishtja, anglishtja apo frëngjishtja?

Gjuha e paraardhësve të mi është ende ajo me të cilën ndjehem përsosshmërisht komod, por nuk do të pendohem kurrë për metamorfozën time amerikane. Frëngjishtja – ose, më mirë, frëngjishtja ime – nuk cedon lehtësisht përpara mizanskenave të imagjinatës time; sintaksa e saj më kufizon liri të caktuara që marr dhe pretendoj nga dy gjuhët e tjera. E kotë ta theksoj se e adhuroj rusishten, por anglishtja është më efikase si instrument pune, është sipërore për nga pasuria e sfumaturave, në prozën frenetike, në saktësinë poetike… Nga ana tjetër, prej tri vitesh flas më mirë anglisht sesa rusisht, e kam lexuar dhe e kam shkruar përpara rusishtes.

Në Rusinë time personale ka pasur një periudhë kur lexoja një turmë madhështore autorësh anglezë – mbi të gjithë Wells e Kipling – megjithëse duke afolur anglisht rrallë, aq më shumë që në shkollë nuk kishte leksione anglishteje (por kishim orë frëngjishteje). E kam mësuar frëngjishten në moshën 6 vjeçare nga guvernantja ime, Mademoiselle Cécile Miauton, që ndenji me familjen tonë deri në vitin 1915. E fillova me Të Mjerët, por thesaret e vërteta më prisnin në bibliotekën e tim eti: në moshën 12 vjeçare njihja të gjithë poteët e bekuar të Francës. Kjo është lista e tri gjuhëve të mia.

A mos vallë ekzili, për sa trishtues, është një stimul për artistin, një diçka që ia pasuron ndjeshmërinë?

Ndoshta, por jo të gjithë preferojnë që të bëhen bastardë apo fantazma. Mund të kalohet nga Mentone në Sanremo me shumë qetësi, nëpërmjet shtigjesh të ngushta malore, të njohura vetëm nga gjuetarët e fluturave apo poetëtë vagabondë.

Pse jetoni në Zvicër, pse në hotel?

Zvicra është magjepsëse, jeta në hotel thjeshton një mal me gjëra. Më mungon shumë Amerika dhe shpresoj që të kthehem për një qëndrim tjetër 20 vjeçar. Një jetë e qetë në një qytet universitar nuk do të paraqiste asnjë diferencë thelbësore nga jeta në Montreux, ku për më tepër rrugët janë shumë të zhurmshme se ato të provincës amerikane. Nga ana tjetër, pasi nuk jam i pasur sa duhet – i një pasurie të cilën askush nuk e gëzon – për të rijetuar fëmijërinë time, nuk ia vlen barra qiranë të jetosh kudo.

Dua të them, është e pamundur të perceptosh shijen e çokollatës zivcerane të 1910: do të duhej të ndërtoja një fabrikë. Ime shoqe dhe unë kemi menduar të jetojmë në një vilë në Francë apo në Itali, por spektri i grevave postare na është shfaqur me gjithë tmerrin e tij. Njerëzit me profesion të qëndrueshëm, midhje të qeta të mbërthyera pas shkëmbit ku kanë lindur, nuk e kuptojnë sesa posta e rregullt dhe e besueshme, siç është ajo e Zvicrës, është e rëndësishme për jetën e një shkrimtari, edhe pse normalisht bëhet fjalë thuajse gjithmonë për letra të thjeshta tregtare dhe 2 apo 3 kërkesa   për autograf. Pastaj është pamja nga liqeni – ky liqen që vlen gjithë argjendin e shkrirë të cilit i ngjan.

Pse historitë e shpikura nga një romancier janë më interesante sesa jeta e vërtetë?

Kërkoj të jem i qartë: historia e vërtetë e një jete vërtet eksituese e shkruar nga pena e matur e një njeriu të privuar nga talenti rezulton mjaft e zbehtë përkrah nj shpikjeje të mrekullueshme si Uliksi i James Joyce.

Nabokov është Lolita. Nuk jeni i bezdisur nga suksesi i bujshëm i Lolitës, i tillë sa që njerëzit kanë përshtypjen se jeni ju babai i kësaj vajze të vetme, për më tepër perverse?

Lolita nuk është perverse. Është një vajzë e varfër e bërë e pashpresë, ndjenjat e së cilës nuk eksitohen nën përkëdheljet e atij të çmendurit Humbert Humbert: vetëm një herë ajo pyet: “Për sa kohë kemi jetuar në vende mbytëse duke bërë gjëra të ndyra?”. Për t’ju përgjigjur pyetjes tuaj: “Jo, suksesi nuk më bezdis, nuk jam si Conan Doyle, që prej snobizmit apo thjesht budallallëkut preferonte të kujtohej si autori i The Great Boer War, duke e konsideruar sipërore ndaj “Sherlock Holmes”.

Në fakt, siç pohojnë gazetarët, është interesante të ndalesh në faktin sesi degradimi i “nimfëzës” Lolitë, që e kam shpikur më 1955, ka evoluar në mendjen e publikut të madh. Jo vetëm perversiteti i kësaj vajze të shkretë është ekzagjeruar në forma groteske, por edhe mosha e pamja fizike e saj: gjithçka është transformuar nga ilustrimet e botimeve të huaja.

Vajza 18 vjeçare ose pak më të vogla, modele me çmim të mirë, kriminele të thjeshta me këmbë të gjata janë pagëzuar “nimfëza” ose “Lolita” në kronikat e gazetave italiane, franceze, gjermane; pa folur për kopertinat e përkthimeve turke apo arabe që arrijnë apogjeun e marrëzisë kur tregojnë një grua të re me forma të kolme, krifën bjonde dhe një gji të mahnitshëm, të imagjinuar vetëm nga kush nuk e ka lexuar librin.

Në realitet, Lolita është një fëmijë 12 vjeçare, ndërsa Humbert Humbert është një burrë i pjekur dhe është hendeku midis moshës së tij dhe asaj të fëmijës që shkakton marramendjen, boshllëkun, sharmin e rrezikut vdekjeprurës. Në radhë të dytë është vetëm imagjinata e asaj satire të trishtuar që e bën magjike një nxënëse shkolle amerikane, normale, deri banale, siç është për më tepër Humbert. Përtej shikimit maniak të Humbert, nuk ekziston asnjë “nimfëz”. “Nimfëza” Lolitë ekziston vetëm në makthin shkatërrimtar të Humbert. Në këtë rast, aspekti thelbësor i një libri unik është tradhëtuar nga një famë false.

Ada ka lidhje farefisnore me Lolita?

Ada dhe Lolita nuk kanë asnjë lidhje farefisnore. Në botën e imagjinatës time – pasi Amerika e Lolitës është definitisht sa imagjinare, aq edhe vendi në të cilin jeton Ada – këto dy vajza u përkasin klasave dhe niveleve intelektuale të ndryshme. Kam folur për të parën e të dyjave, më të butën, më të brishtën, më të bukurën (ajo e Adës sigurisht nuk është e dashur). Kam folur për humnerën e viteve që ndan Humbertin nga Lolita.

Nga ana tjetër, lexuesi nuk do të gjejë asgjë të shpifur apo të rrallë në një djalë 14 vjeçar që dashurohet pas vajzës me të cilën luan. Sigurisht, këta dy adoleshentë shtyhen përtej dhe fakti që janë vëlla e motër do të krijojë probleme që moralisti i mirë e ka të vështirë që t’i kuptojë. Kurse ajo që nuk është e parashikueshme është se Ada dhe i dashuri i saj, pas katastrofash të ndryshme, bashkohenë të qetësuar, në shkëlqimin e një pleqërie ideale.

Ajo që godet veçanërisht tek “Ada” është preokupimi për detajet, sharmi për fluturat…

Me përjashtim të disa fluturave zvicerane, tek Ada kam shpikur disa specie. Mendoj se është hera e parë, në një roman, që një shkrimtar ka shpikur flutura shkencërisht të mundshme.

Jeni në favor të mbrojtjes së natyrës?

Mbrojtja e disa kafshëve të rralla është gjë e shkëlqyer; absurde kur injoranca shoqërohet me pedantizmin. Është jashtëzakonisht e drejtë t’i referohesh t’i referosh një shitësi se specia e fluturës që ka në dyqan është në rrezik zhdukjeje, pasi tregtarët i mbledhin larvat e kësaj krijese shumë të bukur në një pyll të përbashkët. Ama është absurde kur një rojtar pylli e ndalon një natyralist të moshuar të lëvizë me rrjetën e tij të vjetër në një zonë të rezervuar ku fluturon një flutur e caktuar, ushqimi i vetëm i së cilës – një bimë që për rojtarin e pyllit nuk do të thotë asgjë – është një kaçube me lule të verdha që shpesh rritet rreth vreshtave.

Kudo që ka nga këto kaçube, gjendet ky lloj fluture; për këtë arsye, është kaçubja që duhet mbrojtur. As një milion koleksionistë nuk mund ta çojnë drejt zhdukjes këtë flutur sikur vreshtarët të pushonin së shkuluri, kushedi se për çfarë arsye misterioze, këtë kaçube përgjatë vreshtave të Rodano. Bujqit me pesticidet e tyre të tmerrshme, budallenjtë që djegin goma dhe dysheqe në zonat e askujt: këta janë fajtorët e vërtetë, sigurisht jo shkencëtari pa të cilin rojtari i pyllit nuk do të dinte të dallonte një flutur nga një lakuriq nate apo nga një engjëll.

E doni futbollin?

Po, e kam dashur gjithmonë sportin. Isha portier, në ekipin e shkollë në Rusi. Më pas në universitet, në Angli dhe në një ekip rusësh të “bardhë” në Berlin, në vitet ‘30. Një herë kemi luajtur kundër një ekipi punëtorësh gjermanë shumë të majtë, të bezdisur nga bluza ime e Trinity College. Kujtimi im i fundit i përket vitit 1936. Pas një ndeshjeje, në baltë, jam zgjuar dhe e kam parë veten në krevatin e një spitali. Kisha humbur topin, e kisha kapur mirë. E mbaja akoma në duar, ndërkohë që duar të tjera të nervozuara kërkonim të ma rrëmbenin.

(nga Pangea)

Përgatiti

ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakMinjtë që rilindën pas tërmetit
Artikulli tjetërMacron dhe Rusia: Një analizë e shkurtër