Intriga e Ramës, Thaçit dhe Beogradit për “bashkimin e Kosovës me Shqipërinë”!

Enver BYTYÇI

Para tri ditësh presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ishte në Krumë të Hasit, ku mori titullin “qytetar nderi i Hasit”, titull të cilin ia akordoi kreu socialist i bashkisë, sigurisht me urdhër të Edi Ramës! Askush nuk e kuptoi pse duhej kjo lëvizje taktike?! Ishte nevoja e një karshillëku ndaj kritikave të Sali Berishës për zotin Thaçi? Apo duhej që Hashim Thaçi në Krumë të Hasit të shpallte një projekt “patriotik” për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë? Thaçi, duke iu drejtuar të pranishmëve në ceremoni, tha se “Ju keni qenë bashkërisht me ne në luftë dhe bashkërisht do të jetojmë në liri dhe bashkërisht do të jetojmë në një të ardhme të afërt, në një shtet të përbashkët Kosove dhe Shqipëri”.

Ndërkohë, një ditë më pas, presidenti i Kosovës i kërkoi Isa Mustafës që t’i bashkohej këtij aksioni politik të tij. Dukë rrëmuar në google më doli një deklaratë e njëjtë interesante e Ivica Daçiç, lëshuar më 19 prill 2018. Sipas Daçiç “Kosova nuk do të mbijetojë si shtet, por do të bashkohet me Shqipërinë njëherë e përgjithmonë”. Të njëjtën gjë paralajmëroi në tetor të vitit të kaluar gjithashtu paraardhësi në opozitë i Daçiç,Vuk Jeremiq, duke shtuar se “Kur flas për Shqipërinë e Madhe nuk flas përmendësh”. Ndërkaq më shumë se dy vite më parë, ishte vetë Rama ai që provokoi dhe i bëri presion BE-së, kur deklaronte se “Shqipëria ose hap negociatat dhe hyn në BE, ose ajo bashkohet me Kosovën”! Duke i marrë këto në lidhje me njëra-tjetrën vemë re disa karakteristika:

  1. Beogradi nuk kundërshton idenë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, madje udhëheqësit serbë e përkrahin një ide të tillë në këmbim të përfitimit të territoreve në veri të saj.
  2. Hashim Thaçi dhe Edi Rama janë angazhuar politikisht dhe praktikisht për këtë aksiomë. Madje të gjitha ndërhyrjet brutale të kryeministrit të Shqipërisë në çeshtjet e brendshme të Kosovës përkojnë me përpjekjet e tij për ta paraqit shtetin më të ri në Europë si jo funksional e për pasojë për të krijuar idenë se “Duhet një zgjidhje radikale”. Po ashtu nxitja e konfliktit politik në Kosovë me tezat e ndarjes së Kosovës dhe korrigjimit të kufijve ka të njëjtin qëllim, dobësimin e institucioneve të Kosovës, lodhjen e saj dhe më pas pranimin e “bashkimit të saj me Shqipërinë”, jo më si domosdoshmëri kombëtare, por si nevojë politike për udhëheqësit arrogantë e auroritarë si Edi Rama, Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiq. Këtij qëllimi i shërbejnë gjithashtu taksa në Rrugën e Kombit dhe të gjitha pengesat që Tirana zyrtare ia nxjerr Kosovës në marrëdhëniet e saj ekonomike e tregtare me Shqipërinë. Po çdo të thotë bashkimi i Kosovës me Shqipërinë.

Sipas historianit dhe ekspertit gjerman të së drejtës ndërkombëtare, Profesor Georgo Brunner, nëse një vend dëshiron të shkëputet nga sovraniteti i një shteti dhe t’i bashkohet një shteti tjetër, atëherë do të duhet me çdo kusht që të dy shtetet, përkatësisht shteti nga i cili shkëputet dhe shteti të cilit i bashkëngjitet, të bien dakord për këtë. Ai thotë se sesecioni (ndarja) është e pranueshme pa vullnetin e shtetit nga i cili një vend ndahet, por ndarja e tij dhe bashkimi me një vend tjetër është e papranueshme pa pajtimin e të dy palëve.

Kjo do të thotë se për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë duhet patjetër dakordësia e Beogradit. Në Beograd bien dakord për bashkimin e pjesës së mbetur me Shqipërinë, me kusht ndarjen e Kosovës. Ivica Daçiç ka përsëritur se “Ne nuk na duhet në sa shtete jetojnë shqiptarët, ne duam që serbët të bashkohen në një shtet të vetëm”! Pra Serbia bie dakord me opsionin e Hashim Thaçit dhe Edi Ramës vetëm në rast se ajo anekson burimet minerare dhe pasuritë ujore e të tjera të Kosovës.

Por çka ndodhur në deklaratat e Hashim Thaçit? Nga ithtar fillimisht i ndryshimit e më pas i korrigjimit të kufijve, në Has deklaroi krejt të kundërtën, duke thënë se “Ju e dini botërisht dhe e ritheksoj zotimin dhe përkushtimin tim jetësor që Presheva, Medvegja dhe Bujanoci t’i bashkëngjiten territorit të Republikës së Kosovës pa u cenuar asnjë milimetër e territorit të Republikës së Kosovës, as Trepça, as Ujmani, as Mitrovica, asnjë cep i territorit të Kosovës si parakusht për bashkim kombëtar”.

Intriga e presidentit të Kosovës në pajtueshmëri me kryeministrin është e lexueshme: T’i hyjmë njëherë diskutimit dhe procesit të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë dhe rrugës realizojmë ëndërrën e Sebisë së Madhe, ia japim veruin e Kosovës Serbisë, marrim nja tri-katër fshatra të Peshevës, bashkojmë këtë pjesë të vendit me Shqipërinë dhe shpallim “aktin” heroik të dëshirës mbi njëshekullore të shqiptarëve (të bashkimit pa territore). Në fakt në pranverën e vitit 1999 shqiptarët “u bashkuan” pa territore. E gjitha kjo thjesht për një ambicje të këtyre dy mitomanëve.

Kurse Serbia jo vetëm merr territoret e pasuritë e shqiptarëve, por krijon precedentin për ta bashkuar Republikën Srpska në shtet të përbashkët serb. Hashimi, Batoni, Edi thonë se “Ç’na duhet ne nëse serbët bashkohen”? E njëjta pikëpamje si ajo e ministrit ser të Punëve të Jashtme, Ivica Daçiç, të cilit gjithashtu “muk i duhet në sa shtete jetojnë shqiptarët”!

Nuk ka mënyrë më perverse për ta rrënuar paqen, sigurinë, stabilitetin e ardhmërinë e shqiptarëve, sesa kjo skemë pështirosëse, të cilën Hashim Thaçi po na e paraqet tashmë nga pozitat e patriotit. Nëse i besohet Hashimit, Edit e Batonit, fundi jonë do të jetë më shumë se i trishtueshëm!

 

Exit mobile version