Investigimi i aferës së Sharrës nxori përfshirjen direkte të Veliajt

Partia Demokratike reagoi dje në lidhje me censurimin e emisionit “Publicus” mbi aferën e landfillit të Sharrës si dhe përgjegjësinë e Erjon Veliajt mbi vrasjen e 17 vjeçarit në këtë landfill. Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun, Grida Duma tha se ishte Veliaj që bëri çdo përpjekje për mostransmetimin e emisionit. “Mbrëmë Opinion bëri të mundur transmetimin e emisionit “Publicus”, një investigim mediatik që Erjon Veliaj e kishte bllokuar. Dhe mbrëmë u kuptua fare qartë pse Erjon Veliaj bëri çdo përpjekje për ndalimin e këtij emisioni. Investigimi mediatik nxori qartë aferën e madhe korruptive e kriminale të Sharrës dhe përgjegjësinë direkte të Erjon Veliajt në vdekjen e Arditit. Investigimi zbuloi firmën e Erjon Veliajt në kontratën me kompaninë 3R, e kryetarit socialist të Peqinit, që edhe sot e kësaj dite merret në mbrojtje nga Edi Rama e nuk i dorëzohet drejtësisë. Mbrëmë shqiptarët panë se në kantierin e Veliajt nuk zbatohej asnjë ligj, nuk respektohej asnjë kriter sigurie, nuk paguheshin siguracionet. Panë kushtet mizerabël të punës ku kishte humbur jetën para Arditit edhe një grua, një lajm i mbajtur i fshehur deri tani. Të rinj, të mitur, burra e gra shfrytëzoheshin në këtë landfill, ndërkohë që Erjon Veliaj kishte premtuar punë të sigurtë me thirrjen publike që u bëri qytetarëve. Publikimi i emisionit të censuruar nga Erjon Veliaj është një lajm i mirë që tregon se ka ende garanci në vend për lirinë e shprehjes, megjithë shtypjen kriminale që pushteti u bën mediave herë me kërcënime e herë me joshje. Transmetimi mbrëmë është një thirrje e fortë për Prokurorinë e Tiranës, që të mos dremisë mbi këtë dosje, por të çojë hetimin përpara e të bëjë drejtësi për jetët e humbura në këtë aferë korrupsioni e krimit të Erjon Veliajt” u shpreh Duma.

Exit mobile version