Investigimi i “Vetting”/ Si mbetjet toksike shkojnë në Turqi! Pronarja e “Sokolaj shpk” aksionere në 4 kompani. Lëvizjet e shumta në QKR

 

Transporti i mbetjeve të rrezikshme drejt vendeve aziatike vijon të mbajë Shqipërinë në qendër të lajmeve dhe vëzhgimeve ndërkombëtare, ndërkohë që institucionet shtetërore i kalojnë përgjegjësitë njëra-tjetrës.

Nga ajo që “Vetting” ka ndjekur dhe më parë, rezulton se rrjeti i trafikimit të mbetjeve është shumë i sofistikuar, ndërkohë që institucionet që duhet të monitorojnë heshtin shpesh nuk kanë përgjigje për pyetjet që kanë lindur pas anijeve të nisura si eksporti i paligjshëm nga Porti i Durrësit. Sipas kryetarit të Partisë “Mundësia”, njëkohësisht edhe deputetit Agron Shehaj: “Ka mbi dy muaj që është ngritur alarmi dhe nuk kemi asnjë përgjigje nga institucionet shqiptare se çfarë po ndodh, sa mbetje toksike prodhohen, ku shkojnë, nuk kemi absolutisht asnjë përgjigje”.

Ndërsa, gazetari Gjergj Thanasi për emision “Vetting” shprehet se: “Ky trafik me patjetër ka nevojë për një përkrahje të madhe shtetërore, pra nuk e ka bërë me kokë të vet kapteri te porti, apo doganieri i thjeshtë me kokë të vet”. E me gjithë mospërgjigjet për trafikimin e mbetjeve toksike, problemi për mjedisin dhe shëndetin publik rëndohet. Madje, në debatin publik dhe në prononcimin e paktë të institucioneve gjithçka duket se synon të spostojë pyetjen se ku shkojnë këto mbetje. Madje, është ngritur dhe hipoteza “a janë vërtet mbetjet e rrezikshme toksike?”

RREZIKSHMËRIA E MBETJEVE

Në një prononcim të saj ministrja e Turizmit dhe Mjediset, Mirela Kumbaro shprehet se: “Modeli që ne kemi, nuk e kemi shpikur ne, është modeli europian i mbetjeve të rrezikshme dhe të parrezikshme. Kujdes! Të rrezikshme nuk do të thotë automatikisht toksike sepse shoh që ka një konfuzion në media dhe ka një abuzim dhe duke krijuar dhe një lloj paniku të pavend.” Sipas Agjencisë së Mbrojtjes së Mjedisit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (EPA) mbetjet toksike janë mbetje “që janë të dëmshme ose fatale për organizmat e gjallë kur absorbohen ose gëlltiten”. Mbetjet e rrezikshme janë niveli më i ulët i substancave potencialisht të dëmshme, toksike është më e lartë. “Mbetjet e rrezikshme mund të jenë, por nuk janë domosdoshmërish toksike”, shkruan Agjencia e Mbrojtjes së Mjedisit në SHBA. Kur këto mbetje nuk eliminohen, nuk eksportohen ose nuk përpunohen siç ka ndodhur rëndom në Shqipëri, por ekspozohen nën trysninë e shiut, erës dhe tokës kthehen në mbetje toksike me rrezikshmëri maksimale. “Vetting” ka kryer një investigim ku zbulon se çfarë ka ndodhur me mbetjet e rrezikshme që gjenerojnë industritë e nxjerrjes, përpunimit të hidrokarbureve dhe industrisë së rëndë, të cilat kanë lidhje me skandalin ndërkombëtar të mbetjeve, që shtrihen në Kosovë, Serbi e deri në Zvicër. Ndërkohë, pavarësisht devijimit apo jo të debatit, “Vetting” ka faktuar se, vetëm vitin e kaluar, Shqipëria gjeneroi 39 mijë tonë mbetjesh të rrezikshme, duke përjashtuar mbetjet e rrezikshme spitalore, të cilat u kalohen kompanive private nëpërmjet tenderave publikë. Sot që flasim, Shqipëria nuk ka asnjë impiant incenerimi ose asgjësimi të mbetjeve toksike.

MISTERI PËR MBETJET E 2023-T

Sipas Ligjit 10463/2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar, mbetjet e rrezikshme trajtohen nëpërmjet procesit të rikuperimit, riciklimit dhe asgjësimit. Sipas procedurave ligjore, mbetjet e rrezikshme nuk duhet të ruhen në venddepozitime për një periudhë më të gjatë se 1 vit në qoftë se ato janë cilësuar për asgjësim ose jo më shumë se 3 vjet nëse ato janë të paracaktuara për riciklim/trajtim. Pra, mijëra tonë mbetjesh nga industria e hidrokarbureve dhe industrisë së rëndë nuk mund të lihen më shumë se një vit në një vend pasi paraqesin rrezik për mjedisin dhe shëndetin publik. Duke hulumtuar dokumente nga Ministria e Mjedisit dhe Doganat, “Vetting” ka faktuar se mbetjet toksike nuk përpunohen apo eksportohen sa duhet, investigim që ka nisur me episodin e kaluar “Trafiku i mbetjeve të rrezikshme”. Duke analizuar raportet nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, “Vetting” ka zbuluar se eksporti i mbetjeve të rrezikshme për vitin 2021 dhe 2022 është shumë i ulët, për të mos thënë i papërfillshëm në krahasim me atë që gjenerohet nga industria. Madje bie në sy fakti se në raportet zyrtare shpeshherë disa nga të dhënat ose mungojnë ose janë të shpërndara në mënyrë kaotike. Por, le të ndalemi te viti 2020 sepse te dokumentet e Ministrisë së Mjedisit nuk kemi asgjë të deklaruar për eksport mbetjesh toksike, të cilat na nxjerrin në konkluzionin se nuk kemi pasur eksport. Te raporti i 2021 kemi zbuluar se janë eksportuar rreth 48 mijë ton mbetjesh, nga të cilat vetëm 97 ton janë mbetje të rrezikshme me kod 12 01 06*, që përkon me sasinë e mbetjeve të vajrave të përdorur dhe 1.6 ton mbetjesh spitalore të rrezikshme dhe dentare me kod 07 01 02*. Praktikisht është eksportuar diçka më tepër sesa 1%, ku përfshihen mbetje të rrezikshme spitalore dhe produkte të lëngshme ujore. Nga ana tjetër, pjesa më e madhe e eksportuar janë mbetje, që shkojnë për riciklim si qelq, metale, dru, plastikë, letër dhe karton. Raportet nga Ministria e Mjedisit jo vetëm që tregojnë një amulli totale me mbetjet toksike, por ngrenë pyetjen se si nuk është menduar apo planifikuar të zgjidhet kjo situatë, e cila shton sasinë e mbetjeve të rrezikshme të papërpunuara. Në vitin 2022, industria shqiptare ka transferuar 17 mijë tonë mbetjesh të rrezikshme, që kanë nevojë për përpunim ose eksportim për t’u eliminuar si rrezik për ekosistemin dhe njerëzit. Të dhënat nga Ministria evidentojnë se në vitin 2022, vendi ynë ka eksportuar rreth 52,240 kg mbetje, nga të cilat sasia më e madhe i përket mbetjeve të metaleve. Përsëri mbetjet e rrezikshme janë në sasi të vogël. Në raport, Ministria e Mjedisit thekson se eksporti është më i madh se sa në vitin 2021, por çfarë thonë shifrat? Konkretisht nga 52 ton mbetjesh të eksportuara për vitin 2022 janë eksportuar vetëm 37 kg, e cila është një shifër e papërfillshme kur e krahason me mbetjet e rrezikshme që janë gjeneruar paraprakisht në vitin 2021, por edhe më herët. Madje në vitin 2023 nuk ka asnjë informacion për eksportin e mbetjeve të rrezikshme. Në këtë raport duhet të ishte i publikuar eksporti i mbetjeve të rrezikshme, por Ministria dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit ose e kanë mbajtur të fshehtë ose nuk kemi pasur absolutisht eksport mbetjesh të rrezikshme në këtë rast. Pra, për vitin 2023 nuk dihet se çfarë ka ndodhur me 39 mijë tonë mbetjesh të rrezikshme, duke përjashtuar mbetjet e rrezikshme spitalore që llogariten më vete. Vetëm në vitin 2023, Ministria e Mjedisit ka lëshuar 56 autorizime për eksportin e mbetjeve të rrezikshme dhe të parrezikshme dhe këto mbetje janë eksportuar në Maqedoninë e Veriut, Itali, Belgjikë, Poloni, Slloveni, Greqi, Gjermani, Bullgari dhe Holandë. Madje, burime konfidenciale për “Vetting” zbulojnë se këto mbetje janë eksportuar edhe në Turqi.

SKEMA “SOKOLAJ SHPK”!

Para disa ditësh, Ministrja e Mjedisit dhe Turizmit, Mirela Kumbaro ishte e ftuar në emisionin “Kjo javë” në “News 24”, ku foli edhe për problemin e mbetjeve të rrezikshme. Paraprakisht, “Vetting” kishte zbuluar se kompania “Sokolaj” në pronësi të Gjovana Sokolaj, e cila është nën hetim nga Prokuroria e Durrësit kishte shtuar një kod në vitin 2023 nga licenca që kishte marrë miratimin nga Ministria dhe Agjencia e Mjedisit për transportin e mbetjeve të rrezikshme. Kompania ka përfituar kodin e ri “12 01 17*”, i cili bën fjalë për mbetjet e materialeve shpërthyese, të tjera nga ato që përmenden te kodi 12 06 01. Misteri me këtë kod lidhet me faktin se askush nuk e di se për çfarë mbetjesh të rrezikshme bëhet fjalë. Gjatë një prononcimi të ministres Kumbaro, për “News 24” e ftuar nga gazetarja Nisida Tufa, e cila u pyet: “ Një vit më pas leja e kompanisë pëson ndryshime, të cilat do të rrisnin kapacitetet e mbetjeve toksike dhe është çështja e kodeve, që të mos i hyjmë çështjes së kodeve…ajo që shqetëson publikun, por nuk di nëse mund ta marr nga ju këtë përgjigje. Për çfarë mbetjesh materialesh shpërthyese flasim që përdoren nga kompanitë private apo nga ushtria? Mirela Kumbaro: “Licenca që nuk i intereson publikut se si quhet, është licenca e parashikuar nga ligji III.2.B.” Pavarësisht shqetësimit se për çfarë mbetjesh të rrezikshme të lëndëve plasëse bëhej fjalë, ministrja Kumbaro nuk iu përgjigj pyetjes së gazetares Nisida Tufa, por edhe shqetësimit të ngritur më herët nga emisioni “Vetting”. Por le të rikthehemi te dokumentet zyrtare të Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit, ku në vitin 2022 janë eksportuar vetëm 37 kg mbetjesh toksike. Përveç vitit 2022 që përkon me licencën e marrë nga “SOKOLAJ” shpk kemi edhe një detaj të rëndësishëm që vjen për herë të parë nga “Vetting”. Në raportin zyrtar për gjendjen e mjedisit evidentohet se janë eksportuar nga Shqipëria 37 kg mbetjesh të rrezikshme, që përmbajnë absorbente, lecka të kontaminuara, paketime të kontaminuara, filtra naftë, mbetjesh materiale shpërthyese etj. Duhet theksuar se këto mbetje nuk janë specifikuar dhe janë vendosur bashkë dhe ngrihet pyetja: Si është bërë eksporti?

Pra, gjenerimi i një sërë transaksionesh, veprimesh dhe marrja e një autorizimi nga Ministria e Mjedisit për vetëm 37 kg mbetje toksike, ngrenë pikëpyetje se me çfarë mbetjesh toksike kemi pasur të bëjmë.

Por si arriti një kompani si “Sokolaj shpk” të marri një licencë kaq të rëndësishme dhe të krijojë një grup kompanish me shtrirje jashtë Shqipërisë? Kjo kompani është themeluar në vitin 2006 nga Gjovana Sokolaj dhe bashkëshorti Doni Sokolaj dhe ka pasur si aksioner edhe turkun Serdar Can Hakliol, i cili aktualisht rezulton aksioner te kompania “Florester Metalik” së bashku me Gjovana Sokolaj. Ky subjekt ka si veprimtari kryesore tregtimin me shumicë dhe pakicë të të gjitha materialeve të ndërtimit dhe çdo materiali tjetër që përdoret në sektorin e ndërtimit.

Megjithatë një detaj i rëndësishëm është evidentuar nga transporti i dyshuar për eksportimin e mbetjeve të rrezikshme. Çfarë ka ndodhur?

“Vetting” zbulon se “Sokolaj shpk” ka eksportuar oksid hekuri pa autorizimin e Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit nga Porti i Durrësit. Nga informacionet zyrtare nga Agjencia e Mjedisit rezulton se nga dokumenti doganor “Sokolaj shpk” ka kryer eksport të oksidit të hekurit, ku theksohet se mbetje te smarcit dhe okalines, që klasifikohen si okside hekuri dalin nga procesi teknologjik i punës së shoqërisë “Kurum International sh.a.” Sipas ekspertëve mjedisorë, oksidi i hekurit është mbetje e parrezikshme. Pra, sipas Agjencisë së Mjedisit kemi vetëm oksid hekuri, por pa autorizimin e Ministres Mirela Kumbaro, e cila ka konfirmuar këtë fakt edhe në deklaratën për “News 24”. Ministrja Kumbaro u shpreh se subjekti në fjalë nuk ka marrë kodin e autorizimit nga institucioni, i cili shërben për gjurmueshmërinë e tij.

KUSH FSHIHET PAS KOMPANISË SOKOLAJ

Nga kërkimet e “Vetting” rezulton se Gjovana Sokolaj është aksionere te 4 kompani, “Florester Metalik”, “Sokolaj” shpk, “S Corp” dhe “Scholz” shpk. Kompania “S Corp” sh.a ka patur si veprimtari fushën e energjisë dhe e ka kryer aktivitetin për vetëm 3 vite pasi ka filluar procedurat e likuidimit. Kjo kompani rezulton në pronësi të Gjovana dhe Doni Sokolaj me qendër në qytetin e Lushnjës. Familja Sokolaj ka aksione edhe te kompania “Scholz” shpk, të cilën e ka në bashkëpronësi me 50% të aksioneve me kompani gjermane, e cila ka pjesën tjetër të aksioneve dhe rezulton me pronarë fundorë kompaninë private kineze “Chiho Environmental Group Limited”. “Scholz” shpk ka si objekt veprimtarie grumbullimin, përpunimin, riciklimin, tranzitimin, transportimin dhe eksportimin e mbetjeve të ngurta dhe të vëllimshme me përmbajtje metalore, si edhe riciklimin e pjesëve dhe mbetjeve te hekurit. Në vitin 2014, kjo kompani ka marrë licencën III.2.B nga Agjencia e Mjedisit dhe ka një pikë grumbullimi në zonën e Xhafzotaj në rrugën e Fllakës. “Scholz” ka një histori të gjatë me ndryshimin e aksionerëve dhe administratorëve, ku disa prej tyre janë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Kjo kompani është themeluar në 4 shtator 2008 nga kompania gjermane “Scholz Internationale Handelsgesellschaft”, e cila në 2016 kaloi në pronësi të kompanisë kineze, me Drejtor të Përgjithshëm shtetasin malazez Branislav Pejovic dhe ky i fundit i përfaqësuar nga shqiptari Rado Brajoviq. Në 14 nëntor 2012, Branislav Pejovic dhe Rado Brajoviq largohen për t’ia lënë vendin si administrator të kompanisë kroatit, Kruno Kovaçeviç dhe kosovarit Arsim Muja. Një vit më pas, në nëntor 2013 emërohet administratore Gjovana Sokolaj duke zëvendësuar Arsim Mujën dhe Kruno Kovaçeviç, e cila është edhe pronarja e “SOKOLAJ” shpk. Në nëntor 2014, kompania gjermane emëron si administrator shtetasin maqedonas Blazhe Mitrevski dhe shkarkon Gjovana Sokolaj.

Një detaj i rëndësishëm do të shënjonte historikun e kësaj kompanie, e cila paraprakisht, në 17 maj 2014 do të bënte një marrëveshje për transferimin e 50 % të aksioneve, përkatësisht 25% të Doni Sokolaj dhe 25% të Gjovana Sokolaj me vlerë 250 euro. Në kundërshtim me ligjin, kjo kompani nuk ka deklaruar bilancet e saj vjetore në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ku mungojnë të dhënat për vitin 2014.

Duke parë vetëm të dhënat për bilancin e vitit 2012, është e habitshme se si një kompani që ka të ardhura 225 milionë lekë ose 2.2 milionë euro i shet aksionet me këtë vlerë, por një fakt interesant del në skenë. Për periudhën 2014-2023 kompania “SOKOLAJ” kishte transferuar 3.2 milionë euro te kompania “Hakliol Madencilik” në Turqi. Ekskluzivisht “Vetting” zbulon se kjo kompani rezulton e përfshirë edhe në marrëveshjen midis gjermanëve dhe familjes Sokolaj, duke ndryshuar edhe emrin e operatorit nga “SCHOLZ” në “Scholz & Sokolaj”. Por para dy muajsh, ortaku turk Serdar Can Hakliol i shet pjesën e vet Gjovana Sokolaj te kompania “SOKOLAJ” shpk. Nga kërkimet e “Vetting” në regjistrin zyrtar të biznesit në Turqi, kompania me kodin e afishuar në dokumentet zyrtare që është bërë transaksioni në Shqipëri rezulton me statusin e fshirë dhe me emrin “REKOR PASTAHANESÝ TANAÞ PERÝFTÝ VE LEONÝDA YOTO ÞÝRKETÝ”. Sipas të dhënave, kjo kompani ka pasur si objekt veprimi fushën e pastiçerisë, por rezulton e fshirë nga regjistri zyrtar dhe nuk gjendet asnjë lloj informacioni për aksionerët dhe administratorët.

Denoncimi nga organizata ndërkombëtare mjedisore “Basel Action Network” ekspozoi inekzistencën e institucioneve shtetërore, të cilat duhet të kishin zbuluar trafikun e mbetjeve.

Dokumentet e publikuara nga BAN me qendër në Bazel zbuluan se prej muajsh në Kinë, në Portin e Nanshas, janë bllokuar 115 kontejnerë nga dogana kineze Fangcheng, që kanë ardhur nga Porti i Durrësit. Sipas dokumenteve të përkthyera në anglisht nga BAN BAZEL rezulton se kemi deklarime të ndryshme nga ajo që është deklaruar në Portin e Durrësit pasi kemi të bëjmë me mbetje të ngurta. Në dokumente deklarohet koncentrat zinku, kurse nga analizat e kryera në laboratorët kinezë ka mbetje të ngurta. Për herë të parë, zbulohet se duke ndjekur gjurmën e kontejnerëve sipas sistemit të gjurmimit MAERSK, ngarkesat në anije janë vendosur në Portin e Pireut duke nxjerrë zbuluar se kontejnerët janë shkarkuar në Greqi për t’u ngarkuar përsëri me destinacion final Kinën. “Vetting” u përpoq të kontaktonte me zyrën e shtypit të Maersk, me Pavl Rasmussen për çështjen e kontejnerëve në Kinë që sipas BAN Basel kanë dalë me mbetje të ngurta, por kësaj radhe përfaqësuesi i MAERSK nuk pati asnjë koment. Të dhënat zyrtare nga regjistri zviceran i biznesit tregojnë se si përfaqësues të kësaj kompania janë, Jeton Islami dhe Sefik Ibraimi. Prej vitit 2018 kjo kompani kryen veprimtarinë minerale, në kërkime gjeologjike dhe shfrytëzimin e kromit në zonën e masivit të Lubotenit në Kosovë nëpërmjet dy degëve të saj “Achro – shpk” dhe Achro-gl shpk”. “Achroshpk” ka si aksioner “Achroag” zvicerane me 80% dhe Visar Suhodolli me 20% dhe drejtor Arjan Djeladini. Ndërkohë “Achro-Gl” shpk ka si drejtor Kujtim Hamidin dhe është plotësisht në pronësi të kompanisë zvicerane.

“Vetting” u përpoq të kontaktonte në linjë telefonike Visar Suhodollin dhe përfaqësues të kompanisë “Achro” shpk në Kosovë dhe “Albrecovery” në Shqipëri, por deri në publikimin e këtij materiali ishin të paarritshëm. Por në Kosovë, Gjovana Sokolaj ka edhe një tjetër kompani “GG SA 2019” shpk, të cilën e ka në bashkëpronësi me Adriatik Hoxhën. Nga të dhënat zyrtare në regjistrin kombëtar të biznesit në Kosovë, kjo kompani është themeluar në vitin 2019 dhe si drejtoreshë ka znj. Sokolaj. Ashtu si kompania në Shqipëri, edhe kjo kompani me qendër në Prishtinë ka si objekt grumbullimin, transferimin dhe asgjësimin e mbetjeve të rrezikshme. Nga hulumtimi i të dhënave bie në sy fakti që pronarët e kompanisë kanë vendosur si opsion te veprimtaria e kompanisë edhe përpunimin e lëndës djegëse nukleare. Kosova nuk është e përfshirë në vendet që përdorin si burim energjie lëndët nukleare. Për të kuptuar më shumë “Vetting” kontaktoi zyrën e Agjencisë së Kosovës për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguri Bërthamore. Më herët, Doganat e Kosovës kanë dalë në deklaratë për mediat pas deklaratës së Drejtorisë së Doganave në Shqipëri. “Eksporte të ngjashme bëhen vazhdimisht nga industria e Republikës së Kosovës dhe nuk ka pasur ndonjëherë pretendime për klasifikim të këtyre produkteve si mbetje të rrezikshme”, deklaron Dogana Kosovë duke iu referuar koncentratit të Zinkut. Dogana e Kosovës shton se ka hapur një hetim mbi këtë çështje dhe do të shqyrtojë të gjitha rastet që lidhen me këto dërgesa dhe do të informojë publikun.

Exit mobile version