Investigimi tronditës: ‘Lumenj’ droge nga Shqipëria drejt Italisë me traget, heroina fshihej te personat e moshuar

Nga Chiara Spagnolo, La Repubblica

Lumenj heroine pushtojnë Barin, duke ardhur nga Shqipëria. Dhe lumenj parash fryjnë llogaritë e atyre që menaxhojnë një trafik shumë më fitimprurës se ai i kokainës, sepse substanca bazë përzihet – madje edhe me ilaçe dhe detergjent – duke u shumëfishuar deri në pesë herë. Operacioni “Ura” i DIA-s tregoi se tregu i heroinës është më i lulëzuar se kurrë dhe se qendra nervore e trafikut është lagjja Madonnella, sot qendër e zhvillimit turistik dhe jetës së natës.

Në një kompani termohidraulike ngjitur me një shkollë fillore në atë zonë punonte Massimo, i përshkruar nga penduari Domenico Milella si ‘i papritur’, që shërbente si lidhje mes shqiptarëve dhe klanit Palermiti të Japigias. Bëhet fjalë për Massimiliano Fiore, 48 vjeç, i cili përfundoi në burg së bashku me tetë persona të tjerë nga Pulia (Andrea Nicola Buonsante, Cesare Gilberti, Luisa Mazzuti, Giovanni Montedoro, Francesco Patisso, Annalisa Ronghi, Giovanni Signorile dhe Angelo Zanzarelli). Arrest shtëpie është caktuar për Francesca Caputi dhe detyrim paraqitjeje në polici për Serafina Palazzo dhe Domenico De Tullio.

Urdhrat italianë të arrestit — me akuza për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike — janë firmosur nga gjykatësi hetues Francesco Vittorio Rinaldi, me kërkesë të prokurorëve Ettore Cardinali dhe Daniela Chimienti dhe prokurorit të posaçëm Francesco Giannella. Janë kryer edhe 40 arrestime në Shqipëri, duke qenë se hetimet janë zhvilluar paralelisht në të dy vendet falë Njësisë Hetimore të përbashkët të krijuar mes DIA-s italiane dhe Policisë shqiptare. Jo rastësisht, prokurori Roberto Rossi e quajti këtë një ‘bashkëpunim të përkryer’.

Ajo që të bën përshtypje nga hetimi janë shifrat e lëvizjes së parave: gjatë një kontrolli në një banesë, agjentët e DIA-s (të drejtuar nga koloneli Roberto Di Mascio) gjetën 42 mijë euro. Më parë, në Durrës ishin sekuestruar 3 milionë euro cash: shkëmbimet e dokumentuara gjatë hetimeve kapnin vlerën e 4.5 milionë eurove, ndërsa xhiroja e vlerësuar për dy vjet arrinte në 7 milionë euro.

Ajo që e ka rritur kaq shumë përfitimin është zgjedhja për t’u fokusuar te heroina, e cila deri pesë vite më parë dukej sikur ishte zhdukur nga skena në Pulia, pasi Japigia në vitet ’80 dhe ’90 kishte qenë tregu më i madh në jug të Italisë. Sipas dëshmisë së Milellës, i pari që e riktheu heroinën ishte Gianni Di Cosimo (i cili kishte ikur në Shqipëri si i arratisur). Më pas erdhi ‘Enrico’, pra Erigels Presi, 37-vjeçari shqiptar që nga banesa e tij në Poggiofranco menaxhonte gjithë trafikun e heroinës, me miratimin e Eugenio Palermiti, të cilit i mjaftonte që grupi të mos merrej me shitjen e kokainës dhe të mos shkelte në lagjet e kontrolluara nga klani Strisciuglio.

Sipas Prokurorisë Antimafia (DDA), hallka lidhëse mes të huajve dhe klaneve nga Bari ishte pikërisht Fiore — aktiv si në shkëmbimet e mallrave, ashtu edhe në organizimin e trafikut. Nëpërmjet përgjimeve, hetuesit dëgjuan disa herë përgatitjen e ‘paneteve’ të drogës për t’u rishitur. Dhe kuptuan se momenti më i rëndësishëm ishte ai i përzierjes, ku përdoreshin substanca të ndryshme për t’u përzier me heroinën e pastër në një pajisje Bimby, ku lënda ngrohej dhe përzihej. Për peshimin, përdoreshin peshore shumë të sakta — në një përgjim flitet për ‘një peshore për diamantë që kam paguar 250 euro’.

Rezultati ndryshonte në varësi të shkallës së përzierjes, por në përgjithësi cilësia ishte e mirë, ndryshe nga ajo e njohur si ‘banania e çelur, jo e mirë’, që qarkullonte në fund të vitit 2021. Cilësia më e mirë dukej se ishte ‘karamelja’, me të cilën nga një kilogram mund të nxirrje pesë.

Duke pasur parasysh se një kilogram heroinë blihej nga grupi për 4 deri në 6 mijë euro (kundrejt çmimit prej 35 deri 39 mijë euro për kokainën), është e lehtë të kuptohet si shumëfishoheshin fitimet pasi droga përzihej dhe zmadhohej.

Një tjetër element që e karakterizonte grupin si një strukturë sipërmarrëse ishte ndarja e detyrave dhe përdorimi i personave “të padyshueshëm” si korrierë dhe magazinierë. Andrea Buonsante, për shembull, nga pronar bari përfundoi i akuzuar për trafik droge, pasi kishte vënë në dispozicion kamionin e tij me kosh ngritës për transportin e drogës. “Për këtë punë i jepnim 150 euro për çdo udhëtim”, shpjegonte një shqiptar. Giovanni Montedoro, nga ana tjetër, mendohet se e kishte kthyer shtëpinë e tij në Noicattaro në një bazë të errët. Kur u arrestua, bashkëpunëtorët e tij u shqetësuan sepse, duke mos qenë profesionist, kishin frikë se mund të rrëfente gjithçka.

Lënda narkotike mbërrinte në Bari me tragete nga Shqipëria, e fshehur tek persona të moshuar që udhëtonin në kabina ose në karrocat e invalidëve. Ndërsa paratë ktheheshin në Shqipëri të fshehura në autobusët që nisen çdo ditë nga porti i Pulias. Për të lëvizur aty, siç thoshte dikush, ‘duhet të kesh ndihmë’.

Exit mobile version